INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur Liljana Kondakçi: Njeriu duhet të gjejë forca të dalë mbi vështirësitë e jetës!

Kisha kohë pa e takuar dhe takimi erdhi rastësisht në ditën e 20 Majit, Ditës Kombëtare të Fëmijëve Jetim, në festën e organizuar nga Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Dukej paksa e vejtur por s’e jepte veten. Atë moment mora vesh se dy muaj më parë ishte larguar nga jeta bashkëshorti. Humbjen e tij e ndiente shumë, por sërishmi i jepte kurajo vetes. Gjatë gjithë takimit atë e shoqëronte mikja e saj këngëtarja e talentuar Myfarete Laze.

Si ndihet Liljana kohët e fundit?

Shpeshherë jeta s’dihet se në çfarë brigje të përplas. Nuk thonë kot që jeta është e mbushur me të papritura. Jeta është një lëvizje e paimagjinuar, kur në një moment mendon triumfin mund të vijë dështimi, apo e kundërta kur mendon dështimin mund të arrish majat. Ndihem vetvetja.

Jeni e dëshpëruar nga ngjarja e fundit e jetës suaj?

Ngjarja e fundit e jetës sime që më ka trishtuar shumë ka qenë dhe mbetet vdekja e tim shoqi. Ai për mua ishte gjithçka, një njeri me vlera, një njeri, që më ka ndihmuar në çdo hap të jetës sime, një njeri që dinte të vlerësonte dhe të përcillte mirësi. Këngëtarja është gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në kërkim të vetvetes dhe nis një rrugëtim që si dihet se ku. Pa një bashkëshort që të të ndodhet në krah, pa një bashkëshort, që të dijë se çfarë idesh ke në jetë, do të ngelesh në baltë. Ndaj jetoj ende me dhimbjen e bashkëshortit që u largua nga unë në momente të vështira. Kudo tashmë jam e rrethuar nga dashuritë miqësore, familjare, etj, por atë dashuri që e kisha të veçantë tashmë nuk e kam më.

Je larguar nga jeta aktive?

Njeriu në momente të veçanta ka pak nevojë për qetësi, ka nevojë për pak reflektim. Jetë aktive unë kuptoj paksa largimin nga skena, nga të qënit ende publike… Po, jam larguar paksa dhe jo sepse nuk kam kërkesa, jo se nuk kam zë apo nuk mund të përballoj aktivitete të ndryshme, jam larguar për ato që të thashë, ato janë arsyet e vetme. Së fundmi kam pas shumë kërkesa në disa aktivitet në Greqi, ku kam dhe vajzën, por le të shërbejë kjo periudhë si një mobilizim forcash për të dalë më vonë më denjësisht.

Ju keni marrë pjesë gjithmonë në aktivitetet e 20 Majit, Ditës së Fëmijëve Jetimë, në aktivitete që organizon Instituti Kombëtar i Fëmijëve Jetim Shqiptar, përse ky angazhim?

Unë jam artiste dhe dua gjithmonë që të jap diçka nga vetja, të jap diçka për shtresat në nevojë, të jap një ndihmë sado të vogël sidomos për fëmijët jetimë. Kam mbi 10 vjet që marr pjesë në këtë aktivitet ku shikoj fëmijë pa përkrahje, fëmijë që nuk kanë mbështetje, fëmijë që duan të gjejnë diçka në jetë, kërkojnë pak ngrohtësi. Unë mund tu jap atyre vetëm zërin tim, vetëm këngët e mia, ngrohtësinë e tingujve të instrumenteve, që ndoshta i relakson dhe i shmang sadopak nga hallet e përditshme. Ndihem mirë kur ata më dëgjojnë dhe duartrokasin, ndihem mirë kur ata më shoqërojnë kur këndoj, apo kur çohen me mua dhe më rrethojnë. Secili njeri duhet të bëjë diçka sa ka mundësi për këtë kategori fëmijësh, Secili sipas mundësive dhe aftësive. N.q.s të gjithë ne do ti japim diçka këtyre fëmijëve të pafajshëm, ata do të jenë më të lumtur, më me mbështetje, më të stimuluar, më energjik, etj.. Në këtë aktivitet vij me gjithë dëshirë, vij me emocion, pasi kujtoj dhe fëmijërinë time, që një ditë mos të ndjenim dorën e ngrohtë të nënës ndihesha shumë keq.

Mendoni se shoqëria shqiptare mund të bëjë më shumë për këtë kategori njerëzish?

