Ka kaq shumë kohë që nuk jemi parë. Takuar… takuar kemi harruar kurë. Por thellë brenda nesh shkojmë dhe vijmë. Zgjohemi gjithnjë nga trokitjet e diellit në xham dhe pëshpërima që na frymon e na përvëlon. Mungimi e ndez qiellin e mallit. Në sy na shpërthejnë shkëndija yjësishë. Më kot rrekemi të gjejmë në këtë flakë vetmie që na djeg; takimi e duarve, përplasjen e buzëve, shpërthimin e kurmeve. Gjithçka ka mbetur atje tej… vërshon ne vena e në dej. Përshpërima e ajrit dhe ledhat e dritës së pakët frymon në gjendjet e mbetuar pezull dhe idilin përvëlak që struket në sendet e mbetura ende aty ku hutimi ynë i la stampuar në kujtesën e kohës.

Hëna nuk shikon më nga dritarja. As dielli nuk nuk vjen të më zgjojë. Zogjtë nuk ulen më në parvazin e dritares. As trokitja e hapave te pragu nuk dëgjohet që atë ditë. Gjithçka e ka braktisur solemnitetin e asaj ndarje. Asnjë shkëndijë shprese nuk pipëtinë në honin e thellë të vetmisë. Murosur ka mbetur në ajrin e atij pikëllimi, e purpurta e atij portreti që u shndërrua në mirazh cfilitës. Ka shterrur çdo ngjyrë e fikur çdo dritë, veç silueta jote ka mbetur e nderur si një vegim, në kujtimen e taftit të atij mëngjesi ikjeje, zemërthyerje. I’u dhe ikjes duke harruar të gjesh rrugën e kthimit. Por ai shpirt nuk ka harruar të vij tek ti, ndoshta si dikur, si atëherë me letrat e stolisura me fjalë zemre.

Kur këtë letër do të marrësh në duar, si një purtek do të dridhesh e tëra, dhe zemra do të rrah fort. Pupthi do të ndjesh kërcimin e kraharorit. Buzët do të eshkën. Frymëmarrja do të të shpeshtohet dhe me ajër nuk do të ngopesh dot.

Ato fjalë, ato rreshta, janë prekjet që kurrë si shkëmbyem e shikimet që largësia i theu pa mëshirë. Në këtë çast do të përpiqesh të formëzosh atë përfytyrim që tretet nëpër këto mendime e gurgullon nëpër këto germa.

Me sytë që i tret tej dhe gishtat që pleks nëpër flokë, përpiqesh të kapësh fillin e hollë të këtij përfytyrimi idilik, e me të, të endësh portretin tim, fytyrën e një vegimi, zërin e një trazimi, afshin e një pranie që ta rrëmben era nga prehri, dorën që gërmëzon nëpër këto fjalë zjarri, diellin e një dëshirimi, që lyp në agimet e vetmisë tënde.

Shtangesh ashtu në hutim duke dëgjuar trokun e rrëmbyer të zemrës dhe duke imagjinuar hapat që të afrohen dhe zërin që të pëshpërimën në vesh. Një prekje e lehtë që pushon mbi ty si petale, të kthen në rrëke drite, në një energji që të shpërbën në frymë, në frymën që mbush heshtjen që të rrethon, e përplaset në asgjënë që ngre në dëshirim.

A.Vataj/Libdi & Komenti