Festivali i 9-të ngelet më i bukuri për mua  

INTERVISTA

Flet këngëtarja e mirënjohur, 7 herë fituese e çmimit të parë në festivalet në RTSH Në Festivalet e RTSH-së kam marrë pjesë kur isha 14 vjeç  

Ndoshta është një e veçantë që nuk besohet, por mbetet e vërtetë. Liljana një nga këngëtaret e spikatura të muzikës së lehtë në kohë të lirë admiron muzikën klasike. Tip shumë i shoqërueshëm, energjike, e dashur, punëtore, por dhe gjithmonë e qeshur.. Cilësi që e bën të dallueshme është se edhe në momente të vështira ajo është e qetë, tolerante dhe falëse. Kur shoqet e saj ende ishin mes lodrave dhe ëndrrave të jetës në moshën 20- vjeçare ajo bëhet nënë dhe për të mos e besuar në moshën 39- vjeçare bëhet dhe gjyshe..

E jeton jetën e saj me kënaqësitë e vogla, duke i qëndruar pranë njerëzve të saj të dashur, por mbi të gjitha ndjehet e lumtur se ka mundur të bëhet (jetë) këngëtare, një nga pasionet e saj më të mëdha të jetës. Ndërsa flasim për rendjen e artistit nga një situatë në tjetrën, nga një vend në tjetrin nuk ka si të mos preket në bisedën me të dhe përshtypja që krijohet se artisti nuk është i lidhur shumë me familjen. Liljana shprehet se është një përshtypje e gabuar. Këngëtaret si të gjithë të tjerët kur krijojnë lidhjen e jetës, përpiqen me gjithë shpirt për bërthamën e tyre të vogël, që është familja.

Shprehet se artistët janë shumë familjarë dhe ato përpiqen në të gjitha aspektet si për fëmijët, si për bashkëshortin, dhe investojnë gjithçka. Sipas mundësive që kanë artistët japin gjithçka. Liberalizmin ato e kanë, gjithnjë brenda cakut. Pra çdokush pavarësisht nga profesioni i logjikon gjërat me pjekuri. Këngëtaret, por dhe këngëtarët bëjnë sakrifica të mëdha për familjen e tyre. 

Liljana po aq e bukur, dinamike, e qeshur, e rinuar, kush është sekreti i këtyre cilësive të Liljanës që e fshehin moshën?

Në fakt e para është geni, e dyta fatmirësisht më ndihmon profesionin që kam, pra këngën dhe për këtë falënderoj zotin që më ka dhënë zërin, po kaq mirë me vokal dhe shpirtërisht,. Pra zërin dhe forcat i kam si para 10 vjetësh dhe po kaq jam e angazhuar në shumë koncerte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Punoj çdo ditë për profesionin tim me shumë kënaqësi. Shtoj repertorin, dëgjoj muzikë, ndjehem mirë kur jam me shoqërinë time kur diskutojmë sinqerisht për artin për këngën, për probleme të ndryshme të jetës tonë, pasi jeta është mbushur me ngjarje dhe befasira. Jeta është shumë e bukur dhe pse ka dhe thashetheme, intriga. Njeriu duhet të bëj dallimet dhe të gjejë rrugën e duhur. Më e bukura më e këndshme më e gjetura në shpirtin tim është mikrofoni, këngët që unë këndoj 

Pra do të thuash që kënga, muzika, të largon streset vëmendjen nga hallet dhe thashethemet? Sigurisht këtë doja të thoja. Mikrofoni është bën pjesë në jetën time, shpirtin tim kaq shumë sa kur e marr në dorë më kërkohen vetiu si me magnet hallet problemet shqetësimet. Pra dukem njeriu më i lumtur. Të gjitha brengat para mikrofonit më largohen. D.m.th është kaq gjë e bukur të jesh artist saqë vetëm ata që janë artist mund ta kuptojnë. Kam shumë raste që kemi pasur aktivitete dhe kolegët kanë shprehur habinë me qetësinë, dëshirën, entuziazmin tim para mikrofonit. Pra mikrofoni më tjetërson, më jep mendim, forcë, kërkesa ndaj vetes, çdo gjë të bukur që njeriu kërkon në jetë. Njëherë tjetër dëgjoj të pëshpërisë dikush që këtë energji Liljanës ja jep pija

Ju pini? Çfarë lloj pije preferoni? (Qesh). Këtë pra doja të thoja. Miqve të mi u them nuk është pija ajo që më bën energjike dhe të qeshur. Unë nuk pi. Nuk e përdor pijen. Pra nuk përdor as uiski as xhin, as birrë. Unë mund të pi vetëm një gotë verë të kuqe në mbrëmje kur ha bukë. Asnjë lloj pije tjetër. Pra dhe këtë me masë.

