Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të para viteve ‘90—të, me ndonjë përjashtim të rrallë, asnjë nga “personalitetet” e udhëheqjes së lartë, si p.sh., anëtarët e Byrosë Politike apo Komitetit Qëndror të PPSH-së, nuk merrej me shkrime të karakterit letrar apo publicistik nëpër gazeta apo revista, ndërsa për libra as që bëhej fjalë. Përjashtim bënin Myslym Peza dhe Shefqet Peçi, dy nga më të moshuarit e udhëheqjes së lartë, të cilët edhe për shkak të moshës, nga fundi i viteve ’70-të dhe fillimi i viteve ’80-të, Partia i kishte “sistemuar” si nënkryetarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, ku ata kishin dhe kohën e mundëshme “për të shkruar”.

Kështu, ndërsa Myslym Peza kishte “shkruar” një libër me kujtime “Kur dhashë besën”, Shefqet Peçi kishte botuar ndonjë libër me poezi apo me “tregime nga Lufta Nacional-Çlirimtare”, gjë të cilën ai e vazhdoi deri në shëmbjen e regjimit komunist. Ndërsa për librin politik, ai filloj në vitin 1966, kur me vendim të sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, u vendos që të botohej: “vepra e zgjedhur e shokut Enver Hoxha”, ku një pjesë e fjalimeve të tij të mbajtura ndër vite, apo raportet nëpër kongrese, pleniume etj, u morrën dhe pas përpunimit nga ana e

Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste (që drejtohej nga Nexmije Hoxha), u botuan në seri dhjetra vëllime, deri në shëmbjen e regjimit komunist. Po kështu, përveç Enverit, në gjallje të tij botoi disa libra edhe Mehmet Shehu, (kryesisht me tregime nga Lufta Nacional-Çlirimtare), kurse pas vdekjes iu botuan disa libra edhe për Hysni Kapon e Gogo Nushin. Dhe të gjithë këto botime, siç theksuam pak më lart, ishin nën kujdesin dhe kontrollin e rreptë të Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste, ku çdo gjë shikohej “me lupë” nga Nexhmija e njerzit e saj besnikë që ishin aty. I vetmi nga udhëheqja e lartë që i kishte “shpëtuar” këtij kontrolli, ishte Fadil Paçrami, i cili që në vitet ’60-të shkruante rregullisht në shtypin letrar, ishte autor i disa librave, kryesisht me drama, dhe deri në vitin 1973, ai konsiderohej edhe si një nga dramaturgët më prodhimtarë për vënien në skenë të dramave të tija.

Pikërisht për shkak të shkrimeve, apo siç thuhej asokohe “njeri i letrave”, Fadil Paçrami ishte bërë shumë i njohur dhe kishte një autoritet të madh nga e gjithë udhëheqja e lartë. Si rezultat, edhe pse ai ishte vetëm anëtar i Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës për Propagandën, deri në vitin 1973, emri i tij ishte shumë më i njohur dhe ai gëzonte një popullaritet shumë më të madh, edhe se pjesa më e madhe e anëtarëve të Byrosë Politike. Por kjo anë pozitive e Fadil Paçramit si dramaturg, shkrimtar dhe publicist, kishte dhe anën tjetër të medaljes, xhelozinë. Dhe kjo, si nga kolegët e tij shkrimtarë dhe artistë, ashtu dhe nga “shokët e udhëheqjes”, madje thuhet se nga vetë Enver Hoxha. Gjë e cila u vërtetua plotësisht në fillimin e vitit 1973, kur Enveri kritikoi dhe goditi Festivalin e 11 Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion, duke akzuar fillimisht Todi Lubonjën dhe më pas edhe vetë Fadilin, ku një nga akuzat që i bëri atij, ishte: “Fadili nuk merrej me punët që i kishte ngarkuar Partia, por vetëm me dramat e tij”.

