Një ekspeditë disa vjeçare drejt historisë, gjeografisë, etnografisë dhe gastronomisë shqiptare. Gjeneza e një aventure, e cila rishtazi merr jetë në revistat më prestigjioze italiane.  

Alessia Selimi

“Letra nga Ballkani” Mund të mendoni se bëhet fjalë për letra të atij lloji, të dërguara dikur me postë, që të mbanin zemrën peshë nga kurioziteti i ushqyer dhe malli i tepruar. Me të drejtë! Por, tanimë, janë rrjetet sociale ato çka konsiderohen si pjesë të angazhimeve dhe jetës së përditshme. Françeska Masoti e di  shumë mirë këtë gjë. Kësisoj, jo më kot ka vendosur të hapë një blog. Bëhet fjalë për një hapësirë shumëngjyrëshe, ku shihet qartazi pasioni i thekshëm për shkrimin dhe fotografinë, të shkrira dhe të gërshetuara në hallkat kryesore që i japin formë dhe karakter Shqipërisë.

E lindur në Firence në 1988-n, ku u diplomua në Drejtësi, Françeska i është përkushtuar prej rreth 10 vitesh pikërisht vendit fqinj; historisë, gjeografisë, etnografisë dhe gastronomisë shqiptare. Një gazetare gjithnjë në lëvizje, e cila bashkëpunon me disa revista prestigjioze si, Corriere della Sera, National Geographic Italy, Vanity Fair Italy, Islands Viaggi, WU Magazine, The Travel News dhe Momondo. Por, edhe autore librash. Mes faqesh, Françeska i qëndron dukshëm besnike Shqipërisë, jo vetëm prej dashurisë që e lidhi me një djalë nga Vlora, me të cilin ka vendosur të ndajë jetën.

Gjeneza e dëshirës dhe vullnetit të kësaj 32-vjeçareje, për të eksploruar dhe promovuar “tokën e shqiponjave”, përbën mjaft kureshtje. Kjo është edhe arsyeja se përse “Fjala” është vendosur në kontakt me të.

Françeska, shkruani prej disa vitesh tashmë për Shqipërinë. Si e zbuluat ju këtë vend?

Unë u njoha me Shqipërinë falë bashkëshortit,  i cili është me origjinë nga Vlora. Vendosëm që ta vizitonim së bashku këtë vend magjik. Sikurse mund të merret me mend, rrugëtimi ynë filloi në Vlorë, për t’iu drejtuar më pas Gjirokastrës, Butrintit dhe Sarandës. Më duhet ta pranoj se rashë shumë lehtësisht në dashuri me “tokën e shqiponjave”.

Kur ka qenë hera e parë që keni ardhur në Shqipëri?

Vizita ime e parë në Shqipëri përkon përpara 10 vitesh. Për të qenë më e saktë, në tetor të vitit 2010. Asokohe, isha veçse një studente me dëshirën për të udhëtuar.

Si lindi tek ju ideja për të shkruar rreth qyteteve dhe fshatrave shqiptarë?

Unë jam një gazetare në lëvizje, që zbulon vende të reja dhe shkruan për to. Si një vend turistik, disa vite më parë, Shqipëria gëzonte shumë pak artikuj në mediat italiane. Duke u nisur nga lidhja e saj e ngushtë me Italinë, në vitin 2017, shkrova një reportazh në Corriere della Sera, i cili rezultoi çuditërisht mjaft i pëlqyer. Për të parën herë, disa italianë, praktikisht disa miq të mi, vendosën të udhëtonin drejt Shqipërisë.

Çfarë mendojnë këta të fundit për natyrën e vendit tonë?

Ata e konsiderojnë si diçka mjaft intriguese dhe ekzotike; janë të etur për të eksploruar sa më shumë qytete dhe fshatra shqiptarë. Miqtë e mi udhëhiqen nga një kuriozitet i pashoq, sidomos kur bëhet fjalë për Shqipërinë, këtë vend të rrallë në Europë që u jep udhëtarëve  natyrshëm kënaqësinë e zbulimit.

