Na ishte njëherë një bujk. Ky jetonte për bukuri me gruan dhe fëmijët e tij. Bënte një jetë thjeshtë, por ishte i lumtur. Një ditë prej ditësh, teksa po dilte për në arë, i del përpara një person dhe i thotë disa fjalë në vesh. 

– Ç’po thua, i tha bujku, se s’po të marr vesh.
– Të thashë disa fjalë magjie. Tani s’ke çfarë bën, do më bindesh dhe do bësh çfarë të të them. Përndryshe, do të sjell xhinde e djaj e do të mbërthejnë për gryke.

Bujku u tremb për vdekje. Bëri ç’bëri e ndoqi të panjohurin pas. Kur arritën në vendin e tij, atje gjeti edhe shumë njerëz me të njëjtin fat. Të gjithë kishin nga një kyç dhe një çelës. Gjatë ditës e hapnin kyçin me çelës, ndërsa natën e lidhnin veten dhe qëndronin ashtu deri në mëngjes. 


Kur kaluan afro 29 vjet dhe burri u sëmur rëndë, bujku iu afrua dhe i tha:
– Të kam rixha, më liro, më lejo të kthehem pranë gruas dhe fëmijëve të mi!
Tjetri ia ktheu: – Pse të të liroj, ti i lirë ke qenë prej kaq vitesh. Vetë e ke pasur kyçin dhe çelësin.

Bujku: – Kam qëndruar i lidhur nga frika se mos më zinte magjia jote.
Burri: Unë nuk ia them fare për punë magjie. Ato fjalë i sajova vetë. Ti dhe këta fatkeqë i besuat, prandaj më shërbyet me devotshmëri. Kam faj unë?!
Burri u largua i trishtuar dhe u kthye pranë gruas dhe fëmijëve.