Në rubrikën e tij Amarcord, kryeministri shqiptar ka kujtuar personalitetin e madh shqiptar fizikantin e famshëm Sotir Kuneshka. Po cili ishte ky personalitet i madh i shkencës shqiptare?

Prof. Sotir Kuneshka lindi në 15 korrik të vitit 1912 në fshatin Boboshticë të rrethit të Korçës.

Sotiri ndoqi shkollën në gjuhën shqipe dhe me mbarimin e saj u regjistrua në 1924 në liceun e Korçës. Në këtë shkollë ai mësoi 9 vjet. Djali që mbaroi shkëlqyeshëm shkollën u zhgënjye kur qeveria nuk i dha bursë për të ndjekur studimet jashtë, por i ati megjithëse nuk kishte gjendje të mirë financiare e dërgoi djalin për të studiuar në Paris.

Duke parë rezultatet shumë të mira të studentit korçar në Paris, Ministria e Arsimit të Shqipërisë, në vitin 1935 i akordoi atij një gjysmë burse, duke ia lehtësuar disi vështirësitë ekonomike dhe duke i lënë më shumë kohë të lirë për studime. Kështu në sajë të një këmbëngulje të veçantë, të një shpirti të sakrificës së lartë dhe të etjes së padiskutueshme për dije të plota ai mundi që për 3 vjet të plotësojë me sukses studimet universitare.

Loading...

Në vjeshtën e vitit 1937 u thirr me urdhër urgjent të Ministrisë së Arsimit, pasi ishte emëruar profesor i Fizikës dhe Kimisë në Liceun e Korçës.

Këtu ai punoi me pasionin karakteristik të tij deri në vitin 1940. Me çlirimin e vendit dhe me rihapjen e Liceut të Korçës Prof. S. Kuneshka mori detyrën e nëndrejtorit të kësaj shkolle, por nuk qëndroi gjatë në këtë detyrë sepse në shkurt të vitit 1945  u thirr në Ministrinë e Arsimit për të drejtuar sektorin e shkollave.

Këtu ai u ndesh me detyra shumë të vështira për ringritjen e sistemit arsimor të Shqipërisë. Hapja e Institutit Pedagogjik dy vjeçar shënon fillimin e ngritjes së sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri dhe shumë shpejt ai ftohet që të japë aty mësime si pedagog i Fizikës. Në vitin 1948 ai emërohet pedagog në këtë Institut dhe një vit më vonë merr detyrën e drejtorit të tij.

Në tetor të vitit 1951 kur u hap Instituti Pedagogjik 4 vjeçar Prof. S.Kuneshka është zv. Drejtor i Institutit dhe këtë detyrë ai e kryen deri në vitin 1957 kur me hapjen e Universitetit të Tiranës ai ngarkohet me detyrën e Dekanit të Fakultetit të Shkencave Natyrore. Një vit më vonë me kërkesën e tij ai lë detyrën e dekanit dhe i përkushtohet tërësisht drejtimit të katedrës së Fizikës, detyrë të cilën ai e kryen deri në vitin 1982. Ai vazhdoi punën e pedagogut të Fizikës deri në moshën 74 vjeçare, kur doli në pension.

  Që kur mori drejtimin e katedrës së Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, puna e Prof. S. Kuneshkës u përqendrua tërësisht në përgatitjen sa më cilësore të mësuesve dhe fizikanëve të Shqipërisë. Grumbulloi rreth vetes një grup specialistësh nga më të mirët dhe shumë entuziastë si S.Koja, F.Zela, N..Thomo, K.Qendro, R. Bezhani, P.Skënde e më vonë gjeneratën e re të studentëve më të mirë që mbaruan degën e Fizikës. Nën drejtimin e prof. S. Kuneshkës u arrit që për një kohë të shkurtër Katedra e Fizikës të kishte plane dhe programe mësimore mjaft të mira, madje shumë më të mira se sa mund të pritej nga një katedër e re, siç ishte ajo e jona.

Prof. Kuneshka zhvilloi një punë shumë të mirë dhe të kujdesshme duke hartuar një tekst voluminoz të kursit të fizikës së përgjithshme që përdorën studentët dhe mësuesit e fizikës. Gjithashtu ai është autor i një sërë tekstesh të tjera të fushave të ndryshme të fizikës me të cilët janë përgatitur studentët tanë dhe ata të Universitetit të Prishtinës, ku Prof. S.Kuneshka ka qenë ftuar për të mbajtur leksione. Një shqetësim të vazhdueshëm kishte Prof. S.Kuneshka për ngritjen e laboratorëve mësimore për studentët, duke i konsideruar ato si mjetin më të mirë që u jep atyre mundësinë për të njohur konkretisht thelbin e dukurive fizike, pra si të thuash “për të prekur me dorë” cilësitë thelbësore të këtyre dukurive.

Kjo nevojë u bë më e mprehtë kur u hap dega 5 vjeçare e fizikës, nismëtari dhe organizatori entuziast i së cilës ka qenë Prof. S.Kuneshka. Kjo degë do të përgatiste specialistë të fizikës që duheshin për të punuar në fusha të ndryshme të ekonomisë shqiptare, siç ishte ajo e kërkimit të naftës dhe mineraleve, në laboratorët e mjekësisë apo të studimit të ndotjeve të mjedisit etj. Kështu e tërë katedra me Prof. S.Kuneshkën në krye u mobilizua për të ngritur laboratorë të përshtatshëm sipas tematikave të programeve mësimore që kishim.

Ai mund të konsiderohet si pionieri i fakultetit të shkencës në vendin tonë. Një nga veprimtaritë e tij të shquara është dhe puna shkencore që ai kreu veçanërisht në lidhje me radioaktivitetin e ujërave sipërfaqësore, të mineraleve dhe të mjedisit rrethues.

Teksti i parë i fizikës universitare në vendin tonë mban emrin e prof. S.Kuneshkës, artikulli i parë shkencor në fushën e fizikës ka si autor prof. S.Kuneshkën, titujt e parë të docentit, të profesorit të fizikës dhe të akademikut te ne i janë dhënë atij. Duke mos qenë anëtar i asnjë forumi politik, vlera e këtyre titujve si dhe e dekorimeve: Medalje pune, Urdhër pune i kl.II, Mësues i merituar, Urdhri “N.Frashëri” i kl.I, Mësues i Popullit, merr kuptim të plotë dhe sintetizojnë punën vetëmohuese, djersën dhe sakrificat e tij, pasionin e madh dhe motivimin e jetës së tij.

Prof. S. Kuneshka në punën e tij ka demonstruar vetitë më humane: ndershmërinë, idealizmin, mençurinë, përkushtimin, dashurinë për vendlindjen. Njëherazi ai ishte shumë i dashur dhe i sjellshëm me të gjithë kolegët dhe studentët e tij. Me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël dhe të lehtë, që rrezatonte mirësi të thellë, ai u drejtohej studentëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të rinj me fjalët më të ëmbla dhe fisnike “biri im” ose “bija ime”. Ishin fjalë të zemrës së tij që shprehnin një dashuri prindërore dhe që dëshmonin më saktë se çdo gjë tjetër karakterin e tij tepër human dhe dashamirës. I tillë ishte prof. S.Kuneshka deri sa mbylli sytë përgjithmonë, duke mbetur kështu shumë i nderuar dhe i respektuar nga të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të.

(Materialet e shfrytëzuara në librin autobiografik të tij)/Konica.al – Arlinda Canaj