Dashnor Kaloçi

Memorie.al publikon dokumentet sekrete të vitit 1974 me korrespodencën në mes Komitetit Qëndror të PPSH-së të firmosur nga Hysni Kapo, Pirro Kondi dhe sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi, me Komitetin e Partisë së rrethit të Shkodrës,  lidhur me letrën e oficerit të kufirit, Koço Danaj, dërguar kabinetit të Enverit, ku i kërkonte që të ndalohehsin dhe të hiqeshin nga qarkullimi disa filma të huaj, si: “Rrëfimet e komisarit të Policisë”, dhe “Gruaja më e bukur” të regjizorit të famshëm italian, Damiano Damiani, dhe disa libra si…..

Brezi i shqiptarëve që kanë qenë në moshë të rritur në fillimin e viteve ’70-të e kujtojnë fare mirë se si thyheshin sportelet e biletave dhe dyert e kinemave në mbarë vëndin kur shfaqeshin filma të huaj, si p.sh. ato të regjizorit të famshëm italian, Damiano Damiani, “Gruaja më e bukur” (La Miglie Piu Bella) të interpretuar nga aktorja Ornela Muti, (asokohe 14 vjeçare) në rolin e Françeska Çimarozës dhe Alesio Orano në rolin e Vito Juvarës, apo “Rrëfimet e Komisarit të Policisë”, ku rolin kryesor e interpretonte i madhi Franko Nero, (dhe në role të tjera, Martin Balzam e Mariku Toro), filma të cilat bënë një bujë të madhe dhe u pritën me një interes të jashtëzakonshëm nga publiku artëdashës shqiptar edhe për faktin se në qëndër të filmit ishte mafia italiane e asaj kohe. Por shkëlqimi i këtyre filmave nuk zgjati shumë dhe u ventit shpejt, pasi papritur aty nga fundi i vitit 1974, si me magji, ato u zhdukën përgjithmonë nga qarkullimi për të mos u shfaqur më kurrë në kinematë shqiptare, ku bashkë me sportin, pothuaj ishin të vetmet argëtime apo më saktë “frengjitë” e vogla nga ku mund të shikohej pak bota e jashtëme nga ai realitet i izoluar dhe mbyllja në të cilën e kishte futur vëndin udhëheqja e lartë komuniste me në krye Enver Hoxhën. Edhe pse në vitet që pasuan regjizori i famshëm italian me përmasa botërore, Damiano Damiani, do të ishte përsëri “mysafir” në Shqipërinë komuniste me filmin “La Piovra” të interpretuar në rolin kryesor nga aktori i jashtëzakonshëm, Mikele Plaçido, filmat e e tij “Gruaja më e bukur” dhe “Rrëfimet e komisarit të Policisë” do të mbeteshin si një kujtim i bukur i së shkuarës dhe në memorien e të rinjëve të asaj kohe nuk do të fshiheshin lehtë portretet e aktorëve Ornela Muti, Alesio Orano, Franko Nero etj. Po ç’ kishte ndodhur me këta filma dhe përse ata nuk u shfaqën më në kinematë shqiptare ku vazhdohej të bëhej “rituali” me filma të huaja dhe ata italian gjithashtu?! Të vërtetën e kësaj, pra të ndalimit të dy filmave të Damianit që asokohe po shkelqentë me mjeshtërinë e tij në Europën e uritur për kinemanë italiane, as sot e kësaj dite nuk e di njeri, pasi, pothuaj të gjithë ata që morrën vendimin për ndalimin e atyre filmave, tashmë prej vitesh janë ndarë nga kjo jetë. Por për fat të mirë, i vetmi dëshmitar që jeton ende, është pikërisht personazhi që u bë shkas, apo më saktë ai që i “zhduku” ato dy filma nga qarkullimi, dhe bashkë me to edhe filmin rumun “Shën Tereza dhe djajt”, (të regjizorit të famshëm, Serxhu Nikolaesku ku rolin kryesor e interpretonte, aktorja, Reka Nagi, nga pakicat e minoritetit hungarez), filmin televiziv serial, prodhim çekosllavak, “Kapiteni Klos”, (titulli origjinal, “Çmimi më i lartë se jeta”), si dhe disa libra “të verdhë” si “Qeni i verdhë” (i autorit Zhorzh Simeon), etj. Ai është Koço Danaj, me origjinë nga Tepelena, personazh publik mjaft i njohur pas viteve 90-të si publicist e studjues, por edhe i mjedisve politike si kryetar i një partie të vogël, i cili në vitin 1974 kur shërbenet si oficer për Kufrin (sekretar rinie), në Degën e Punëve të Brendëshme të Shkodrës, dhe njëkohësisht anëtar i Komitetit Qëndror të Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë, i dërgoi një letër Haxhi Kroit, sekretarit të Enver Hoxhës, ku i kërkonte ndalimin e filmave dhe librave të sipërcituar. I diplomuar atë vit në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës, njohës i disa gjuhëve të huaja dhe me një formim e bagazh kulturor për t’u patur zili, (kryesisht për njohuritë e tij në letërsinë dhe kinematografinë botërore), por edhe i indoktrinuar jashtë mase, në letrën e tij dërguar në adresë të kabinetit të Enver Hoxhës, Koço Danaj, ka analizuar me detaje se përse ato filma dhe libra nuk kishin vënd në Shqipërinë Socialiste.

