Dashnor Kaloçi – Furtuna e madhe dhe represioni i egër që nisi në fillimin e vitit 1973 ndaj shkrimtarëve dhe artistëve si dhe gjithë institucioneve kulturore e artistike fillimisht në Tiranë dhe më pas në të gjithë vendin, gjë e cila e kishte marrë shtysën nga Festivali i 11 i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar dhe kishte nisur menjëherë pas fjalës së Enver Hoxhës mbajtur më 15 mars në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, dukej se nuk do të ndalej lehtë dhe do vazhdonte pandërprerje deri nga fundi i atij viti.

Veç të tjerash kjo gjë behet e ditur edhe nga këto dokumente arkivore që po publikojmë në këtë kapitull të këtij libri, të cilat i përkasin dhjetorit të vitit 1973, ku zëvendës ministri i Arsim-Kulturës, i asaj kohe, Mantho Bala, informon udhëheqjen e lartë të PPSH-së dhe personalisht Ramiz Alinë, (sekretar i Komitetit Qendror që mbulonte, propagandën dhe artin e kulturën), lidhur me disa probleme të karakterit ideo-artistik që kanë dalë në repertorin e disa teatrove dhe estradave profesioniste të qyteteve kryesore dhe më të mëdha të vendit.

Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, analizës që i bën zv/ministri i Kulturës disa pjesëve teatrore në gjininë e dramës dhe komedisë, të autorëve të njohur si: Namik Dokle, Spiro Urumi, Loni Papa, Ramiz Lika dhe Mexhit Prençi, i paraprin një shkresë zyrtare e Jakup Matos, (asokohe instruktor në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së për Artin e Kulturën), ku midis të tjerash i bëhet e ditur udhëheqjes së lartë mbi dramat që do të ripunoheshin dhe do të dorëzoheshin brenda atij viti.

Por ndryshe nga shumë dokumente të tjera të kësaj periudhe kohore dhe që i kemi publikuar edhe në kapitujt e tjerë të këtij libri, Ramiz Alia nuk ka bërë shënime mbi to, por vetëm sa ka vënë firmën e tij, gjë që tregon se dokumenti është parë prej tij.

Ndoshta kjo me shumë gjasa ka ardhur edhe prej emrave të dramaturgëve të përmendur në dokumentin në fjalë, pasi ata nuk konsideroheshin problematikë në krijimtarinë e tyre.

Por edhe prej kësaj, veprat teatrore në gjininë e dramës apo komedisë që ata kanë paraqitur, janë ndalur apo janë pezulluar vëniet e tyre në skenë. Ashtu si pjesa më e madhe e dokumenteve në këtë libër, edhe këto publikohen të plota.

LETRA E JAKUP MATOS PER RAMIZ ALINE
Shokut Ramiz
Për të nxitur krijimtarinë në fushën e teatrove, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Ministria organizuan dje, (më 21.XII) një takim me disa dramaturgë. Autorët që morrën pjesë në këtë takim u zotuan konkretisht për një sërë veprash. Duke përfshirë në këtë numër edhe dramat që do të ripunohen brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, do të dorzohen në teatro rreth 25 drama.

22.XII.1973 Jakup Mato

…………………………………
I N F O R M A C I O N MBI DISA VEPRA DRAMTAIKE ME SHQETESIME IDEORE, TE CILAT 
U PARANDALUAN TE VIHEN NE SKENE NE TEATROT TONA
Me gjithë përmirësimet që u shënuan këtë vit në punën e teatrove në frymën zbatimit të detyrave që rrjedhin nga fjalimet e shokut Enver dhe Pleniumit të 4-të të Komitetit Qëndror, kemi akoma dobësi dhe të meta sidomos në sigurimin e repertorit, organizimin dhe forcimin e disiplinës proletare, rritjen e nivelit artistik etj.