Cilin qytet preferoni më së tepërmi në Shqipëri?

Nuk kam një qytet të preferuar. Kjo vjen për shkak se Shqipëria është mjaft e larmishme. Personalisht mendoj se Tirana është e gjallë, ndërsa Korça është një qytet romantik. Sa i takon Beratit dhe Gjirokastrës, i konsideroj thesare të vërtetë. Ajo ç’ka mund të them me plot siguri është se e adhuroj rivierën e vendit tuaj. Sa herë që jam në Dhërmi, Qeparo, Vuno, Porto Palermo dhe Himarë, ndihem mirë. Mbi të gjitha, ndihem e lirë.

Por nëse do ju pyesnim se kë qytet shihni më të ngjashëm me vendlindjen tuaj, Firencen…?

Pa e menduar dy herë, them se Korça është mjaft e ngjashme me Firencen. Korça është një qytet shumë elegant, i sofistikuar dhe funksional, i  cili, nga një këndvështrim kulturor, më kujton Firencen më shumë se çdo qytet tjetër.

Si do ta përkufizonit marrëdhënien tuaj me gjuhën shqipe?

Flas shqip. Pra, që të jem e sinqertë, nuk flas në mënyrë të rrjedhshme. Por, e kuptoj shumë mirë dhe them se mund të jem pjesë e një bashkëbisedimi. Megjithatë, për italianët, ku përfshihem gjithashtu edhe unë, shqipja është një gjuhë shumë e vështirë për t’u mësuar.

Ju jeni gjithashtu nënë e një djali të vogël. A e keni orientuar atë drejt gjuhës shqipe?

Patjetër që po! Im biri flet me mua gjuhën italiane, ndërsa me të atin komunikon në shqip. Është mjaft interesante kur e mendon, se si një vogëlush 4-vjeçar përpiqet të flasë në dy gjuhë të ndryshme.

Sikurse u rrëfyet pak më parë, bashkëshorti juaj është nga Shqipëria. Si është të jetosh me një shqiptar? Keni ju pika ku mund të cilësoheni si të ngjashëm?

Midis kulturave tona, ka mjaft ndryshime. Megjithatë, kjo gjë nuk na ka stepur në asnjë çast. Përkundrazi, e kemi parë si diçka në favor të jetëgjatësisë së marrëdhënies sonë në çift.

Duke u nisur nga artikujt tuaj, të cilët janë një promovues i jashtëzakonshëm i historisë dhe kulturës së qyteteve dhe fshatrave shqiptarë, çfarë mendoni për turizmin në Shqipëri?

Turizmi në Shqipëri po zhvillohet me hapa të mëdhenj, por mendoj se  ka ende punë për t’u bërë. Pikë së pari, ndotja është një çështje që duhet të marrë zgjidhje sa më të shpejtë. Është problem i madh dhe është e trishtë që shumë vende të bukura të vendit tuaj, po faniten pikërisht prej plehrave. Duhet me patjetër të ndërmerren masa, jo vetëm për turistët, por në radhë të parë edhe për banorët e tyre.

Të ndalemi paksa në dy romanet tuaja, “Aroma e portokallit të Vlorës” dhe “Lulet e Kosovës”. Përse kjo zgjedhje, për t’i ofruar vëmendje Shqipërisë edhe në një format të tillë?

Romanet e mia janë rezultat i trillimit letrar, të diktuara, sikurse kuptohet qartazi, nga pasioni dhe dashuria që kam për Shqipërinë. Që në momentin e parë, kur përshkova “tokën e shqiponjave”, i premtova vetes se do të bëja gjithçka që italianët të njihnin më së miri historinë, kulturën dhe bukurinë e saj, si dhe të eleminonin paragjykimet e padrejta dhe të pabaza që, për fat të keq, zënë ende vend.

Burimi: Fjala.al