Lazer Radi

Gazetari, publicisti, shkrimtari dhe përkthyesi, pati një aktivitet të ethshëm publicistik, duke kaluar nëpër një kalvar vuajtjesh për bindjet që pati në jetë. Por tashmë ka ardhur koha që emri i tij të kujtohet me mirënjohje në plejadën e gazetarisë së viteve të paraluftës   

Rastësisht më ra në dorë një numër jubilar, 28 nëntor 2011, i  revistës “Kuq e Zi”, që botohet në diasporë. Më tërhoqi vëmendjen artikulli i profesor Thanas Gjikës. Bëhej fjalë për një varg publicistësh e dijetarësh, që siç shkruante autori “u lanë nën hije”. Dhe rendiste disa emra, si Mihal Sherko, Jakov Milaj, Fiqiri Llagami, Arshi Pipa, Ndoc Vasia, Kin Dushi, Gjergj Bubani, Nexhat Hakiu, Akile Tasi, Zoi Xoxa, Stefan Shundi, Midhat Araniti, Terenc Toçi, Ismet Tota e Nebil Çika, që drejtonte gazetën “Arbënia”.

Me dëshirën për informim, si studente e Gazetarisë dhe e Shkencave të Komunikimit, jam interesuar të di më shumë për ata dhe gazetarë të tjerë të asaj periudhe. Një prej tyre ishte edhe gazetari, publicisti, shkrimtari dhe përkthyesi, Lazër Radi, për të cilin prej kohësh më kishin sugjeruar të bëja një shkrim.

E vërteta është se për këtë personalitet, Lazër Radin, kam lexuar, duke krijuar një përfytyrim. Fillimisht jam konsultuar me një artikull  me titull “Një protagonist i harruem i Shqipnisë së viteve ‘30”, botuar në revistën “Klan”, mars 1998. Pastaj kam kërkuar më tej.

Lazri ishte 13 vjeç, kur familja e tij, e njohur për patriotizëm, në vjeshtën e vitit 1929 u detyrua të largohej nga Kosova për të gjetur strehë dhe jetesë në Shqipëri. Vëllezërit e Lazrit ishin arratisur nga ushtria. Represioni serb ishte bërë i padurueshëm. Prindërit arsimdashës të Lazrit, që në javët e para, u interesuan në Tiranë për vijimin e shkollimit të djalit të tyre. Mësimet fillore i kishte kryer dhe vijonte të mesmen në vendlindje. U regjistrua dhe kreu vitin e parë në gjimnazin e Tiranës. Në vjeshtën e vitit 1932 fitoi një bursë shteti për studime në gjimnazin e Shkodrës. Në qytetin, qendër e rëndësishme e letërsisë, arteve e kulturës, shpejt u bë i njohur dhe u shqua, jo vetëm si nxënës i shkëlqyer, por edhe si një qytetar aktiv e veprimtar i shquar politik e shoqëror. Në konviktin “Malet tona”, Lazri u shoqërua e miqësua me nxënës kosovarë si Emin Duraku e Hajdar Dushi, që do të bëheshin eksponentë të lëvizjeve revolucionare në gjimnaz dhe më tej. Njëkohësisht, ai shoqërohej me bashkënxënësit e njohur si Qemal Stafa, Arshi Pipa, Xhemal Broja etj. Ai bashkëpunoi me ta për themelimin e shoqërisë kulturoro-sportive “Besa shqyptare”, derisa ajo shoqëri u bë një nga bazat e grupit komunist të Shkodrës. Lazri, ngaqë nuk pajtohej me politikat e grupit komunist, u shkëput herët prej tij.

Shkodra – djep i gazetarisë edhe për Lazër Radin

Si një nga gjimnazistët aktivë të rretheve letrare në gjimnazin e Shkodrës, shpejt filloi të debutojë e më pas të shkruante në gazetën “Shtypi”, me atributet e korrespondentit zyrtar. Emri i tij del ë nga viti 1935 në gazetat e Tiranës, si “Shtypi”, “Kombi”, “Drita” dhe  “Diana”. Ai, përveçse me emër, shkruante me inicialet L.R. dhe pseudonimet Lara, Laprendi, Ladi etj. Që në kohët e para të bashkëpunimit me mediat, ai provon të trajtojë probleme me karakter hulumtues shkencor. Studime të kësaj natyre apo, siç i ka quajtur autori, “studime gazetarie”. Janë dy artikuj me të njëjtin titull, “Gazetaria – fuqi publike”, botuar në dy numra radhazi të gazetës “Shtypi”, ku parashtroi dy teza.

Në artikullin e parë, në gazetën “Shtypi”, të datës 23 dhjetor 1937, pyetjes: “Ç’është gazetaria?, i përgjigjet: Gazetaria, para së gjithash, është fuqi publike…., ka funksion polemik, është propagandë, është gjykim i ngjarjeve, i veprimeve, i parimeve, i metodave të atij që qeveris,… është kritikë e kontroll…”.  Në artikullin e dytë, të datës 25 dhjetor 1937, formulohet mendimi: “Historiografia e gazetarisë është një gjë e vetme me atë të ngjarjeve, ideve, të doktrinave…”.  Lazri është stimuluar e frymëzuar edhe nga Migjeni për t’u marrë me studime në fushën e gazetarisë dhe të letrave shqipe. Ai u njoh së afërmi dhe u shoqërua me poetin në vitin 1936, gjatë pushimeve verore në qytetin e Pukës.