Për t’i ndihmura nga afër teatrot dhe për të ushtruar më mirë kontrollin shtetëror mbi veprimtarinë e tyre, gjatë muajit nëntor-dhjetor dërguam ekipet e Ministrisë në 6 teatrot (me dy përfundojmë tani së shpejti). Në të njëjtën kohë thirrëm në raport para kolegjumit të Ministrisë, shefat e seksioneve dhe drejtorët e teatrove të Korçës, Durrësit dhe Elbasanit për zbatimin e detyrave të pleniumit të 4-të të Komitetit Qëndror të Partisë.

Problemi më i mprehtë për të gjithë teatrot është repertori, mungesa e pjesëve të reja. Megjithëse si numër atyre u janë dërguar mjaft pjesë por kanë aprovuar pak.

Që prej muajit gusht e deri në nëntor të këtij viti teatrot shqyrtuan rreth 70 vepra origjinale (dramë e komedi). Rreth 53 vepra janë krijuar gjatë këtij viti, ndërsa 17 janë përfunduar një vit më parë por autorët i ripunuan sërishmi ato mbi bazën e vërejtjeve të bëra si nga teatrot dhe organet botuese.

Nga e gjithë kjo veprimtari dramaturgjike, teatrot zgjodhën për të vënë në skenë 7 vepra. Disa autorë janë duke i ripunuar me qëllim që të forcohet përmbajtja dhe niveli ideo-artistik i tyre.

Gjatë shqyrtimit, teatrot janë ndeshur me vepra të dobta të parealizuara si nga brendia dhe forma artistike. Në mes tyre (në numër të kufizuar) ka pasur edhe vepra me shqetësime të karakterit ideor, si forcimin e konfliktit, e aktualizmit më artistik dhe çlirimin e disa skenave nga naracionet.

Me rishqyrtimin që i bëri më vonë drejtoria dhe Komiteti Ekzekutiv në bashkëpunim me Komitetin e Partisë, zbuluam të metat ideore të dramës dhe anulluam fillimin e punës për vënien e saj në skenë. Këto veprime i analizoi dhe organizata bazë dhe kolektivi i teatrit.

Gjithashtu ishte gabim botimi i kësaj drame në Nr. 11 të revistës “Nëndori”. Organizata e Partisë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve analizoj përgjegjësinë e kuadrove të revistës dhe ka propozuar masa rigoroze ndaj shokëve përgjegjës.
Drejtorisë Politike të Ushtrisë i është rekomanduar që zhuria e konkursit të mblidhet, të analizojë përgjegjësinë dhe të anullojë vendimin që i dha veprës çmimin e dytë.

2). Drama “Grushti i fundit” e Namik Dokles. Të metat e saj janë të karakterit ideo-artistik. Autori duke u marrë me temën e Luftës Nacional-Çlirimtare ka vënë në qëndër të veprës figurat e oficerëve të Gestapos dhe zbatimin e planit të tyre për të përdorur kompromisin: shkëmbimin e 5 shokëve tonë të burgosur me veten e tyre, në rast se do të kapen nga forcat partizane.

Në gati 65 faqe tekst të dramës, autori na e përshkruan presionin e shantazhet psikollogjike të oficerëve të Gestapos ndaj shokëve të tyre, për t’i thyer ata që të tregojnë rrugën e kalimit përtej kufirit tonë. Jo njëherë oficerët e Gestapos i nxjerrin të arrestuarit para pushkatimit, u zbrazin mbi kokë breshëri automatikësh, sillen si sadist ndaj një shoqeje e cila ka mbetur shtatëzanë.

Drama është ndërtuar mbi ankthin, llahtarionë dhe depresionet psikologjike. Qëndresa e të arrestuarëve megjithëse nuk thyehet, mbetet passive, pasi ata të gjithë kohën janë me duar të lidhura dhe para kërcënimit të automatikëve.

Autori duke u marrë kryesisht me këto anë, len mënjanë theksimin e çështjes më tipike, karakterin e luftës sonë, rolin e Partisë sonë në këtë luftë si dhe kontributin e shquar të popullit për shpartallimin e forcave nazi-fashiste, duke u mbështetur kryesisht në forcat e veta.