E gjitha kjo përkthehej ndryshe si një xhelozi e dikatorit komunist ndaj Paçramit, por para se të arrinte viti 1973, cmira ndaj Paçramit kishte filluar pak më herët…?! Gjë e cila veç të tjerash duket edhe nga ky dokument arkivor i vitit 1970, ku Pipi Mitrojorgji, asokohe instruktor në Komitetin Qëndror të PPSH-së për letërsinë dhe artet, i ka nisur eprorëve të tij të udhëheqjes së lartë, (Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë) një letër me “disa vërejtje rreth diskutimit të shokut Fadil Paçrami në Pleniumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve mbi dramaturgjinë”. Ky dokument, më shumë se sa ashtu që është titulluar, “disa vërejtje”, është një denoncim i pastër dhe një hakmarrje ndaj Paçramit, pasi ai (Fadili) pak kohë më pare

kishte bërë një shkrim kritik në gazetën “Drita”, kundër Llazar Siliqit dhe Pipi Mitrojorgjit. Gjë e cila mund të shihet edhe si një “luftë konkurentësh” apo klanesh ndërmjet njërëzve drejtues të artit e kulturës, ku Siliqi dhe Mitrojorgji, duket se nuk e kanë duruar dot fodullëkun që thuhej se e karakterizonte Paçramin në raportet me kolegët e tij shkrimtarë.

Dhe në këtë kontekst, përveç Paçramit, në shkrimin e tyre ata kanë hedhur shigjeta kritike edhe ndaj disa kolegëve të tyre shkrimtarë, si Kujtim Spahivogli, Dhimitër Xhuvani, Kiço Blushi, Vath Koreshi etj, të cilët Fadili i vlersonte si e ardhmja e dramaturgjisë shqiptare. Sidoqoftë këto gjëra mbeten për t’u parë dhe “rakorduar”, edhe me dokumente të tjera që publikohen në faqet e këtij libri dhe jo vetëm, pasi shumë nga këto “kritika” që i bëheshin Fadil Paçramit në vitin 1970, në 1973-in u përkthyen në akuza ndaj tij, ashtu dhe atyre kolegëve të tij shkrimtarë, si Spahivogli, Xhuvani, Radi, e deri te Kiço Blushi, të cilët siç dihet tashmë, patën jo pak probleme dhe peripeci. Ndërkaq, ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe ky publikohet plotë dhe pa asnjë shkurtim.

DISA VEREJTJE

RRETH DISKUTIMIT TE SHOKUT FADIL PACRAMI NE PLENIUMIN

E LIDHJES SE SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE MBI DRAMATURGJINE

1.Diskutimi përshkohet nga disa nota shqetësuese, frike dhe alarmi për gjëndjen e dramaturgjisë e teatrit dhe t’ë ardhmen e tyre. Ai thotë:

-“Të pushojnë kërkesat për drama pa konflikt, drama limonadë, drama pa telashe”.

-“Të marrin fund shqetësimet e frika se kur në dramë konflikti është i ashpër dikush do ta pësojë”.

-“Të marri fund kërkesa absurd dhe jo nga pozita klasore që në fund të gjithë rregullohen, e cila është një kërkesë për të dobësuar dhe zbutur konfliktet”.

-“Të marrë fund thirrjet për kompromise në art”.

-“Siç venë punët është bërë çështje trimërie të ngjitesh në skenë dhe me shumë munde, kohë e sidomos nerva, harxhojmë e prishim kur na vihet në skenë një pjesë se sa kur e shkruajm”.

Po kujt i drejtohen këto thirrje për t’i dhënë fund kësaj dhe asaj çështjeje? Kush duhet të pushojë kërkesat për këtë dhe atë çështje? Kush ja krijon këto shqetësime?

-Po ta gjykojmë çështjen për shokun Fadil si dramaturg duhet thënë se çdo gjë që i ka dhënë teatrit i është vënë në skenë, bile është autori që ka më shumë pjesë në repertorin aktiv të teatrove tona. Venja në skenë është bërë duke kontrolluar vetë çdo fazë përgatitore deri në provën e përgjithëshme. Pra, s’ka nevojë të përdoren trimëritë për t’u ngjitur në skenë. Në qoftë se ka harxhuar kohë këtë e ka bërë se ka dashur të ndërhyjë në shumë çështje të regjisë apo teatrit.

-Po ta gjykojmë çështjen për dramaturgjinë në tërësi, përsëri duhet thënë se për vënien në skenë të dramave, kemi pasur raste që ato janë zvarrisur, që autorëve të tyre u janë bërë kërkesa të padrejta, ashtu siç kemi pasur edhe raste që janë vënë në skenë drama të dobta ideologjikisht. Por në përgjithësi dramat janë vënë në skenë dhe nuk ekziston problem i nënvleftësimit të dramaturgjisë tonë. Në dekadën e fundit ajo u bë predominuese absolute e skenës tonë. Një shembull konkret: nga 104 dramat e paraqitura në konkurs, 20 janë çfaqur para dorzimit, 25 janë marrë nga teatrot për t’i vënën në skenë. Të tjera u janë kthyer autorëve me verejtje nga zhuria për ripunim ose si të pa arrira. Pra kemi një situatë normale.

