Historia e Panajot Panos vetvetiu i shërben historianit të sporteve, për të përshkuar shumë ngjarje të rëndësishme, paksa “të zhdukura” ose të harruar me dashje në futbollin shqiptar. Ngaqë historia e tij është e shkrirë në historinë tanësore të futbollit shqiptar të viteve të tij, është e pamundur që ndërsa ti kujton se je duke shkruar vetëm historinë e një Panajot Pano, ndërkaq je duke shkruar vetë historinë e futbollit kombëtar të asaj epoke të pashlyeshme në të gjitha kahet: kundërshtuese, shpesh absurde, politike dhe jopolitike, zhvilluese apo të prapambetur, shpërthyese dhe në ecuri me ulje-ngritjet e saj sa të justifikueshme po aq dhe të pajustifikueshme.

Historia e Panajot Panos më çon te një histori tejet të gjerë e hapësinore, ku ai kurrë nuk është i vetëm. Dhe, jo thjesht për natyrën kolektive të këtij sporti nobël. Ai është i pandashëm me shokët e tij të respektueshëm, të cilët së bashku ia arritën t’i gëzonin shqiptarët në kohëra të vështira, kur sa pak gëzime që bartnin ato kohëra…

Por le të vazhdojmë me historinë faktike, aq më tepër që të rinjtë e sotëm pak merren me historinë faktike. Panajot Pano është ndër ata futbollistë të Shqipërisë, të cilët karrierën me të rinjtë e kanë shumë të shkurtër. Nuk duhet harruar se rasti i tij nuk bën pjesë në atë “klasik”, kur futbollisti qëndron për disa vjet në ekipin e të rinjve para se të përfshihet në atë të të rriturve.

Panajoti me të rinjtë bardheblu

Pano nuk hyri shpejt tek të rinjtë e Tiranës, vonoi paksa, mbase edhe për shkak se kampionatet shkollore të futbollit janë ndër më të përhapurit asokohe në gjithë qytetet e Shqipërisë. Sidomos në Tiranë. Në një farë mënyre, mund të themi se Panajot Pano hyn 17 vjeç me të rinjtë dhe përfundon 18 vjeç. Dhe menjëherë me të rriturit!

Do ta fillojë me Kupën e Shqipërisë, e famshmja “Kupa e Republikës”, siç thuhej menjëherë Mbasluftës, me synim për të propaganduar fort e përmendur sa më shumë që të jetë e mundur Republikën Popullore dhe për të harruar sa më parë Mbretërinë.

…me të rriturit
Panajot Pano shfaqet për herë të parë në 11-shin e të rriturve të Punës së Tiranës më 13 tetor 1957. Ajo është një ndeshje e turit të parë, ose 1/8 fundore (finale) të Kupës së Republikës Popullore të Shqipërisë. Është edhe kjo një ndeshje disi historike për të. Pikërisht në çastin kur ai duhej të luante pa ndërprerje me skuadrën e të rriturve, Puna e Kavajës bën një sensacion të padëgjuar. Ajo fiton 2-1 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” kundër Punës së Tiranës dhe Pano i ri ndërpret këtu mundësinë e vazhdimësisë në veprimtaritë kombëtare për 1957-tën. Kjo, edhe për faktin se kupa për habi zhvillohet simbas modelit anglez: vetëm një ndeshje dhe lamtumirë, përjashtim i drejtpërdrejt!
Skeda e kësaj ndeshjeje për emrat që përmban, është një histori e çmuar më vete: Kupa e Republikës Popullore të Shqipërisë 13 tetor 1957.

Tiranë, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”
PUNA E TIRANËS – PUNA E KAVAJËS 2-1
PUNA E TIRANËS: Metani, Bulku, Stërmasi, Caslli, Mema, Balla, Rada, Petrela, Shehu (Parapani), Reçi, Pano.

PUNA E KAVAJËS: Myhyrdari, H.Tallushi, S.Gjoci, Simaku, Cara, Idrizi, Zhelegu, Mahmudaj, Gavardari, Dimroçi, Dollia. GOLAT: Gavardari (8′), Dimroçi (55′), Petrela (78′ (11-m).

