Limos Dizdari
Limos Dizdari

Legjendat, pse u arratis “Artisti i Merituar” Limos Dizdari nga Tirana në Ksamil, janë ende në qarkullim, por këto hamendësime sensacionale nuk e penguan kompozitorin e shquar shqiptar të  këtij gjysmë shekulli të  fundit, të ecë në rrugën e shumë patriotëve dhe artistëve shqiptarë të paraçlirimit – Tefta Tashko Koços, Gaqo Avrazit, Kostandin Trakos, Lola Gjokës, etj. për ta çuar më përpara jetën artistike shqiptare me prirje të  qarta evropiane, edhe këtu në vendlindjen e tij.

“Artisti i Merituar”Limos Dizdari, përbën modelin e krijuesit dhe artistit me botëkuptim të gjerë, me horizont e veprimtari të shumëanshme, që me devotshmëri e përkushtim për dekada të tëra i shërbeu artit e kulturës kombëtare me ndjenjë të lartë profesionale e atdhetare, si në fushën e kompozicionit ashtu edhe të organizimit të veprimtarive të shumta muzikore brenda e jashtë vendit.

Të paktë janë ata që e dinë se kompozitori Dizdari, për shkak të lidhjeve të fuqishme shpirtërore me vendlindjen e tij, është i vetmi nga kompozitorët shqiptarë, që ka kompozuar katër këngë hymne për Heronjtë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të rrethit të tij; Lejla Malon, Lefter Talon, Kosta Çavon, dhe pak kush e di se ai, si askush tjetër, gjatë viteve të punës së tij në Sarandë, pranë popullit të rrethit ku ka lindur, ka ngritur korin me 1200 artistë amatorë për të dhënë koncert në Teatrin antik të Butrintit. Tregojnë se, meqënëse rruga ka qenë e pa asfaltuar, e ka çuar pjanon në Butrint me anije nga deti.  Dhe ka qenë Butrinti që e ka pritur miqësisht për disa muaj në dhomën e Ugolinit, i izoluar si asketët, për të shkruar simfoninë në Si minor. Janë këto lidhje të fuqishme shpirtërore me vendlindjen e tij, motivi pse u vendos Limos Dizdari në Ksamil.

Me shumë vështirësi e me shumë përkushtim Dizdari mundi të shpëtojë një institucion të degraduar pas vitit 1997, dhe ta kthejë atë në një qendër arti që do ta kishin zili edhe vende të tjera europiane. Kanë ekzistuar 25 shtëpi kulture të ngritura nga shteti për Ndërmarrjet Bujqësore, të gjitha janë privatizuar, por asnjëra prej tyre nuk e ka fuksionin e mëparshëm artsistik. E vetmja që e ka ruajtur funksionin e saj kulturor, është Qendra e Artit “Dea” në Ksamil, rikonstruktuar prej kompozitorit Dizdari, për të cilën ka shitur shtëpinë në Tiranë dhe ka shpenzuar 70.000.000 lekë.

Bustet e Naimit, Nolit, Abdurrahim Buzës, Bethovenit, Çajkovskit, Listit, shpërndarë nëpër lulishten e bukur, qëndrojnë  impozantë mes fëshfërimës së dafinës së moçme e palmave shumëvjeçare përzier me ngjyrat dhe aromat e luleve të kultivuara kohët e fundit prej pianistes së mirënjohur Adriana Dizdari. Flladi ledhatues që vjen nga deti i blujtë, shtrirë si një manushaqe gjigande në këmbët e Qendrës së Artit “Dea”, duket sikur i japin atij tempulli artistik një pamje magjepsëse dhe mysafirëve të tij të përheshëm në gur e bronz, një përkëdheli mirënjohëse për veprën e tyre fisnike.

Në atë mjedis, aq të këndshëm dhe çlodhës, dyshja Dizdari,  ka organizuar dhjetra veprimtari artistike dhe kulturore, me pjesëmarrjen e  një numëri  poetësh, shkrimtarësh, muzikantësh dhe këngëtarsësh, kanë organizuar përvjetorë të elitës kulturore të kombit shqiptar, kanë organizuar konkurse muzikore, kanë promovuar libra artistikë dhe studime folklorike, kanë ngjitur në skenë talente të reja që mësojnë piano dhe violinë në kurset e këtij institucioni, kanë organizuar diskutime të ndezura për vlerat e kulturës kombëtare, vlerat e historisë tonë antike në pellgun e Butrintit dhe liqenit Pelod, rreth të cilave janë konservuar pasuri kulturore të popullit tonë si dëshmi  e një kulture të lashtë dhe të një populli me konstitucion të fuqishëm shpirtëror.

Po kush e ndihmon financiarisht këtë institucion artistik me sallë koncertesh prej 250 vendesh, sallë biblioteke me fonde prej 5500 ekzemplarësh, galeri artesh, për të siguruar një funksionim artistik të rregullt dhe gjithëvjetor?  E keqja është se ky institucion, (që pa ndërhyrjen e muzikantit Dizdari do të ishte kthyer në motel apo hotel si qindra të tjera që ka Ksamili),  konsiderohet si institucion privat, ndonse në të nuk ka patur dhe as do të ketë një qëllim të tillë fitimpurës, sepse kjo praktikë nuk del e sukseshme në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, e ca më pak në Ksamil, ku papunësia është e nivelit më të lartë dhe popullsia e mbledhur nga zonat rurale ka një përbërje heterogjene me disnivele kulturore të dukshme! Po të ishte kjo një mundësi, institucionet kulturore dhe artistike në tërë Shqipërinë, do të funksiononin me vetëfinancim dhe shteti do t’ua kishte prerë programimet financiare. Këto këndvështrime meskine e mjerane të njerëzve të vegjël nga kultura e përgjithshme, e ftohin mjedisin përreth, nxitin indiferentizëm, e herë-herë edhe injorim të këtij institucioni komod dhe artistik!