Atëhere cilat janë arsyet që kanë shkaktuar “prishjen e nervave…” të dramaturgëve? Këto arsye sipas shokut Fadil janë:

-“Pikpamjet teknokratike, çfaqjet tipike të burokratizmit të zyrave të drejtorëve, të mbledhjeve të ngushta e të gjëra, të komisjoneve e grupeve që merren me meremetimin e dramave”.

-“Inkurajimi që u bëhet teatrove në këtë rrugë nga Ministria e Arsim-Kulturës”.

-“Kritikat dhe mendimet diamtetralisht të kundërta që çfaqen për veprat letrare e artistike në përgjithësi dhe ato dramaturgjike në veçanëti”.

A janë të justifiukuara këto shqetësime, a ka një situatë të tillë të frike për të cilën është dhënë alarmi, dhe a është e vërtetë kërkesa për drama me konflikt, pa telashe, kërkesa me “absurditete nga pozita jo klasore në art”? A ka vërtet inkurajim nga Ministria për këto çështje të shtrembëra? Mendimi im është se problem problem të kësaj natyre ka. Në drejtorinë e teatrove e deri në Ministri mund të ndeshesh me koncepte

burokratike, mungesë iniciative e guximi krijues, rutinë e qëndrime konformmiste. Në pleniumin e fundit të Lidhjes mbi dramaturgjinë në përgjithësi u vunë mirë në dukje si përparimet ashtu dhe problemet e sotme.

Por ndërsa në plenium u shtruan çështjet duke i parë nga të dyja anët, diskutimi i shokut Fadil është i nëjanshëm dhe tendenca e përmbajtjes së diksutimit nuk është pozitive. Ai (shoku Fadil), shikon kryesisht të metat, dhe i zmadhon ato. Në shkallën që ngrihen dhe në formën si ngrihen, lihet përshtypja se në praktikë shtrembërohet vija e partisë në art, se preket lirija e krijimit të dramaturgëve nga kërkesat e pa drejta të teknokratëve, se krijimi i artit revolucionar pengohet nga thirrjet për “kompromise në art”, etj.

Në marrëdhëniet e teatrit me dramaturgjinë, problem shtrohet përsëri i nëjanshëm, shikohet konflikti që ekziston midis tyre dhe nuk përmënden fare mundësitë reale që ekziston në fakt për zgjidhjen e kontraditave. Bile lihet përshtypja e kundërvënies së teatrit ndaj dramaturgjisë, e organeve shtetërore ndaj dramaturgëve. Fërkime të kësaj natyre midis teatrove e dramaturgëve ka pas e do të ketë vazhdimisht, për vetë natyrën e ndërlikuar të artit, por tek ne këto konflikte zgjidhen mbi bazën e partishmërisë klasore, të qëllimeve të njëjta që kanë si dramaturgët ashtu dhe teatrot.

Shoku Fadil thotë se foli në plenium si dramaturg. Por si mund të ndahet ai nga funksionet shumë të rëndësishme partie, nga përgjegjësia e sekretarit të Partisë për propagandën në kryeqytet, ku çfaqen më të theskuara këto probleme? Në fakt duke dash të largohet nga pozita e sekretarit të Komitetit të Partisë për Tiranën, ai bën një gabim tjetër, la pa përmëndur fare punën, përgjegjësinë dhe rolin e organizatave të Partisë për zgjidhjen e këtyre problemeve. Një diskutim i tillë prej “dramaturgu” e privoi pleniumin nga një diskutim shumë më i nevojshëm orientues, nga një kuadër partie me përgjegjësi si Fadili që t’i shtronte problemet në një prizëm parimor e direktiv.

2) Në diskutimin e shokut Fadil disa çështje ngrihen në planin teorik. Por këto çështje teorike përshkohen nga kontradita të brendëshme.

