Të shumta janë episodet e sportit shqiptar ndër vite, por kur këto tregohen nga legjenda, të atyre që janë pjesë e historisë, natyrisht që lënë jo pak shenjë dhe përshtypje.

Në kuadrin e rubrikës “Legjendat e Sportit Shqiptar”, “Konica.al” ka intervistuar legjendën dinamovite Andrea Marko, i cili tregon karrierën e vet sportive, shpalljen kampion Ballkani me ekipin Shpresa, ndeshjet me Kombëtaren, si dhe gjobën kur ndërroi fanellën me lojtarin e përfaqësuese së Greqisë…

Profesor, pse zgjodhët Dinamon?

Atëherë, në fillim të viteve 70’, klasat sportive funksiononin më së miri dhe këto furnizonin ekipet e paratërinjve dhe të rinjve të ekipeve të kryeqytetit.

Dhe mua më qëlloi te Dinamo, pra, ishte një zgjedhje e paracaktuar deri diku, pavarësisht se për kë mund të bëje tifo apo kishe dëshirë. Por në momentin që ti vishje një bluzë, dashuroheshe me të dhe shumë të rralla ishin rastet kur ndërroje një ekip, sidomos në Tiranë.

E mbani mend ndeshjen e parë me Dinamon?

Po, kam luajtur në Kuçovë, ku fituam thellë. E mbaj mend edhe për një episod, sepse nuk kishim këpucë me taka të gjithë dhe ia jepnim njëri-tjetrit. Por ai që m’i dha mua, kishte vënë thumbat e gjatë në fillim dhe unë vetëm pengohesha.

Trajneri, edhe pse më futi me koshiencë në lojë, më hoqi sepse vetëm rrëzohesha. Të gjithë mbetën të habitur, sepse nuk kishte ndodhur që një lojtar që hynte si zëvendësues, të ndërrohej përsëri. Trajneri e mori vesh hallin tim dhe më përgëzoi se si kisha arritur të luaja me ato këpucë.

Triumfi me ekipin Shpresa…?

Është një nga kulminacionet e sportit shqiptar. Këtë nuk e them vetëm unë. Jo më kot ai ekip, që shkëlqeu në Kampionatin Ballkanik, është nderuar me titullin “Legjenda e Sportit Shqiptar”. Pata fatin të isha pjesë e atij ekipi fantastik, ku mundëm Jugosllavinë, Greqinë dhe përmbysëm Rumaninë.

Jo më kot ky brez të rinjsh më pas shpërthyen, si me ekipet ku luanin në kampionatin shqiptar, ashtu edhe me Kombëtaren shqiptare. Pa harruar edhe faktin që Shyqyri Rreli, që e drejtonte Shpresën, jo më kot u bë trajner i Kombëtares më vonë.

Po debutimin me ekipin kombëtar, e mbani mend?

Patjetër, janë episode që mbeten në memorien e secilit futbollist, për më tepër ne në atë kohë luanim shumë pak ndeshje me ekipin kombëtar, pasi grupet ishin nga 4 skuadra maksimumi, ndërsa miqësoret thuajse mungonin.

Debutimi im dhe i shumë futbollistëve ndoshta ka ardhur pak vonë, por kjo për faktin sepse Shqipëria nuk luajti ndeshje ndërkombëtare, brenda dhe jashtë, për shkak të një urdhëri idiot nga 75’ deri 80’, që edhe sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar.

Ndeshjen e parë e kam luajtur me Finlandën, që për fatin e keq timin, marr dy kartonë të verdhë, dal nga loja me të kuq dhe nuk luajta dy ndeshje më vonë, sepse ashtu ishte rregulli i të kuqit atëherë.

Ka ndodhur që mos luanit në ndeshjet jashtë?

Po, ka ndodhur. Nga gjyshi, për shkak të biografisë, nuk jam grumbulluar ndaj Irlandës së Veriut. Por ajo që më ka mbetur peng, ishte që nuk luajta kundër Aberden në Skoci, që në fund të sezonit fitoi Kupën e Kupave.

Në Tiranë, dolëm 0-0 dhe unë luajta, fati nuk na deshi që të shënonim. Në kthim ata fituan 1-0. Ishte koha kur Aberden drejtohej nga Alex Ferguson dhe unë e mbaj mend shumë mirë. E kujt i shkonte mendja se ai do të bëhej trajner legjendë me Manchester United.

Atëherë, ku për shkak të biografisë, në një moment pastaj dëmtova keq gjurin, 2 ndeshje u dënova për kartonë, e kështu që humba disa ndeshje me fanellën kuqezi, sidomos jashtë fushe.

Episodin që mbani mend nga ndeshjet me Kombëtaren ose me Dinamon?

Janë shumë, por më kujtohet viti 1985. Ne do luanim me Greqinë, sipas kalendarit, por vdes Enver Hoxha dhe natyrisht ndeshja nuk u zhvillua. Me marrëveshje, ndeshja shtyhet në nëntor.

Barazojmë 1-1, një ndeshje e mirë dhe në fund, një kundërshtar grek më kërkon fanellën, duke më zgjatur të vetën. Më erdhi turp mos ia jepja timen dhe kështu e hoqa dhe ia dhashë.

Kur shkoj të marr pagën, kisha 1250 mijë lekë të vjetra të asaj kohe minus nga rroga. Ishte gjoba që më kishin vendosur për fanellën që nuk kisha dorëzuar. Ajo bluzë kushtonte 250 lekë të vjetra dhe ishte trikotazh, nuk kishte as vlerë, me dy herë që lahej zbardhej fare.

Një tjetër episod që mbaj mend ishte një miqësore me një ekip turk, lu luante edhe Fatih Terim, sot trajner i Turqisë. Dolëm barazim 1-1, por unë humba një rast ideal fare pranë portës. Terim, në fund, më erdhi dhe më rrahu shpatullat, dhe me sa kuptova më tha që mos u mërzit se miqësore ishte.

Po si trajner, jeni ndjerë i plotësuar?

Kam drejtuar shumë ekipe dhe ndihem i kënaqur, sepse kam qenë trajner i Bylisit, Apolonisë, Luftëtarit, Dinamos, Skënderbeut, Kastriotit dhe disa ekipeve të tjera. Ashtu si futbolli i luajtur, edhe trajningut i vjen fundi.

Trajnerët e rinj kanë më shumë ego, më shumë energji dhe kam parë të udhës të hap krahun. Drejtoj ekipe moshash të vegjël, sepse ata më japin më shumë kënaqësi. Emocionet me ta janë më të mëdha se sa me të rriturit.

Ju faleminderit që ishit pjesë e rubrikës së “Konica.al”!

Falenderimi është për ju, që kujtoni figurat e ndryshme sportive, duke kujtuar edhe ne episodet tona. Suksese në misionin tuaj!

(Intervistoi: Eduard Ilnica)/Konica.al