Pra sa më sipër, duket se nuk ishte vetëm regjimi komunist me institucionet përkatëse të propagandës që “i bënin sytë katër” për të mos “depërtuar ideollogjia e huaj” në Shqipërinë Socialiste, por “roje vigjëlente” bënin edhe individë të veçantë, si në rastin në fjalë, që nuk e kishin atë gjë detyrë funksionale. Dhe si rezultat, duket se letra e oficerit të ri, Danaj, asokohe “ka zënë vënd”, pasi filmat dhe librat që ai “sugjeronte” të ndaloheshin, jo vetëm u hoqën nga qarkullimi, por disa institucione që i kishin ato në varësi, si Kinostudio “Shqipëria e re”, “Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” apo Radio-Televizioni Shqiptar, patën mjaft probleme sepse i kishin lejuar apo hedhur ato në qarkullim. Jo vetëm kaq, por letra e oficerit të ri të Kufirit ishte e “kopsitur” aq “hollë”, sa vuri në siklet edhe vetë udhëheqjen e lartë të PPSH-së së asaj kohe, si Hysni Kapon, Piro Kondin, etj, saqë nuk dinin se si, ku dhe çfarë përgjigjie t’i jepnin atij si autor i saj?! Interesant është fakti se përse ajo letër nga kabineti i Enverr Hoxhës nuk i është dërguar për “shqyrtim” Ramiz Alisë që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën, por Hysni Kapos, i cili mbulonte organet e “Diktaturës së Proletariatit”?! Lidhur me këto e të tjera, na njeh letra në fjalë që publikohet e plotë dhe për herë të parë në faqet e ketij libri e gjithashtu ekskluzivisht për Memorie.al

LETRA E KOÇO DANAJ PER SEKRETARIN E ENVERIT, HAXHI KROI

“Qeni i verdhë”, është një roman i Zhorzh Simeonit i njohur në botën borgjeze si autor romanesh policorë, por që prek dhe tema sociale. Lidhur me figurën e këtij autori, qëndrimi i autorit të parathënies së romanit bie në kundërshtim me qëndrimin që mban një autor tjetër i huaj. Në librin “Shthurje dhe degjenerim në Jugosllavinë titiste”, të Dimitri Joiçit, thuhet se shprehje e degjenerimit të kulturës dhe letërsisë jugosllave është midis të tjerash edhe përkthimi i veprave të shkrimtarit bulevardesk, Zhorzh Simeon. Po të lexosh romanin tek filmi “Rrëfimet e komisarit të Policisë”, është krejt fallco.  Këto figura “shërbëtorësh të borgjezisë”, mund të ekzistojnë vetëm në imagjinatën e autorëve, po në asnjë mënyrë në realitetin e asaj shoqërie. Ky komisar Megre dhe Bonavia, sipas autorëve, na bënkan shumë të mira, i pari fut në burg tre afaristë borgjezë për të shpëtuar një marinar të varfër, kurse i dyti arrin dhe vret padronin e tij, manjatin e fuqishëm Lomuno.