Mendoj se po. Në radhë të parë shteti, politika, institucionet bamirëse dhe ato fetare kanë mundësi dhe duhet të bëjnë më shumë për ta. Kush ndihmon këta fëmijë është njeriu që do ndihet më i lehtë dhe më i realizuar shpirtërisht.

Sot pamë shumë këngë me play -back, cili është mendimi juaj për këtë mënyrë të kënduari?

Për mua kjo mënyrë të kënduari nuk është e pranueshme. Unë gjithmonë kam kënduar live dhe asnjëherë se kam provuar të këndoj në këtë mënyrë. Ndaj dua të them se kjo mënyrë të kënduari, nuk jep një realitet të mënyrës së të kënduarit. Me këtë stil humb origjinaliteti, humb freskia e zërit, humb emocioni, humb prekja reale e publikut. N.q.s humb origjinaliteti atëherë nuk je vetvetja, por imitues i dikujt tjetër. P.sh shumë herë kjo mënyrë të kënduari ka të bëjë me imitimin si në lëvizje po ashtu dhe në mënyrën e interpretimit, ndaj them me dhimbje se këngëtari nuk është vetvetja, por ai dikush që ka imituar, ai dikush që të ka imponuar të lëvizësh apo të këndosh ashtu. Por është dhe një problem tjetër, nis CD mund të qëllojë me defekt, apo vetë aparaturat mund të pësojnë defekt, atëherë ti del bllof, pra imitimi del ashiqare në shesh.

Megjithatë Liljana duket ende e freskët, ndihet e fortë….ka sekret?

Njeriu është i detyruar që në jetë të kalojë shumë vështirësi. Askujt në jetë nuk i ka ecë çdo gjë vaj. Por kryesorja në jetë është që njeriu të jetë i mbushur me pozitivistet, pra i mbushur me dashuri.

Mund ta sqaroni më shumë këtë temë?

Po. Pra njeriu duhet të mbushet me dashuri njerëzore. Dashuria në konceptin e gjerë dhe jo vetëm atij ndjesor, midis dy gjinive. Njeriu duhet të jetë i mbushur me dashuri për familjen, shoqërinë, miqësinë, për shoqen, për punën, për profesionin, për artin, për çdo gjë që është pozitive. Sa më shumë të jetë i tillë në jetë njeriu, aq më i mirë shpirtërisht, aq më i qartë bëhet në vizionin jetësor. Kur ke nj shpirt të bukur, atëherë patjetër do të kesh dhe një luk, një ëmbëlsi njerëzore që del në pah në momente të caktuara. Pra luku i njeriut lidhet dhe me ngrohtësinë shpirtërore.

Ndaj i këndoni më shumë dashurisë?

Unë i kam kënduar dhe do i këndoj dashurisë gjithmonë. E theksova jo vetëm dashurisë si ndjenjë, por në kuptimin e saj të gjerë. Dua që çdo këngë e imja të lidhet me atë dashuri që shkrova më lart. Dua që kudo të përhap mirësi, dashuri, sinqeritet, miqësi. E ku ka më mirë se sa ti këndosh kësaj dashurie? Ajo të motivon, të relakson, të jep fuqi për arritje të reja.

Ju keni kaluar dhe një moment të vëshirë në Itali, mbase ruani ende kujtime stresi?

Njeriu kur mendon që nuk ka bërë faj, pra kur marr një dënim pas katër vjetësh kur çdo gjë ishte mbyllur, ndihet i qetë. Opinioni bën të vetën, por e vërteta është më e madhe se opinioni, ndaj e kam kaluar pa dhimbje në emër të së vërtetës, pasi aty ku isha pata një trajtim të mirë, një trajtim dhe sjellje shembullore.

Ku do të jetë më shumë Liljana pas këtyre momenteve?

Unë tashmë jetën e kam lidhur në dy shtete, në Shqipëri që se kam ndërruar kurrë në jetë me asgjë dhe në Greqi ku kam vajzën. Pra në këto dy shtete më lidh, jeta, ëndrrat, kujtimet, puna, familja dhe aktivitetet.

Ju keni pasur shumë oferta kur ishit në Greqi. Çfarë ka të veçantë Greqia?

Greqia për mua mbetet një vend që e do muzikën, e do këngën, e do jetën. Aty kam parë se sa të respektuara janë femrat, por kam parë dhe se sa janë të lidhura me këngën femrat. Pra kam mësuar se kush do këngën, zbutet shpirtërisht, bëhet më njerëzor. Kënga është ilaç i shpirtit, është bukuria më e bukur e zemrës bujare. Aty kam parë se si kërcehet edhe mbi tavolina, apo se si nga qejfi mund të thyesh dhe një pjatë, por jo për të prish punë, por për atmosferë./Naishtedikur