Në Toskëri quajnë “njerëz të mëdhenj” ata që kanë arritur në një shkallë të sipërme në shërbim të guvernës: Ferid Pasha, Turhan Pasha, Tahir Pasha, Rexhep Pasha, Smail Qemal Beu, Esad Pasha, etj., janë, pas kokës së toskëve “njerëz të mëdhenj”.

Kjo është mjaft e bukur. Po ka më mirë. Mësova tani shpejt se gegët thirrkan “xhin të mdhâj” ata që kanë ergjend. Dodmasei dhe Terpua janë “xhin të mdhâj” pas kokës së gegëve.

Unë e kam për nder dhe për lëvdatë që në vendin tonë njerëzit e mëdhenj dalkan me aq shumësi sa preshët dhe lakrat. Se në vise të tjera, nga të gjitha pemët, më e rralla është njeriu i madh. Po të marrim për tregim [shembull] një mbretëri të gjerë si Englia, shohim se ajo sot për sot nuk ka e nuk njeh ndonjë njeri të madh në gji të saj.

Ka gjeneralë të mëdhenj si Lord Kitchner-in, burra-shteti të mëdhenj si Joseph Chamberlain, “businessmen” të mëdhenj, si Andrew Carnegie, vjershëtorë të mëdhenj si Swinburne. Po që kur vd, iq Gladstone, nuk ka më, a nuk ka akoma ndonjë “njeri të madh”.

Në Gjermani prapë, njerëzit e mëdhenj janë të rrallë: Bismarck-u ish një njeri i madh; po kam frikë se mos nuk më besojnë kokat e Toskërisë kur t’u them se princi Von Bülow, i cili ndodhet sot në vend të Bsimarck-ut shkon [shihet] vetëm për një njeri i ndershëm dhe fatmirë (“kismetlli”).

Francës, që në vd, ekje të Victor Hugo-së nuk i ka dalë ndonjë njeri i madh: po edhe Victor Hugo-nj ka shumë sot në Francë, por vetëm atë e-quajnë të madh vjershëtor; dhe qeshin po të të shohin se ti i merrke ata për njerëz të mëdhenj.

Franca, si viset e tjera që quhen të qytetëruara, e përdor me shumë masë fjalën për të cilën po kuvendojmë. “Njeri i madh” ishte Napoleoni i I-rë; po megjithëse më pak i dëgjuar, njeri i madh ishte, për tregim, edhe një burrë si Dupleix, trajtori [guvernatori] i Indisë frënge.

Me të tjera fjalë, Evropa e qytetëruar quan “njeri të madh” një njeri i cili, i frymëzuar me qëllime të larta dhe i zoti të ngrejë plane të gjera, ka pasur forcën e karakterit për t’i vërtetuar pak a shumë, ka përbërë një influencë përmbi kohën e tij dhe ka luajtur një rol në historinë e përbotshme. Po ta kuptojmë edhe ne ashtu fjalën, i vetmi “njeri i madh” që ka pasur Shqipëria në kohë të reja është Skënderbeu.

Sikur të vesh në një vend të qytetëruar, bie fjala në Francë, dhe të thuash se një prefekt (vali), a një nga ata që gatuajnë miliona në bursë është në sytë e tu një “njeri i madh”, a do që të të hedhin në portë posi një shtazë pa dinjitet, a do që të të japin [të dorëzojnë] te polica që të mbyllesh posi një i prishur mendsh i rrezikshëm? Gjer kur shqiptarët kanë për të mbetur pa kuptuar vlerën e fjalëve? Në qoftë se ky pakuptim shfaq vetëm padije, ahere sëmundja do të shërohet me kohë.

Mjerisht, unë kam frikë se mos dëfton jo vetëm padije, por një mungesë më të rëndë: mungesën e dinjitetit. Një komb pa dinjitet nuk meriton, nuk mundet, të çlirohet

Gazeta “Albania”, nr. 8, gusht 1906

Burimi: Konica.al