Sa e paqenë është figura e komisarit Megre, me anë të cilit Simeoni kërkon të na mbushë mëndjen për karakterin “demokratik” të rendit boirgjez, na e tregon një film tjetër i huaj dhe pikërisht filmi “Çështja Sabiel”, në të cilën për të mbuluar vrasjet e Sabielit, mekanizmat e ndryshme shtetërore vunë në shërbim të tyre çdo gjë dhe, kur u mundua një komisar policije të zbulonte vrasjen, ai u zhduk menjëherë. Dhe kjo është e natyrëshme: diktatura borgjeze nuk mund të lërë në organet e saj njerëz që s’i shërbejnë me fanatizëm. Po kështu edhe filmi “Rrëfimet e komisarit të policisë”, që kur mbaron të duket sikur thotë “Dëgjoni njerëz, mos ngrini kokën dhe mos protestoni kundër gjëndjes suaj të vajtueshme, sepse Mafia të bën të zezën”. Për të larë borxhin, regjizori fut në skënë dhe një punëtor që gjoja proteston dhe në fund gjen vdekjen, por që në fakt s’ka asgjë të përbashkët me proletariantin, është një surrogate i tyre. Skenat makabre dhe ato të ngjethëshme për mendimin tim autorët e filmit i kanë vënë jo pa qëllim, ata kanë dashur të tregojnë forcën dhe fuqinë që marrin forcat më të zeza të reaksionit Italian në krye të të cilave qëndron banditi Almirante.

Keto ishin disa nga prodhimet e huaja që i janë dhënë spektatorit tonë dhe për arsyet e mësipërme sjellin më shumë dëm se sa dobi. Këtë gjë e them duke u nisur nga i gjithë vlerësimi që i bën Partia dhe shoku Enver armiqëve tanë dhe veçanërisht nga materialet mbi rrethimin e egër imerialisto-revizionist. Duke folur për këtë rrethim të egër dhe real shoku Enver tregon qëllimin dhe rrezikshëmrinë e tij si dhe detyrat që u dalin njerëzve tanë për ta përballuar atë.

Së pari shoku Enver thekson se; Partia me luftën kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste e ka parë…”gjithmonë si një ndër kushtet themelore për zhvillimin e pandërprerë të revolucionit dhe ndërtimit tëv socializmit…gjithashtu si si një kusht i domosdoshëm për vetë ekzistencën dhe zhvillimin e saj si parti marksiste-leniniste”.

Së dyti, shoku Enver godet rëndë mendimet dhe konceptet se armiqtë s’kanë ç’të na bëjnë , se ne jemi imunizuar nga shfaqjet e huaja etj. “…Në kushtet aktuale të rrethimit dhe të një presioni të gjithanshëm imperialist-revizionist jemi shumë larg asaj që të mëndojmë se jemi të imunizuar nga rreziqet”.

Së treti, shoku Enver jep edhe karakteristikat e diversionit të sotëm ideologjik, veçorinë e tij kryesore. “Karakteristukat e diversionit të sotëm ideologjik të borgjezisë dhe revizionizmit kundër socializmit është bashkimi në një front të vetëm i rrymave themelore kundërrevolucionare, që nga ideologjitë e mirfillta borgjeze me karakter të hapët antikomunist e deri tek oportunizmi i vjetër tradicional, që nga revizionistët modern e deri tek rrymat e sotme oportuniste të ashtuquajtura të majta…”

Së katërti, shoku Enver tregon dhe qëllimin e vërtetë të artit dhe kulturës borgjezo revizioniste, duke treguar fallsitetin e tyre mbi pretendimet për mos njohur “paragjykime sociale dhe angazhimin ideologjik”. Ky qëllim është”…ta kthejë njeriun e thjeshtë në një konsumator pasiv të ideve të helmatisura borgjeze dhe t’ja bëjë këtë konsum një nevojë e zakon. Nga kjo kulturë ne jo vetëm njohim masat dhe rininë, por atë ne duhet ta flakim me përbuzje dhe ta luftojmë me vendosmëri.

