Një biznesmen i madh dhe i suksesshëm gëzonte dhe emër të mirë mes njerëzve. Pavarësisht punëve dhe angazhimeve të shumta, ai gjente gjithmonë kohë që ti vizitojë miqtë dhe njerëzit e lagjes ku ishte rritur. Një nga shkaqet e emrit të mirë që gëzonte mes njerëzve ishte dhe fakti që ishte shumë zemërgjerë dhe bujar me mirësitë që i kishte dhënë Zoti.

Një herë, teksa ndodhej mes njerëzve të vet dhe miqve, dikush guxoi dhe e pyeti:”A nuk na tregon, cili është sekreti i gjithë këtij suksesi që keni korrur në biznes, por edhe në marrëdhëniet me njerëzit?!”

Biznesmeni u mendua pak dhe tha i bindur:”Mendoj se është im at, Zoti e mëshiroftë!”
Pyetësi bëri një pyetje të dytë:”A nuk na tregon se si?”

Biznesmeni u përgjigj:”Që ditën e parë të shkollës fillore, im atë më pati blerë një kuti me lapsa plumbi. Çdo ditë ai më kërkonte që të marr një laps shtesë me vete dhe nëse ndonjë nga shokët apo shoqet e klasës ta kishte harruar të vetin, ose ti kishte humbur, unë ti jepja një nga kutia ime.
Kjo bëri që unë të fitoj dashurinë dhe respektin jo vetëm të nxënësve por edhe të mësuesve.

Nga ana tjetër, edhe unë ndjeja një gëzim e lumturi të madhe çdo ditë që zgjohesha në mëngjes isha plot energji pozitive pasi e dija se do i bëj qejfin dikujt. Momenti i nxjerrjes së lapsit nga kutia ishte një moment shumë i bukur. Në mendje mendoja se kë do të gëzoj atë ditë. Në shkollë shkoja me gëzim të madh, edhe pse nuk isha nxënës i mirë dhe i suksesshëm.

Me kalimin e ditëve fillova të lidhem më mshumë me mësimet dhe me dijen saqë ciklet e mëvonshme i kalova me rezultate të larta. Të mësuarit dhe të nxënit tek unë ishte e lidhur ngushtë me gëzimin e të tjerëve por edhe timin. Kështu u rrita i lidhur me të bërit mirë, me gëzimin që më jepte fakti që i dhuroja dikujt një laps apo stilolaps.

Gëzimi i dhurimit më lidhi edhe me ambientin përreth, me klasën, mësimet dhe dijen. Zoti ma shpërbleu të gjithë këtë duke më dhënë sukses në çdo hap që kam hedhur në jetë. Unë jam produkt i asaj edukate që më ka kultivuar im atë dhe i atyre lapsave që kam dhuruar në fëmijërinë time.

Burimi: kohaislame.com