-Së pari: çështja parimisht e drejtë për revolucionarizimin e mëtejshëm të teatrit shtrohet për të argumentuar idenë e tij se “nga njëherë shikohen shtrembër dhe me frikë nga këto dy ide:

revolucionarizimi i mëtesjshëm i teatrit dhe lufta që duhet bërë për krijimin e teatrit të ri”. A ekziston vërtet një mendim i tillë? A shikohen vërtet shtrembër dhe me frikë këto dy ide nga punonjësit e teatrove dhe dramaturgët? Në qoftë se kjo është e vërtetë jemi para një problem shujë serioz. Por unë nuk mendoj se ekziston një problem i këtillë. Tek ne dhe tek të tjerët sigurisht që ka akoma njolla, shije e koncepte konservatore, ashtu siç ka edhe koncepte liberale për këtë ose atë çështje të veçantë të dramaturgjisë apo të skenës. Por në përgjithësi nuk ekziston frikë dhe as shikohen shtrembër idetë për revolucionarizimin e mëtejshëm të artit teatral që ka shtruar partia.

Janë të drejta mendimet që thuhen për teatrin e ri për karakterin e tij klasor për ndryshimin esencial nga teatri borgjez reaksionar. Por problem siç shtrohet, nuk ekziston, veç kësaj më duket së në konkluzionet për krijimin e teatrit të ri flitet vetëm për njërën anë, për mohimin e së vjetrës dhe nuk përmëndet baza ekzistuese mbi të cilën ngrihet e reja. Pra shtrimi i problemit të raportit midis së resë dhe traditës nuk është bërë mbi baza të shëndosha, dialektike.

-Së dyti, tre çështjet e tjera që ngrihen në planin teorik mbi vërtetësinë historike në art, mbi kuptimin e emancipimeve në art dhe mbi thellimin e personazheve duke qenë se baza mbi të cilat ngrihen është drama “20 ditë” (pra një bazë subjektive) edhe argumentet çalojnë. Pa folur për anallogjitë e padrejta, për njëanshëmritë e gjykimit të çështjeve etj. Mendimi im është se është i gabuar konkluzioni që nxjerr ai se gjoja idetë e artikullit të kritik të Llazar Siliqit e Pipi Mitrojorgjit mbi dramën “19 ditë”, (ose “20 ditë”), autori është larguar nga vërtetësia historike, ka rënë në racionalizëm e në formalizëm. Eshte vërtetuar tashmë se kur nuk respektohet vërtetësia historike, vëndin e të vërtetës historike e zë gënjeshtra e cila futet në psikologjinë e personazheve në veprimet e tyre në karakterin e tyre. Largimi nga e vërteta historike i hap rrugën arbitraritetit dhe spekullimeve formaliste nën etikën e novatorizmit. Kjo çështje është shpjeguar shumë mirë nga shoku Enver në fjalën e tij para konferencës së 17 të Partisë të Tiranës në dhjetor 1968.

Gjithashtu nuk është fjala se çfarë lloj emocionesh krijoin drama e shokut Fadil, por për atë që drama e tij duke qenë thjesht reacionale nuk krijon emocione. Mendimi i dramës në vet vete nuk mund të krijoj emocione. Emocionet krijohen nga mendimi

artistik, d.m.th. kur mendimi i veprës artistike ngrihet në art, kur vishet me figurën artistike, kur kjo figurë artistike përputhem me mendimin dhe i jep këtij një aftësi penetruese të veçantë, aftësinë për të hyrë jo vetëm në mëndjet dhe zëmrat e njerëzve, të ndikojë dhe transformojë jo vetëm idetë, por dhe ndjenjat.

Nuk bëhet fjalë as për atë që shtron shoku Fadil se Llazari dhe Pipi janë kundër dramës së re, por që brendia e dramës së re, idetë e revoluciont tonë, që bart kjo dramë e re, të krijoj tek njerzit emocione të reja socialiste të thella, të fuqishte të qëndrueshme. Në trajtimin e kësaj çështje, ai thoptë: “Veçoria e artit tonë, pra edhe e teatrit, duhet të jetë pikërosht kjo: Vënia në themel të tij idetë e mëdha të kohës”. Kjo është plotësisht e drejtë. Por ne nuk mohojmë veçoritë e artit dhe kur vëmë me të drejtë theksin tek idetë, nënkuptojmë veshjen e tyre me figurën artistike. Idetë e kohës sonë duke qenë të mëdha kanë një forcë të madhe emocionuese e frymëzuese.