Së pesti, shoku Enver tregon dhe karakterin delikat të vlersimit të kulturës dhe të artit të huaj, rrezikuin e rënies në ksenofobi apo ksenomani. “…E tërë kjo thekson shoku Enver kërkon një punë të kujesëshme nga ana jonë të pjekur dhe të shkallëzuar, kërkon mënjanimin e qëndrimeve ekstereme që kanë për bazë ksenomaninë ose ksenofobinë, liberalizmin ose sektarizmin, mungesën e qëndrimit kritik ose të qënit brenda….”

Së gjashti, shoku Enver jep edhe porosinë e vlefshme për t’i luftuar shfaqjet e huaja që në embrion. Ai thekson se “…shoqërinë tonë të shëndoshë e shqetësojnë dhe duhet ta shqetësojnë gjithnjë fenomene të tilla edhe sikur këto të jenë fare të pakta, për arsye se ne luftojmë që të ruajmë pastër e të shëndoshë ndërgjegjien dhe figurën morale të çdo njeriu, për të ruajtur të pastër gjithë shoqërinë tonë socialiste….”

Së shtati, shoku Enver jep dhe përcaktimin klasik të mënyrës borgjezo-revizioniste të jetesës, shfaqjet ëm tipike të të cilit janë individualizmi dhe egoizmi i shfrenuar, boshllëku dhe vaniteti, rendja pas luksit dhe plotësimit të gjithëfarë tekash, shthurja dhe degjenerimi, parazitizmi dhe kriminaliteti që janë bërë plagë të pashërueshme morale dhe sociale të shoqërisë së sotme kapitalisto-revizioniste”.

Duke u nisur nga këto mësime të çmuara të shokut Enver, mendoj se Kinostudio dhe Televizionit, kur nxjerrin filma të huaj në qarkullim, harrojnë në disa raste porosinë e udhëheqësit tonë që thotë se; ”….duhet të kemi parasysh kurdoherë dhe në çdo hap që bëjmë nëse kjo u shërben dhe sa u shërben formimit dhe edukimit të njerëzve tanë, ndreq apo prish atë që Partia po e ndërtonm çdo ditë, çdo orë…”

Po kështu shokët e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” me disa botime liberale të huaja harrojnë përsëri porosinë e shokut Enver se çfarë duhet të përkthejnë nga letërsia botërore. “Ne duhet të zgjedhim – thotë shoku Enver – ata autorë dhe ato libra që janë nga më përparimtarët, nga më revolucionarët dhe të momenteve revolucionare”. Por, duke harruar këtë porosi, ata në disa raste i japin prioritet anës materiale, realizimit të planit, duke mos parë dëmin e tyre në fushën ideologjike.

Mendimi im është se shfaqja e disa filmave dhe përkthimi i disa librave të huaja më shumë i shërbejnë armikut se sa neve, me këto ndodh ashtu si thotë partia jonë që shkallmojmë natën atë që ndërtojmë ditën.

Unë mund të mos kem plotësisht të drejtë në vlersimin e këtyre prodhimeve të huaja, helmi atje mund të jetë fare i pakët, megjithatë partia na mëson se duhet të shqetësohemi dhe për më të voglat për të ruajtur të pastër shoqërinë tonë socialiste. Atehere kur ne kemi të qartë porosi të tilla përse të marrim filmin, pavarësisht nga idetë që ka dhe t’ja japim si ushqim shpirtëror spektatorit? A i prishim kështu punë Partisë, luftës që bën ajo për të përballuar rrethimin imperialisto-revizionist? Për mendimin tim, i prishim.

Partia neve na ka bërë të qartë se periudha e rrethimit është një periudhë e jashtëzakonëshme. Duke u nisur nga ky mësim i partisë del konkluzioni se edhe kërkesat e njërëzve ndaj vetes dhe punës duhet të jenë të jashtëzakonëshme, vigjëlenca për të mos depërtuar asnjë “pilulë” helmi të jetë po ashtu e jashtëzakonëshme. Këtë mësim të çmuar të Partisë, institucionet e përmëndura më lart nganjëherë e nënvlehftësojnë ose nuk e kanë kuptuar siç duhet.

