Globalizimi rrezikon edhe duke ofruar. E gjendur e pambrojtur, gjuha shqipe vazhdon të jetë në fazën e “eksperimentimit” përditë dhe në të gjitha fushat. Fjalët e huaja, pasi artikulohen së pari në ekranet televizive, radio dhe internet, “përvetësohen” nga njerëzit dhe hyjnë në të folmen e përditshme. Kështu, pa qenë nevoja, harrohen fjalët shqip dhe merren ato të një gjuhe tjetër…/Konica.al

…Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;

edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.

Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;

edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.

(Fishta)

Sipas studiuesve, jo të gjitha fjalët e huaja, që kanë hyrë në dekadat e fundit, duhet eliminuar. Ka me qindra-mijëra fjalë që në fakt, janë të nevojshme dhe se, duhen përshtatur. Për këtë, kërkohet një fjalor i ri.

Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë, jep një shifër të përafërt rreth numrit të fjalëve që ka sot gjuha shqipe, me pasurimin vit pas viti. Nga 500 mijë fjalë, në fjalorin e vitit 2006 kanë hyrë vetëm 48 mijë. Pjesa tjetër, janë lënë në përdorim pa u studiuar.

***
Mendohet se përmendja e parë me shkrim në shqip ishte më 14 korrik 1284 në Ragusa ose Raguza (Dubrovniku i sotshëm) në Kroacinë moderne kur në hetimet për një vjedhje në shtëpinë e Petro de Volcio nga Belena, një farë Matheus, biri i Markut prej Mençe, i cili ishte, siç duket, një dëshmitar i krimit, raportoi kështu: Dëgjova një zë duke thirrur në mal në gjuhën shqipe (Latinisht: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca”).[39]

Rastin e dytë, njëzet e tre vjet më vonë, e gjejmë në një përshkim të Shqipërisë në një vepër anonime të quajtur Anonymi Descripto Europea Orientalis [40]. Kjo vepër mesjetare latine e vitit 1308 trajton vendet dhe viset e Europës Lindore, veçanërisht vendet e Gadishullit Ballkanik. Mendohet se autori ishte një prift frëng i urdhrit dominikan, i cili u dërgua nga kisha në Serbi.[41] Përshkrimi Anonim ka kapituj mbi viset e ndryshme të Greqisë bizantine, mbi Rashën, Bullgarinë, Ruteninë, Hungarinë, Poloninë, Boheminë si dhe një kapitull mbi Shqipërinë, një përshkrim të rrallë të këtij vendi dhe të këtij populli në shekullin e katërmbëdhjetë. [42]

Rasti i tretë, ku gjuha shqipe përmendet gjendet në një vepër të shkruar nga një shtegtar i krishterë në udhëtimin për në Tokën e Shenjtë në vitin 1322.[43] Shkrimet e shtegtarëve në rrugën për Tokën e Shenjtë përbëjnë një burim kryesor informacioni mbi vendet e Mesdheut Lindor në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të dytë. Në këtë rast, dy shtegtarë angloirlandezë me emrat Symeon Semeonis dhe Hugo Iluminator, që mund t’i quajmë shqip Simon Simoni dhe Hugo Iluminatori, kaluan në Shqipëri në vitin 1322 dhe Simoni shkroi përshtypjet e tij në një lloj udhëpërshkrimi.[44][39]

Rastin e katërt ku përmendet ekzistenca e gjuhës shqipe e kemi në vitin 1332 në veprën e një murgu frëng të urdhrit dominikan me emrin Brokard (Lat. Brocardus monacus). Në traktatin e tij latin të quajtur Directorium ad passagiumfaciendum (Udhëzime për kapërcimin e detit), Brokardi shënon fjalinë tashmë të njohur në letërsinë shqipe: “Licet Albaneses aliam omnio linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris” (Shqiptarët kanë një gjuhë tjetër krejt të ndryshme nga latinishtja, megjithatë, përdorin shkronja latine në të gjithë librat e tyre). [nevojitet citimi][39]

Regjistrimi i parë audio i shqipes u bë nga Norbert Jokl më 4 prill 1914 në Vienë.[45] Gjatë periudhës pesë shekullore të sundimit osman në Shqipëri, qeveria osmane ndaloi që më 1881 e deri më 1908 shkrimin dhe këndimin nëpër shkolla. Ky urdhër nuk ndaloi natyrisht ata që merreshin me letërsinë shqiptare të vazhdonin në punën e tyre, por pengoi arsimimin kombëtar për gati 30 vjet. (Wikipedia)

Marrë nga Konica.al