Çfarë ju bën të ndiheni e sigurt dhe shumë dinamike në skenë? Vetëm mendimi që do këndoj. Ajo që thashë më lart. Në momentin që jam mbrapa perdes, ku spikeri do të përmend emrin tim, më bën shumë entuziaste. Më duket sikur më vjen një fuqi e madhe nga lart, që më largon çdo dyzim apo pasiguri. Nuk është pija ajo që frymëzon aktorin apo këngëtarin (mendimi im), është dashuria për profesionin. Mënyra se si artisti e ndjen që do ti jap publikut, mënyra se si e shikon atë publiku në skenë. Këto elementë më bëjnë të përgjegjshme aq sa nuk më bëhet më ta lëshoj mikrofonin nga dora. Vokali im merr nuancat e duhura aq sa mund të këndoj gjatë gjithë kohës për orë të tëra live.

Kur u zbulua si talent Liljana dhe nga kush? Unë kam kënduar që në moshën 3 vjeç kur kam qenë në kopsht dhe më thonë se kur kam dalë në ekranin e televizioneve më ka zbukuruar si talent i madhi Pjetër Gaci, në vitin 1967 kur kam qenë 14 vjeç. Ai më dha të këndoja një këngë të këngëtares së madhe Vaçe Zela të cilën e kam shumë për zemër pikërisht këngën e mirënjohur “E dua vendin tim” të kompozuar prapë nga kompozitori i madh Agim Prodani. E kam kënduar për herë të parë në një shfaqje të estradës së Tiranës, pastaj më dërgoi tek Radio Tirana në një anketë. Më pas erdhi muaji dhjetor që bëhej festivali në radio televizion. 

Pra ju 14 vjeç keni marrë pjesë në Festivalin në radio televizion? Pse habitesh? (qesh sërishmi). Dua të theksoj se para se të shkoje në festival Radio televizioni organizonte një konkurs paraprak. Aty shikoheshin zëri, talenti, mënyra e zotërimit të vetes. Sepse pa kaluar këtu nuk krijohej bindja se do ishe e sigurt në skenë. Fitova në konkurs për të kaluar në Festival 

Kush Festival ka qenë? Festivali i 5-të. Ky ishte festivali i parë që kam marrë pjesë. Kënga titullohej “Tekstilistes”. Që atëherë pretendoja për çmim. Ishte viti 1967. 

Pra 14 vjeç. Dhe merrnit pjesë në një Festival që kërkonte kaq shumë punë, mund, djersë, përgjegjësi dhe profesionalizëm. Si jeni ndjerë?

Si të të them. Ka qenë një moment që s’di ta komentoj. Duke qenë e vogël në fillim nuk i dhashë atë rëndësinë që duhet. Se kisha shumë idenë e madhështisë së një aktiviteti të tillë kombëtar. Por kur dola në skenë, ku salla ishte plot me personalitete mendova se evenimenti ishte i një rëndësie të tillë që logjika ime nuk mund ta perceptonte realisht. Kjo këngë kishte si kompozitor Vasil Memën nga Durrësi. 

Pas këtij festivali a ka pasur ndonjë festival që Liljana nuk ka marrë pjesë? Absolutisht jo. Që nga vitit 1967 deri në vitin 1990 unë kam marrë pjesë në 23 festivale pa ndërprerje. Një rrugë e gjatë e mbushur me emocione, gëzime, zhgënjime, arritje, pra gjithçka që të fal një eveniment i përmasave të tilla.

Krahas festivaleve në Radio TV a zhvilloheshin evenimente paralele të këtyre përmasave në sistemin monist? Po. Ka qenë dhe festivali i ushtarit. Kam marrë pjesë në dy festivale të tilla. Edhe në festivalet e interpretuesve apo në dekadat e Majit. Anketat muzikore.

Po në Festivalin e 11 –të a ka marrë pjesë Liljana?

Po. E thashë dhe më lart. Qysh në vitin 1967 unë kam qenë në çdo festival. 

Nuk u ndëshkuat si shumë kolegët tuaj? Jo. Ndoshta zoti më ndihmoi. 

Ku keni shkuar për herë të parë jashtë?