Këto ishin, shoku Haxhi, problemet që unë mendova t’i shtroj në këtë letër dhe jam munduar t’i shikoj me syrin e Partisë dhe të marksizëm-leninizmit, por nuk di nëse kam të drejtë apo jo për këto çështje. Prandaj do t’ju lutesha a ka mundësi të më sqarojë partia për këto problem, jam unë me këto mendime që kam për veprat e lartëpërmëndura plotësisht në vijën e Partisë apo mendimet e mia janë të gabuara.

                                       Koço Danaj

                                 Dega e Punëve të Brendëshme

                                          Shkodër

………………………………………………………………………………………………………………………………………

SHENIMI I HYSNI KAPOS PER PIRO KONDIN LIDHUR ME LETREN

Shoku Piro

 E shifni këtë letër me kujdes, bisedoni me shokët, çfarë konkluzione nxirrni? Çfarë mendime kini?

Nëse vërejtjet e këtij oficeri të ri janë të drejta, të paktën duhet t’i bëjmë përgjigjie dhe të mbahen parasysh.

Më raportoni

  30.XII.1974                         Hysni Kapo

…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

SHENIMI I SEKRETARIT TE ENVERIT, HAXHI KROI, PER LETREN

Autori i kësaj letre, Koço Danaj, që ma dërgon mua si sekretar i shokut Enver është një i ri nga Tepelena nga familje e mirë. Eshte anetar i Komitetit Qëndror të Rinisë që ka kryer vitin e kaluar fakultetin e Filozofisë. Tani është oficer në organet e punëve të brendëshme në Shkodër ku punon me rininë e forcave të Kufirit.

Ai shpreh shqetësimin lidhur me disa nga filmat me përmbajtje të huaj që shfaqen dhe me disa botime që janë bërë e bëhen tek ne. Koço Danaj, në frymën e materialeve të Partisë dhe të fjalimeve të shokut Enver, analizon drejt më duket përmbajtjen e disa filmave dhe librave të përkthyera që më parë ka lexuar.

Mendoj që letra t’i dërgohet Komitetit të Partisë në Shkodër për ta sqaruar të interesuarin për shqetësimet e tij.

27.XII.1974                        Haxhi Kroi

………………………………………………………………………………………………………………………………………………

LETRA E PIRO KONDIT PER HYSNI KAPON LIDHUR ME LETREN

Shoku Hysni

Problemet që ngre në letrën e vet Koço Danaj për disa filma dhe vepra letrare janë të drejta. Veprat u ripanë e u studjuan dhe njëherë prandaj dhe përgjigjien e vonuam. Kinostudjua dhe Televizioni e kanë rishikuar në tërësi tërë fondin e filmit. Veprat për të cilat bëhet fjalë në letër u shikuan dhe veçanërisht. Lidhur me filmat, për të cilat bëhet fjalë, janë marrë masa: “Shën Tereza dhe djajt”, “Gruaja më e bukur” si dhe filmi televiziv çek, për të cilin bëhet fjalë, janë hequr nga qarkullimi. Filmi “Rrëfimet e komisarit të policisë”, ka disa kufizime ideore, por ka edhe vlera demaskuese. Shokët e Kinostudios po i bjënë disa shkurtime dhe do ta shoqërojnë me një shënim kritik, pastaj mendojnë ta hedhin prap në qarkullim.

Libri “Komisari i Policisë” ka gjithashtu gabime ideore dhe nuk duhej përkthyer.

Për të njoftuar autorin e letrës, meqënse ai punon në Shkodër, lajmëruam Komitetin e Partisë të atij rrethi ta thërrasë atë, ta falenderojë për interesimin e t’i tregojë se vërejtjet që bën janë të drejta e u morën masa. Atë e thirri shoku Sotir Kamberi.

Tiranë, më 14.4.1975                        Pirro Kondi

Marrë nga portali Memorie.al