Guximi i trajnerit Alla

Siç shihet, trajneri Myslym Alla ka guximin të përfshijë në 11-shin e skuadrës së Tiranës tre lojtarë të marrë nga skuadra e të rinjve, e saposhpallur kampione kombëtare: Ballën, O.Memën dhe Panon. Për kohën “konservatore” që kalonte futbolli shqiptar, ky ndryshim konsiderohej guxim i madh. Ishte një meritë e madhe e të paharrueshmit Myslym Alla, çka nënkuptonte një rrezik të madh që duhej ta merrte përsipër vetëm ai. Met Metani, Zike Bulku, Bedri Stërmasi, Osman Caslli, Enver Rada, Cen Petrela, Osman Reçi, për fat, i sapondarë nga jeta në këte 2014, teksa u përcoll me nderime – ishin simbole të viteve më të vështira të Tiranës. Ndryshe ata ishin të qëndrueshmit stoikë të ruajtjes së emrit të harruar të Sportklub Tiranës së viteve ’30, e shkatërruar thuajse në gjithë dhjetë vitet e Mbasluftës për hir të Partizan-Dinamos. Të vetmuar, ata kishin mbajtur në këmbë një Punë të Tiranës tejet të drobitur, ashtu të nënvleftësuar e të nëpërkambun. Skuadra tash kërkonte gjak të ri. Talentet ishin aty. Dhe Myslym Alla nuk e zgjat: Balla, Mema, Pano! Por vetëm 2-1 për Punën e Kavajës! Ky ishte dështimi i parë i të riut Panajot Pano, por që më pas do vijonte me suksese.

Eqerem Caslli majtas, Xhavit Demneri ne mes dhe Panajot Pano djathtas.

Gjithsesi, kulminacioni ishte minuta e 15-të kur Petrela godet shtyllën. Dhe mbas 60 sekondave është episodi befasues i Panos, më saktë, gjuajtja e tij e pagabueshme në ecje e sipër, çka i lejon portierit Myhyrdari të tregojë aftësitë e njohura të përftuara në shkollën tradicionale të portierëve të Kavajës.

Shpërthimi i Panos nuk vonon

Po cilën ditë duhet të priste 18-vjeçari Panajot Pano për të shpërthyer më në fund dhe për flakur gjithë një mosbesim? Eshtë Puna e Tiranës – Krahët e Sovjetëve të Kujbishevit 2-0! Kjo është ndeshja e Panajot Panos, ndeshja e parë ndërkombëtare e tij dhe e dyta në tanësi në kategorinë e të rriturve. Do të ishte shkëlqimi i tij, njohja e parë e tij në opinionin mbarëkombëtar si një talent i papritur.
Ajo është një ndeshje miqësore me skuadrën sovjetike, e dëgjuara “Krilla Sovjetov”, klubi i punonjësve të industrisë së aviacionit të Bashkimit Sovjetik, klubi i sotëm i Kampionatit të Rusisë 2014, Krylya Sovetov i qytetit të mirënjohur Samara. Skuadra sovjetike vinte në Shqipëri mbas një turneu të suksesshëm në Bullgari. Për futbollin shqiptar kjo konsiderohej ngjarje e madhe, çka për sot duket diçka e pakuptueshme, natyrisht, por na duhet të futemi në kohë. Në 11-shin e saj ishte edhe futbollisti i mirënjohur 30-vjeçar Viktor Karpov i Kombëtares sovjetike, i cili mbante rekordin e rrallë në BRSS, sepse për ndeshje ndërkombëtare kishte luajtur edhe me tri të mëdhatë e Moskës: Dinamo, Spartak dhe Torpedo, si dhe Zenitin e Leningradit dhe Dinamon e Kievit! Do të bëhej një trajner i shquar i futbollit sovjetik.