Në vitin 1973, në një Festival në Ohër. Ishte një mrekulli. Të dilje jashtë atëherë ishte shumë luks. E ndjeva veten si në Shqipëri pasi aty shumica ishin shqiptarë. 

Ndonjë këngë të veçantë ? Kam kënduar një këngë të Aleksandër Peçit një këngë me poezi të Natasha Lakos, e cila e shkroi këtë poezi për vajzën time të cilën sapo e kisha lindur. Ishte një tekst enkas dhe muzika u harmonizuan me poezinë dhe është një këngë shumë e mirëpritur dhe që këndohet dhe sot nga grupmosha të ndryshme

Nga festivalet kë do të veçoje? Festivalin e ‘9-të. Është kënga e Shpëtim Kushtës me tekst të Fatos Arapit “Mesnatë” që është vendosur dhe në diskun e artë kemi marrë çmim të parë. Në festivalin e ‘9-të kam kujtim se e kam kënduar vetë këngën fituese sepse atëherë kishte dhe dublant kënga, për fat të mirë është se e madhja Vaçe Zela tha ta këndojë Liljana pasi në raste të tilla ajo këndonte vetë. Ishte fat i madh, ishte një moment i paharruar. Ndoshta magjik mund të them. Mes këngëtarësh potentë, kompozitorëve po të tillë. Autorë tekstesh që kanë lënë gjurmë. Atëherë kërkesa e llogarisë ishte maksimale. Nuk tolerohej asgjë. 

Sa çmime keni zënë në gjithë këto Festivale dhe bashkëpunimet

7 çmime të para dhe shumë të dyta. 

Sa albume ka bërë Liljana?

Unë albume?! Kam kënduar afërsisht 1000 këngë. Sa albume bëjnë. Albumet e mia janë këngët e panumërta, këngët që këndohen nga të gjithë në çdo kohë.

Po kënga popullore sa vend zë tek ju?

Çudi më parë nuk e kam dashur. Nëna më ka thënë t’i këndon vazhdimisht këngë popullore, pse nuk këndon dhe në skenë. Do dua të bëj një album të tillë. E ndjej se kam rezerva të pashfrytëzuara në këtë drejtim.

Në sa vende të botës keni dhënë koncerte?

Thuajse në të gjitha vendet e Evropës, ku ka emigrantë shqiptarë. Por edhe në Amerikë dhe Kanada. Por vendi im më i preferuar është Greqia. Aty këndoj më shumë greqisht kur më kërkohet. Ne repertorin tim të këngës greke kam më shumë se 200 këngë. Grekët në fillim s’e mendonin se isha shqiptare.

Keni mbetur nostalgjike e repertorit të mëparshëm apo keni dhe këngë të reja?

-Unë kam punuar gjithnjë me krijimtarinë. Edhe albumin që po përgatis e kam me këngë të reja, pavarësisht se ndonjë këngë e repertorit mendoj se do të ruhet. Shumë shpejt albumi im do të jetë gati.

Dashuria juaj thuhet se ka qenë e veçantë?

Kur e kujtoj qesh me vete. Histori e bukur. Jam njohur me tim shoq që në lice. Aty ka ndodhur kontakti i parë, u bë lidhja, u martuam dhe tani jemi bërë gjyshër. Ai ka qenë korist i parë në korin e Teatrit të Operas. Martesa është një ëndërr për çdo femër në çdo kohë. Për mua mbetet një nga ëndrrat, e cila si pa kuptuar u realizua shumë shpejt. 

Në vitet e demokracisë së brishtë gjysma juaj e kohës kalohet në Greqi. Këndoni dhe rrini pranë fëmijëve, jeni lodhur?

Përkundrazi. Nuk e kam vënë re lodhjen. U bë një kohë e gjatë dhe më është bërë si Tiranë-Durrës kjo linjë. Për mua nuk është rehat të qëndruarit në një vend. Nuk e mendoj dot veten të rri në një vend. Më thërrasin të gjithë, vajza, nëna, im shoq, karriera dhe unë jam e kënaqur t’i rri pranë të gjithëve. Përderisa më kërkojnë.

Cilat janë veset që Liljana i largon nga vetja?

Thashethemet dhe gënjeshtrat. Në shoqërinë e sotme vese të tilla janë shumë të dëmshme. Disa herë mund të bëhen dhe të qëllimshme. Njeriu modern duhet të rijë larg tyre.

Autori : Albert Zholi

Viti: 2010

E solli per KSH: *Eni

Referenca: Web / Gazetat online.   

Naishtedikur.info