Mehdi Gurra

Ka pak kohë që lexuesve u është bërë e mundur të shfletojnë një gazetë të dalë këtu e më tepër se njëqind vite më parë. Shumë prej shfletuesve të sotëm kanë një mundësi për të shuar kureshtjen mbi nivelin gazetaresk të asaj kohe, mbi të shkruarit e shqipes dhe stilin e shkrimit të atyre që shkruanin atëbotë, mbi kornizat ideore të kohës, mbi botëkuptimet dhe afshet e atdhedashurisë të nxjerrësve në shtyp të gazetave, revistave dhe periodikëve sporadikë.

Botimi anastatik i gazetës “Lirija” e ka risjellë atë ashtu siç ishte në botimin e saj të parë, pa i ndryshuar asgjë. Botuesi është kujdesur kështu që gazetës të mos i cenohet asnjë element, qoftë dhe i jashtëm, estetik, për të mos e lënë atë pa atë magji që krijon ndjesinë e zhvendosjes në kohë mendërisht, bartur në një botë të ndezur nga ndryshimet e shfaqura në horizont.

Një përpjekje e përbashkët, e mirëpritur, e Fondacionit “ALSAR” dhe e Bibliotekës Kombëtare ka çuar gjer te ky botim anastatik. Është fjala për një bashkëpunim të konsoliduar pas një përvoje tepër pozitive me botimin anastatik më herët të revistës “Diturija”.

“ALSAR” përmbushi një angazhim të marrë solemnisht, ndihmuar nga Biblioteka Kombëtare. Fondacioni ka hedhur baza të qëndrueshme në krijimin e një tradite të tij për të bërë botime të tilla. Bashkëpunimi me një institucion shtetëror si Biblioteka Kombëtare është dëshmuar si një element thelbësor në përmbylljen me sukses të këtij projekti. Ky bashkëpunim nuk do të kishte shkuar kaq mirë pa qasjen pozitive dhe angazhimin e sinqertë të ish-drejtoreshës së institucionit në fjalë, zonjës Persida Asllani. Ndihma e saj e drejtpërdrejtëështë e pasqyruar në një shkrim ndriçues të kushtuar botimit dhe vetë gazetës si përmbajtje, gjendur në krye të materialit dhe shkruar qartas me zell e dashuri profesionale.

* * *

Me botimin anastatik të gazetës “Lirija” merr trajtë të plotë një cikël botimesh të këtij lloji të Fondacionit “ALSAR”, ku përfshihen dhe revista “Diturija” e “Kalendari kombiar”, duke na dhënë një panoramë të gjerë të lëvizjeve politike, intelektuale dhe atdhetare të fillimit të shekullit të shkuar. Figurë qendrore e gati tre botimeve është Mid’hat Frashëri, me firmën autoriale si Lumo Skëndo. “Diturija” dhe “Lirija” janë pronë e tij, ngjizur e rritur me kujdes si drejtues dhe shkrues në to.

Përfitimi i lexuesve është në këtë mënyrë i dyfishtë, posaçërisht i studiuesve të një kohe intensive në mbrujtjen e ndërgjegjes kombëtare. Së pari, me botimin anastatik të gazetës “Lirija” mund të krijohet një perceptim shumë më i plotë për përpjekjet intelektuale të një numri lëvruesish të publicistikës në vitet që i paraprinë shpalljes së pavarësisë, mund të pikasen më nga afër shqetësimet e tyre shoqërore, mund të dallohet shpirti i tyre poetik.

Së dyti, shfletimi i botimit anastatik të gazetës “Lirija” na jep një tjetër rast për ta çmuar objektivisht trashëgiminë publicistike të Mid’hat Frashërit. Një varg aktivitetesh dhe botimesh një vit më parë në kuadër të rivlerësimit tëfigurisë dhe veprës së tij krijuan dhe polemikë, buruar prej atyre që qëndrimet politike të mëvonshme të këtij veprimtari, përgjithësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, i kanë parë si tejet negative. Krejt e natyrshme që një njeri me një aktivitet të tillë tepër të gjallë, të ngjeshur dhe të larmishëm, të ketë krijuar miq dhe armiq në të gjallë të tij dhe pas ikjes nga kjo botë. “Lirija” ua bën të mundur të dyja palëve që ta kundrojnë më mirë Lumo Skëndon, drejtonjësin e saj, t’ia vlerësojnë nga qasjet e tyre pikëpamjet dhe të shkruarën.

* * *

“Lirija” është një thesar i vogël publicistik. Ështëthesar sepse në të gjen shumëçka tëlëvruar; është i vogël ngaqë gazeta e pati jetën jo fort të gjatë, vetëm diçka më tepër se dy vite, gati tridhjetë muaj.