1935-1938, periudha e parë në shtypin e kohës

Në verën e 1938-s mori diplomën e gjimnazit të Shkodrës, ndërkohë, që nëpërmjet Konsullit të Italisë në Shkodër, i hapet rruga për të vazhduar studimet e larta në Romë. Në shtator 1938 kërkoi bursë për studime në Itali. Ambasadori i atëhershëm në Tiranë, Françesko Jakomoni, u interesua dhe e ndihmoi. Ai bënte pjesë në grupin e njëqind studentëve shqiptarë të zgjedhur për degën e Jurisprudencës të universitetit “La Sapienza” të Romës. Lazër Radi, pas pushtimit fashist të Shqipërisë, më 1939, bashkëpunon që nga Roma me dy gazetat fashiste të themeluara në Tiranë; “Fashizmi” dhe “Tomori”, që drejtoheshin nga Vangjel Koça, të cilin Radi e konsideronte “udhëheqësi im shpirtëror”.

Nën kujdesin dhe me parathënien nga Vangjel Koça, më 1940, Lazri do të botonte librin e tij të parë “Fashizmi dhe Fryma Shqiptare”, përgatitur për shtyp nga Zoi Xoxa e Stefan Shundi. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1942, Radi laurohet Doktor Jurist, kthehet në Shqipëri dhe nis stazhin e Avokatisë pranë studios së avokat Golgotës në Durrës. Por nuk e ndërpret bashkëpunimin me gazetat e kohës. Pas kapitulimit të Italisë, në vitet 1943-1944, bashkëpunon me gazetën “Bashkimi i Kombit”, që drejtoi Akile Tasi, duke shkruar me emër, me inicialet L.R., por edhe me pseudonimin “Ushtima e Sharrit”.

Kështu, vitet 1939-1944 përbëjnë periudhën e dytë të gazetarisë së Lazër Radit. Shkrimet e tij publicistike të pesëvjeçarit 1939-1944, përmbajtja e tyre profashiste, do të përbënte bazën e akuzës ndaj Lazër Radit në Gjyqin Special komunist të pranverës 1945 dhe dënimin e tij me 30 vjet burg.

1991-1998, Pasburgu, periudha e tretë  

Karakterizohet nga veprimtaria publicistike, letraro-dokumentare dhe botuese e përkthimeve të tij. Në fillim të vitit 1991, Lazër Radi kthehet familjarisht në Tiranë. Pas 10 vjetësh në burg, kishte kaluar kalvarin e internimeve, shumicën e kohës në ngulimin famëkeq të Savrës së Lushnjës. Kështu, gjatë 1993-1994 nis botimin e artikujve të shumtë publicistikë. Në vazhdim, në vitet 1994-1997, botoi gazetën “Bashkimi i Shqiptarëve”, e cila luftoi denjësisht për çështjen kombëtare jashtë kornizave demagogjike të kohës. Ndërkohë, shkroi e botoi 15 libra, duke filluar me studimin “Shqipëria e viteve ‘30”, e përfunduar me kujtimet “Në verë me Migjenin”. Lazri bashkëpunoi edhe me të birin, Jozefin, duke shkruar e botuar vëllimin poetik, “Muret e Muzgut”,  poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina”. Ata së bashku botuan edhe revistën letraro-kulturore “Arbëria”.

Vepra e tij është e pasur, një “arkiv” me dokumente historike e bashkëkohore, si “Misteret e një ministri”, “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”, monografia “Njeriu i rrugës së gjatë”, libri i dytë poetik, “Shpresa vdes e fundit” etj. Përkthimet ishin një zhanër tjetër i rëndësishëm në të cilin, Lazër Radi ka lënë pas gjurmë intelektuale. Edhe pse në kushte tejet të vështira, ai arriti të përkthejë disa vepra të Platonit, Frojdit, Jungut dhe një “Enciklopedi të historisë së botës”. Përveç tyre, disa vepra të rëndësishme të përkthyera nga Lazër Radi kanë mbetur akoma në dorëshkrim.

Migjeni, Dr. Lazër Radi dhe Hajdar Delvina në vitin 1936
Migjeni, Dr. Lazër Radi dhe Hajdar Delvina në vitin 1936

Pas renditjes së këtyre kontributeve, vjen natyrshëm dhe arsyetimi se Lazër Radi ishte dhe mbetet një nga personalitetet e shquara të publicistikës dhe të letrave shqipe. Studimi i veprës së tij, sikurse dhe ai plejadës së publicistëve të viteve ’30-‘40”, me “të mirat e të ligat”, ka të bëjë me historinë e kulturës sonë. Lazër Radi u nda nga jeta më 22 shtator 1998, duke mbyllur sytë në ditën e daljes nga shtypi të librit që aq shumë e kishte pasur për zemër: “Një verë me Migjenin”.