Krijimtaria e shokut Fadil ka mjaft anë pozitive. Ajo dallohet për kudesin e veçantë që i kushton evidentimit të mendimit filozofik të ngajrjeve. Në dramat e tij vihet re qartë ballafaqimi i konflikteve, guximi në trajtimin e tyre, tendenca e shëndoshë për të shëndruar skenën në një arenë lufte ideollogjike me përpjestime të gjëra. Por krahas këtyrev anëve të tjera pozitive, dramat e shokut Fadil vuajnë nga një e metë serioze, nga dobësia e figurave artistike, nga dobësia e veshjes së mendimeve me element të domosdoshëme artistike që e pasuurojë dhe e fuqizojnë, dhe kristalizojnë më mirë idenë. Këtë të vërtetë nuk don ta pranojë dhe kujton se këtu qëndron një nga dobësitë kryesore të tij si dramaturg. Krijimtaria e shokut Fadil ka nevojë për më tepër frymëzime artistike, fantazi krijuese dhe talent letrar.

3) Diskutimi i shokut Fadil ka një notë të fortë pakënaqësie ndakj kritikës letraro-artistike. Veç artikullit kritik mbi dramën “20 ditë”, ai është i pakënaqur edhe me kritikën ndaj dramës “Njollat e murrme”. Sipas tij, kritika nuk ka ndjekur thelbin e çështjes. Unë mendoj se kritika e ka thënë mirë fjalën e saj për dramën “Njollat e miurrme”, Nga gabimet e kësaj drame dhe analizat që iu bënë mësuan shumë gjithata që kanë dashur të mësojnë. Artikulli i botuar në “Zëri i Popullit”, u prit shumë mirë, veç të tjerave dhe nga fryma parimore dashamirëse që e përshkonte, nga ndjenja e masës në vlersimin e gabimeve ideore. Por kjo pakanëaqësi e shokut Fadil ndaj kritikës letrare rrjedh

nga disa qëndrime që nuk përputhen me mendimet e tij, dhe kjo e çudit dhe e revolton. Shoku Fadil është për ballafaqimin e mendimeve, por jo me mendime që i kundërvihen vlersimeve të tij. Prej diskutimit të tij mbi këtë temë lihet përshtypja sikur njolla, koncepte ideo-estetike jo plotësisht socialiste e shije jo gjithmonë të shëndosha, ka tek të tjerët, por jo tek ai, sikur mendimet e tij janë absolute. Ky qëndrim e çon në subjektivizëm siç është rasti i vlersimit prej tij të filmit “Gjurma”, për të cilin trillon konfliktin e tre brezave. Që të ekzistonte ky konflikt duhej që të tre personazhet, doktora të filmit të viheshin në konflikt midis tyre kurse në film nuk ekkzistion një gjë e tillë. Mosha të ndryshme ka dhe do të ketë në çdo vepër artistike, por kjo nuk do të thotë se ka automatikisht konflikt brezash.

Kritika jonë letrare e artistike ka të meta e dobësi, ka dhe qëndrime jo të drejta, vlersime të gabuara, problem ideore edhe të asaj natyre që shtron edhe shoku Fadil. Por rritja e nivelit të kritikës do të bëhet duke e orientuar atë drejtë, në bazë të mësimeve të Partisë e të shokut Enver, e jo të pikpamjeve tona subjektive. Ajo do të rritet duke gjallëruar duke respektuar mendimin e tjetrit kur nuk është i gabuar në vijë, e jo duke e kufizuar ose duke imponuar asaj mendime të njëanëshme.

4). Më duket i shpejtuar enthuziazmi që çfaq shoku Fadil për Dhimitër Xhuvanin, Kiço Blushin, Kujtim Spahivoglin, Ferdinad Radin, Vath Koreshin etj, të cilët megjithjqë sapo kanë shkruar një ose dy drama, cilësohen si element shumë inkurajues për të ardhen e dramaturgjisë dhe teatrit tonë”.

28.8.1970 Pipi Mitrojorgji

(Ky shkrim botohet në shenjë homazhi për shkrimtarin, dramaturgun, skenaristin dhe publicistin e njohur, Kiço Blushi, i cili më dt.9 shkurt 2019, u përcoll për në banesën e fundit)

Burimi: GazetaTema.net