Drama u aprovua nga drejtoria e këshillit artistik i Teatrit “Migjeni”, por nuk kishte filluar puna më të për vënien në skenë. Autorit i qenë bërë disa vërejtje të pjesëshme dhe kryesisht të karakterit artistik. Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit kishte formuluar disa shqetësime ideore për të. Me vajtjen e ekipit të Ministrisë, vepra u studjua dhe u analizua në drejtorinë e Këshillit Artistik, pastaj u shtruan vërejtjet, bënë autokritikë dhe u vendos që vepra të mos vihet në skenë.

Edhe autori i veprës i pranoj vërejtjet thelbësore për dramën.

3. Trupa e estradës profesioniste e Shkodrës para një muaji kish filluar punën për vënien në skenë të komedisë së Dionis Bubanit, “Miku i Namikut”.
Në këtë komedi vihen re disa shqetësime që kanë të bëjnë me moskuptimin dhe trajtimin e drejtë të kontradiktave të zhvillimit tonë të brendshëm, me karakterin e tipikes, dhe rolin pohues në veçanëtinë e kësaj gjinie satirike. Gabimi esencial i autorit qëndron në faktin se ai tipizon si figurë negative dy nga personazhet kryesorë të komedisë: Veliun-drejtor në dikaster qëndror dhe, Namikun-drejtor në një ndërrmarrje ekonomike socialiste të kryeqytetit. Si Veliu dhe Namiku, nuk mbartin asgjë pozitive, por janë pikturuar me anët më të zeza. P.sh. Namiku na jepet si shpërdoruesn në detyrën e tij. Ai dëmton e shpërdoron pasurinë socialiste. Për të mos zbuluar veten, ka pushuar nga puna kryellogaritarin dhe në vëndin e tij ka emëruar shoqen e Veliut, Sabirenë. Ky “drejtor”, më shumë bredh plazheve me maqinën e shtetit, se sa qëndron në drejtimin e ndërrmarrjes. Përveç këtyre, autori na e bën Namikun edhe një poet ultra modernist, vjershat e të cilit botohen në faqen letrare të gazetës “Rinia”. Në fund, autori kërkopn ta martojë Namikun me vajzën e Veliut, që kanë një diferencë moshe më tepër se 20 vjet.
Edhe figura e Veliut, është dhënë tepër e ç’”murrme”,me ndërhyrjet e tij të padrejta dhe përveç të tjerave e tipizon edhe si një konservator tipik të sferave intelektuale.

Gjithë ngjarjet janë mbyllur në shtëpinë e Veliut, mungon lufta e forcave pozitive, konfliket dhe kontraditat nuk marrin rrugën e zgjidhjes dhe perspektiva mebetet tepër e mjergullt. Vepra nuk pasqyron drejt realitetin e ditëve tona.

Për dobësi në përmbajtjen ideo-artistike të komedisë, ndërhyri ekipi i Ministrisë, i cili organizoi diskutimin e saj. Nga diskutimi u vu në dukje se si drejtoria, këshilli artistik e kolektivi nuk qenë thelluar në përmbajtjen ideo-artistike të veprës. Bënë autokritikë dhe muarrën vendim për të ndërprerë punën. Edhe Komiteti Ekzekutiv i rrethit mban përgjegjësi pasi nuk ndërhyri më parë për parandalimin e saj.

4. Drama “Emra të shkojtur në shkëmb” e Spiro Urumit e trajton emancipimin e vajzës dhe problemet e dashurisë nga pozitat liberale. Në tërë veprën, autori merret me fejesën dhe ç’fejesën e një vajze punëtore, me filozofime mjaft të errta për lumturinë, dashurinë dhe familjen të cilat janë krejt të huaja për moralin tonë socialist.
Vajza pasi braktis inxhinjerin lidh relata e shpejton fejesën me një djal punëtor. Mirpo, porsa punëtori merr vesht se ajo ka qenë e fejuar me inxhinjerin, e thyen dashurinë dhe largohet prej saj. Por inxhinjeri egoist dhe hakmnarrës nxit punëtorin duke u fryrë në vesh se e fejuara e tij është një vajzë e përdalë që ka kaluar shumë njerëz. Inxhinjeri shtyhet nga instikti se “ajo që më bëri mua të humbas dashurinë, e të mos kem lumturinë, duhet të vuaj që edhe ajo të mos e gëzojë as dashurinë e as lumturinë”. Kështu autori nga skena në skenë i vë personazhet të krijojnë një melodram të jetës së tyre, ku shpërthejnë pshertimat dhe rënkimet pambarim.