Fakti që në një komunitet mijra banorësh, ekziston një institucion kulturor, kur simotrat e saj të ndërtuara nga shteti janë shuar, obligon për më shumë vëmendje për kontribute jo vetëm financiare nga institucionet shtetërore, por edhe kontribute njerëzore nga artistë, administratorë të pushtetit dhe intelektualë të fushave të ndryshme. Shteti nuk financon dot për të ndërtuar në Ksamil një institucion artistik dhe kulturor, megjithëse koha e kërkon si domosdoshmëri për edukimin dhe argëtimin e kulturuar të brezave të rinj. E përderisa e ka këtë instucion komod dhe estetik, përse nuk ndihmon për fuksionimin e tij artistik? Përderisa ka fonde për projekte të ndryshme artistike, qoftë Ministria e Kulturës, qoftë Bashkia brenda juridiksionit së të cilës është ky komunitet ksamiliot, përse nuk planifikojnë disa projekte artistike vjetore për këta banorë të cilët e duan artin dhe kulturën?

Po marrim vetëm një fakt të rëndomtë: Për dritat që ndriçojnë Bashkinë, Komunën, institucionet kulturore shtetërore në rrethe, ndonse produkti i tyre nuk justifikihet përpara shpenzimeve të rrogave, paguan shteti. Për dritat që ndriçon Qendrën e Artit “Dea”, dhe rrugën pranë saj, paguan pensioni i Lomosit dhe Adrianës, dhe nuk është pak, plot 20.000 lekë në muaj. Për ujin që përdoret për të larë tualetet që frekuentohen nga spektatorët, të ftuarit, artistët, pastruesen e sallës së koncertit në institucionet shtetërore, paguan shteti, ndërsa në Qendrën e Artit “Dea” paguan pensioni i Limos-Adrianës.

Edhe patrioti Koto Hoxhi u financua nga Zografi në gjimnazin privat të Qestoratit, por ai nuk e frymëzoi shkollën dhe nxënësit me shovinizmin e Zografit, por me shqiptarizmin, prej tij dolën mësuesit e parë të gjuhës shqipe Pandeli Sotiri dhe Petro Nini Luarasi, përveç shumë  intelektualëve për kohën. Përveç arsimit, si iluminist i madh që ishte, baba Kotua rëndësi të madhe i kushtoi veprimtarive kulurore, jo vetëm për argëtimin e kulturtuar të nxënsve dhe fshatarëve, por edhe për edukimin patriotik dhe atdhetar. Nuk është e rastit që për herë të parë, Ai vuri në skenë një shfaqje teatrale, që për kohën do të konsiderohet luks, e që përbën fillimet e teatrit shqiptar. Ai punonte me artin dhe kulturën, sepse kishte bindjen se rruga e artit dhe kulturës do ta ndihmonte popullin tonë për prosperitetin dhe zhvillimin e tij europian.

Sot politikanët grinden egërsisht prej një çerek shekulli duke e shpërdorur barbarisht fjalën, sikur vetëm 1% e fjalëve të tyre në parlament, mitingje, gazeta, emisione televizive të përdoershin për edukimin estetik dhe artistik të popullit, kjo do të ndihmonte mjaftueshëm në qytetërimin e shoqërisë shqiptare dhe në pakësimin e krimeve dhe destabilizimin e jetës.

Askush nuk shqetësohet për jetën shpirtërore të këtyre banorëve, përveç xhamisë, e cila si fqinje që ndodhet tridhjetë metra poshtë Qendrës së Artit “Dea”, prezanton botkuptim të kundërt me dogmat dhe irracionalitetin e ideologjive fetare.

Si do ta ndihmonte administrata shtetërore këtë institucion iluminist dhe qytetërues për ta gjallëruar jetën artistike dhe kulturore të banorëve, detyrimet financiare të të cilëve për çdo vit, presupozojnë edhe  kontributin për jetën kulturore? Përderisa Qendra e Artit “Dea” është e vetme në Jug, del detyrë urgjente që t’i jepet një status i veçantë nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Sarandës, derisa atje të ndërtohet nga shteti një institucion kulturor. Nuk është luks, as shkelje ligjore të planifikohen pranë këtij institucioni artistik, një apo dy kuadro kulture që të paguhen nga shteti dhe të kryejnë veprimtari artistike mujore. A nuk del e nevojshme që krahas bukurive natyrore banorët dhe pushuesit e shumtë të shijojnë edhe vlerat artistike e kulturore të krijuara nga artistët e këtij populli të kulturuar, por që politikanët po i kthejnë në armiq të njëri tjetrit, ku gjysma po sulmon gjysmën?

Me sa duket për të patur një konceptim më të qartë për domosdoshmërinë e veprimtarive kulturore në qytetin e Ksamilit, u dashka të kulturohen më parë rrogtarët e institucione drejtuese të fushës së kulturës në pushtetin qendror dhe atë vendor. Kultura kultivon harmoninë, mirëkuptimin, bashkëveprimin, paqen, prandaj kthimi i kokës nga kultura përmirëson atmosferën shoqërore të komuntetit, i frymëzon për jetën, u pasuron botën shpirtërore banorëve të kësaj riviere, ku era e detit në këtë perëndim mahnitës të diellit fryn gjithë freski, duke kujtuar poezinë e Agollit të madh:

Përse një shkëmb i ashpër dhe i rrudhur,

Që deti e godet si dash me valë,

Na duket ne i bukur ?!

Ku është bukurija vallë ?!