Në programet mësimore për fëmijë, japonezët kanë futur histori të ndryshme nëpërmjet të cilave kultivojnë vlerat dhe virtytet më sublime tek brezi i ri. Një nga këto histori është dhe kjo që do të citojmë më poshtë, e cila në fakt është legjendë dhe jo e vërtetë. Megjithatë në thelb ajo përmban vlera të cilat duhen kultivuar tek fëmijët.

Sipas legjendës, thuhet se në kohë të lashta jetonte një bujk japonez, njeri pa njeri dhe i varfër gjer në maksimum. Një ditë kishte dalë në fermën e tij me barkun bosh. Teksa hidhte hapat i mërzitur sytë i pikasën një zog me krah të thyer. Në zemër bujku ndjeu dhembshuri për atë zog fatkeq, i cili mund të ngordhte nga uria. Këtu shënohet virtyti i parë, dhembshuria.
Menjëherë bujku japonez e mori zogun dhe e dërgoi në shtëpinë e tij, ku e ushqeu me atë pak miell që i kishte mbetur.

Këtu del në pah virtyti i tij i dytë, bujaria dhe zemërgjerësia. Pasi e ushqeu zogun u mor dhe me krahun e tij të thyer. E mbajti zogun për disa javë në shtëpi derisa ai e mori veten. Kur pa që ai donte të fluturojë dhe ishte në gjendje, ia hoqi fashot, e nxori jashtë dhe e lëshoi të fluturojë në qiell. Një vlerë tjetër bujkut, ajo e respektit të tjetrit për të qenë i lirë. 

Legjenda japoneze tregon se dy ditë më vonë, teksa bujku qëndronte në shtëpinë e tij i mërzitur dhe me barkun e pambushur mirë, dëgjon të trokitura tek dera. Ai ngrihet dhe shkon të hapë derën, ku sheh një vajzë shumë të bukur dhe të veshur mirë e cila i tha:

-”Zotëri, kam ardhur tu shërbej për punët e shtëpisë!”
Bujku e pyeti:
-”Doni të bëni punët e mia?!”
Vajza iu përgjigj:
-”Po, dua tu ndihmoj me sa mundem për të bërë punët e shtëpisë.”
Bujku i tha:

-”Mirë por unë jam i varfër dhe nuk kam para për të të paguar!”
Vajza i përgjigjet:
-”Nuk dua para, kam ardhur tu shërbej dhe tu ndihmoj me sa mundem!”
Bujku, i surprizuar nga kjo i thotë:
-”Po mirë, hyr dhe pastro shtëpinë, laj rrobat…”
Vajza i tha:

-”Mund të të shërbej me diçka akoma më të vlefshme sesa të merrem me këto punë!”
Bujku e pyeti:
-”E çfarë mund të bësh?”
Vajza iu përgjigj:
-”Mund të bëj një rrobë të bardhë dhe të shumë të bukur, të cilën mund ta shesësh në Pazar dhe të fitosh goxha para.”

Bujku pyeti:
-”Mund ta bësh këtë?”
Vajza iu përgjigj:
-”Po, por me një kusht: Të mbyllem në një dhomë dhe mos më shqetësosh fare derisa ta mbaroj rrobën. Nuk dua të më shqetësojë as dhe të më shohë askush teksa merrem me punën time, as edhe ti vetë!”

Bujku, paksa i befasuar u përgjigj:
-”Pa merak, nuk të shqetëson askush. Veç bëj rrobën!”

Të nesërmen, vajza i dorëzoi bujkut zemërmirë rrobën e bardhë dhe të shtrenjtë, të cilën ai e çoi në Pazar. Tregtarët me ta parë mbetën me gojë të hapur nga bukuria, ngjyra dhe cilësia e saj. Ata i ofruan shuma të mëdha dhe bujku e shiti. Mori paratë dhe vajti në shtëpi ku falënderoi vajzën për cilësinë e rrobës, me paratë e të cilës do të plotësonte shumë nevoja. Pastaj e pyeti:

-”A mund të bësh një tjetër rrobë si ajo?”
Vajza iu përgjigj:
-”Do të mundohem, por sërish dua të kyçem në dhomë dhe askush të mos më shohë teksa punoj.”

Të nesërmen e çoi në Pazar rrobën e re dhe e shiti shumë shtrenjt. Kështu, ditë pas dite filloi të mësohej me shitjen e rrobave të shtrenjta në Pazar, duke hequr dorë pak e nga pak nga bujqësia dhe punët e tij të përditshme. Ai filloi të mësohej paksa me dembelizmin, në pritje të rrobës së re. 
Një ditë ai nuk e përmbajti dot kureshtjen e vet dhe shkoi dhe hapi derën ku punonte vajza. Futi kokën brenda dhe për një moment mbeti pa frymë. Vajza dëgjoi derën që u hap, u ngrit dhe mbeti e shtangur para syve të zgurdulluar të bujkut.

Vajza në fjalë nuk ishte tjetër veçse një zog, ishte bija e zogut krahëthyer që kishte mjekuar dhe ushqyer për disa javë. Ajo kishte ardhur ti kthejë të mirën që ai bujk i varfër i kishte bërë nënës së saj kohë më parë. Këtu shfaqet dhe një virtyt tjetër i legjendës, mirënjohja. Të gjitha rrobat ajo i kishte bërë nga puplat e saj dhe të familjes së saj. 
Kur e pa që bujku hyri brenda, vajza i tha:

-”Ti nuk e përmbajte dot veten dhe nuk e mbajte fjalën me mua. Besoj se e kam përmbushur detyrën ndaj jush, u ndihmova sa munda dhe tani më duhet të largohem.” Pastaj fluturoi dhe u zhduk në qiell.
Këtë legjendë, japonezët ua tregojnë fëmijëve të tyre në shkolla dhe u kërkojnë që të nxjerrin vlerat dhe moralet që ajo përmban.

Bisedat tona me fëmijët nuk duhet të jenë vetëm urdhra e ndalesë, bëj këtë e mos bëj atë. Ulu me fëmijët e tu dhe tregoju histori të tilla dhe së bashku nxirrni moralin e tyre.

Burimi: Akropoli i Ri