Edhe pse autori në mënyre “deuxesmachina” kërkon një rrugë zgjidhje të konfliktit me anën e një fletë-rrufeje apo nxjerrja në skenë të disa punotorëve për ç’mplekjen e intrigës, vepra nuk përfiton asnjë send dhe mbetet tërësisht një inskenim i çoroditur me molepsje liberal-moderniste.
Ky spektakël u ndalua me ndërhyrjen e ekipit të Ministrisë pasi ai i kishte shpëtuar kontrollit të kolektivit të teatrit “A. Moisiu” (veprën kolektivie kishte diskutuar kohë më parë por vërejtjet qenë të karakterit mjeshtëror) dhe kontrollit të seksionit të arsimit dhe kulturës. Edhe për këto shqetësime ideore, ekipi ynë organizoi një mbledhje të veçantë me pjesmarrjen e drejtorisë, antarëve të këshillit artistik, seksionit dhe me disa përfaqësues të udhëheqjes së ndërmarrjes që kishin pranuar këtë vepër.

Shumica e diskutantëve kritikuan rëndë gabimet ideore të veprës bënë autokritikë për mungesë vigjilence, ndërsa autori pranoj se ka bërë një vepër me gabime të rënda ideologjike.

5. Në dramën “Baltë e bar” e Loni Papës mohohet direkt dhe indirekt nevoja e heroit pozitiv dhe vendosja e konfliktit midis nesh, bile midis vetëvetes duke e ndarë heroin kryesor në tre personazhe. Autori përpiqet të krijojë bindje se e keqja mund të luftohet jo duke e vënë ballë për ballë heroin pozitiv, por duke i bërë autopsisë e vetëvetes. Sipas tij të gjitha të këqijat kanë ardhur se shoqëria jonë nuk u ka bërë si duhet autopsinë.

6. Drama “More Morana” e e Ramiz Likës, nxin krejtësisht realitetin tonë duke e vënë në qëndër figurën e një bajraktari të ri intrigant e arrogant, gjoja të përkëdhelur nga njerëzit e pushtetit tonë. E tërë atmosfera e transformimit të fshatit tonë jepet me ngjyrat më të errta. Ky përbën një rast tipik të konfondimit të konfliktit jo antagonist me konfliktin antagonist.

7. Ndërsa drama “Shoqja K. e të tjerë” e Mexhit Prençit, është një dramë që mbështet fuqimisht idenë liberal-borgjeze të dashurisë së lirë.
Tri dramat e fundit autorët, i kishin paraqitur në Shtëpinë botuese “N. Frashëri” dhe në analizën që u bëri i quajti krejtësisht të pabotueshme.
Mbi bazën e konkluzioneve të kolegjiumit të Ministrisë dhe ekipeve që dërguam në teatrot e rretheve, kemi menduar të organizojmë në muajin janar të vitit 1974 një seminar me kuadrot drejtuese të teatrove për problemet e sigurimit dhe përmbajtjes së repertorit, për ngritjen e mëtejshme cilësore të punës, normimit të artistëve etj. Detyra këto që lidhen edhe me 30 vjetorin e çlirimit të Atdheut. Në fillim të muajit janar në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, do të organizojmë një mbledhje me të gjithë dramaturgët e vëndit ku do të shtrojmë disa probleme të përmbajtjes dhe të nivelit artistik të veprave dhe masat për të ardhmen. Së bashku me shokët e lidhjes kemi filluar kontaktet direkt me dramaturgët ku diskutojnmë me sejcilin (veç e veç) për pjesët që janë duke punuar dhe masat që duhen marrë për t’i përfunduar ato sa më parë.
Tiranë më 19.12.1973
ZV/MINISTRI
(Mantho Bala)/GSH.AL