Natyrisht, duke pasur parasysh situatën që kalonte Puna e Tiranës, pritej që kjo të ishte një ndeshje e vështirë për te. Megjithate gjithçka do të kalojë me sukses. Puna fiton 2-0 dhe loja e Panajot Panos është e shkëlqyeshme. Eshtë 1-0 qysh në minutën e parë. Puna është përforcuar me Abdulla Dumën, Gole Sheshin dhe Fredi Ruçon të Dinamos dhe, me sa duket, në këte forcë përtëritëse të kësaj rinie dinamase, përfshihet edhe ritmika e Panajot Panos. Pa kaluar 60 sekonda Duma shkëmben me Petrelën, i cili sulet i papërmbajtshëm, e rrëzojnë, ngrihet dhe prapë te Duma, i cili gjuan fort dhe 1-0!
Ndeshja sa vjen e rritet në të mirë të Punës së Tiranës dhe Pano ynë është kudo, ndonëse pa pasur guxim që të marrë përsipër përfundime vetjake, por me zgjuarësi, duke përfituar nga shpejtësia e tij, ai punon fort për shokët. Kështu, shkohet deri në të 72′, kur mbrojtësi mik Maksimov detyrohet të shkaktojë vetgol (autogol) në vorbullën e një ngatërrese të shkaktuar prej gjuajtjes së fuqishme të Osman Reçit, kapiten i skuadrës, prej një topi që kthehet nga shtylla. 2-0 është i pastër si talenti i kthjelltë i 18-vjeçarit Panajot Pano.

Për përkim, autori i kronikës së ndeshjes është një njeri, i cili për vitet që do të vinin, madje për gati 20 vjet, nuk do ta hiqte nga zëri i tij këte emër atë ditë fare pak të njohur: “Pano!”. Eshtë gazetari Ismet Bellova. Fraza e tij e shkurtër, e shtypur e bardha në të zezë, është emblematike me gjithë prozaizmin e saj të gazetarisë së periudhës:

“Veç të tjerëve, – parashikon pa mëdyshje Bellova, – meritojnë të dallohen edhe i riu me shumë perspektivë Pano si dhe portieri Metani”. Po, kjo është emblemë e parë për jetën e ardhshme të futbollistit të madh Panajot Pano i skalitur në këte skedë historike: 24.11.1957.
Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”:

PUNA E TIRANES-KRAHET E SOVJETEVE (“KRILLA SOVJETOV”) TE KUJBISHEVIT 2-0
PUNA E TIRANES: Metani, Behushi, Stërmasi, Caslli, F.Ruço (Baçi), Sheshi, Rada, Petrela, Duma, Reçi, Pano. TRAJNER: M.Alla.

KRAHET E SOVJETEVE (“KRILLA SOVJETOV”): Dusmanov, Mazerov, Kalcov, Maksimov, Karpov, Brednjev (Novikov), Rjedkin, Kameniev, Smatrikin, Jonov, Daronjin. TRAJNER: V.Sollovjov.
GOLAT: Duma 1′, Maksimov 72′ (vetgol).
GJYQTARE: S.Kotherja, M.Tiko, M.Laska.

Kjo ishte ndeshja më e bukur e shqiptarëve ndaj sovjetikëve të Kujbishevit, të cilët më pas barazojnë 1-1 me Partizanin, 0-0 me Punën e Shkodrës dhe fitojnë 2-0 me Lokomotivën e Durrësit, të sapoemëruar si “lokomotivë” për t’i përngja Lokomotivës së Moskës. Ky do të ishte emri për më se 35 vjet pa ndalë i skuadrës së qytetit tonë të lashtë, që në shekuj kishte qenë në simbiozë jo me një vijë hekurudhore, por me detin dhe që në vitet ’30 kishte marrë emrin e mbretëreshës ilire Teuta…
Këtu, me vetëm këto dy ndeshje, një kombëtare të pafat (Besa e Kavajës) dhe një ndërkombëtare plot fat (Krahët e Sovjetëve) dhe pa askurrgja tjetër, e mbyll vitin e tij të parë në futbollin e rangut të lartë kombëtar Panajot Pano. Kishin filluar ta njihnin. Trajnerët ia kishin ngulur sytë. Tifozët e mëdhenj të Tiranës, mbas kaq vitesh ëndërronin. Diçka mund të ngjiste vërtet. Trajneri Myslym Alla ishte njeriu i vetëm që ndërsa meditonte për te, kthente kryet disi mbrapa, sepse aty ishin edhe të tjerë. Skender Halili, Fatmir Frashëri…

I futur mbrenda kësaj mëdyshjeje historike të çuditshme shqiptaro-sovjetike, Panjot Pano gjithsesi do të formohej si një futbollist i stilit perëndimor. Ndonëse ende plotësisht nuk mund të thuhej se starti ishte dhënë krejt i fuqishëm për te. Duhej të vinin befasitë e mëdha të viteve 1958-1959…

(Besnik Dizdari)

Burimi: Faqja Tirona – www.tirona.website