Botimi anastatik i ka të tërë numrat e gazetës, nga i pari, i dalë më 14 korrik 1908, te i fundit, nxjerrë nga shtypi më 25 dhjetor 1910. Një shumëllojshmëri materialesh gjendet në to: kryeartikuj qëndrimmbajtës dhe shpesh të ashpër, letra të hapura, herë-herë denoncuese, analiza, portrete njerëzish me emër, reportazhe, udhëpërshkrime, shqipërime, poezi të këndshme që i këndojnë dashurisë, prozë të shkurtër, njoftime për botime të reja, lajmërime shërbimesh… Theksi mbi çështjen e gjuhës shqipe është i fortë, i mprehtë. Kongresi i Manastirit, mes të tjerash, trajtohet gjerë e gjatë, dhe për punimet e tij ka raportim të hollësishëm.

Ç’ka në të “Lirija” na e thotë një njoftim i vetë gazetës në numrin e saj të 96-të për një koleksion të saj: “Këto… janë si një histori e mbaruar për ngjarjet e Shqipërisë: n’ato numra do të gjendet çdo punë, çdo mendim, çdo punë e kombit tonë. Dhe kështu, ata që duan dokumente të vërteta do të gjejnë një burim të begatshëm.”

* * *

“O vëllezër! Dëgjoni të them dhe unë dy fjalë shqip: Sot na erdhi ajo ditë e lirisë që e prisnim që kaq kohë…, sot na erdhi ajo ditë e bukur…, sot lindi dielli i bukur i lirisë,” janë rreshta në numrin e parë të gazetës.

Ngazëllimi vjen prej shpalljes së kushtetutës ato mote: “Gazi që po ndjen tani gjithë Turqia është se u dha konstitucioni. Po ç’është konstitucioni dhe ç’të mira na sjell?”

“E nisur si lëvizje reformatore prej disa dekadash, por e realizueshme më në fund vetëm përmes një revolucioni ku shqiptarët dhanë një kontribut thelbësor, Kushtetuta premtonte garantimin e një sërë lirish dhe për popujt e tjerë të perandorisë, duke ‘ligjëruar’ shpesh atë çka deri atëherë kishte nisur të ndodhte ilegalisht në gjirin e tyre, si lëvizjet kulturore e arsimore, shtypja dhe qarkullimi i librave, abetareve, përpjekja për çeljen e shkollave, etj.,” shpjegon znj. Persida Asllani në parashtresën e saj në krye të botimit.

“Lirija” shkruan për lirinë në numrin e tretë, në kryeartikullin, “Ç’është lirija?”

“Liria është që të mos të të trazojë njeri ty, dhe ti të mos i trazosh të tjerët. Mendojini mirë këto fjalë… Se s’është lirija – siç e pandehin ca njerëz – që të bëjë njeriu çdo gjë që i do qejfi!”

Vazhdojmë të lexojmë: “Lirija është një gjë e bekuar, lirija do mbajtur, do ruajtur, do mbrojtur, se ndryshe na e rrëmbejnë nga duart.”

Botuesi i kushton numra të tërë të njëjtës temë, si në numrin e katërt, ku nën titullin “Ç’fituam?” shkruhet, “Më 10 të korrikut e kuptuam të gjithë se punët e Turqisë u nderuan. Qeveria e Turqisë… tani zuri të hyjë në udhë të drejtë…, se me 10 të korrikut u shpall kushtetuta…” Apo në numrin e shtatë, ku lexojmë, “Konstitucioni na jep lirinë, por duhet që ne shqiptarët ta përdorim mirë këtë liri… Kemi shpresë se gjuha jonë do të vihet në shkollat e qeverisë, d.m.th., në të gjitha ato shkolla që janë në Shqipëri dhe që paguhen prej qeverisë…”

Ngjall interes në numrin e dhjetë të gazetës një letër e hapur e Mid’hat Frashërit për “Ismail Qemal beun nga Vlora”, për ta cituar siç është në origjinal. Një letër me një përmbajtje mjaft të ashpër, që duhet lexuar gjithsesi. Në lidhje me këtë letër ndesh në numrat pasues shpjegime të autorit të saj, në përgjigje të reagimeve të ndryshme të cilat ai i përmend.

Numri i 13-të i gazetës hapet me artikullin “Shkollat shqip”, nga i cili veçojmë: “Shqipja jonë… sot mund të lëshojë krahët dhe të fluturojë e çliruar. Sot mund të kemi sa shkolla të duam…”

“Grekërit dhe shqiptarët” është një artikull i numrit 45, që u kujton fqinjëve tanë jugorë se, “duhet ta dinin se nga miqësia e shqiptarëve mund të kenë fitim të madh, dhe nga armiqësia e tyre dëm të fortë”.

Me titullin “Çështja e shkronjave shqip” hapet numri 70 i gazetës; dy numra më pas titulli kryesor është, “Gjuha shqipe dhe fetë”.

Vargjet poetike në faqet e gazetës i japin asaj atë butësi dhe këndshmëri të nevojshme për ta bërë më tërheqëse, më të kërkuar. Vargjet, “Larg mëmëdheut i mërguar, me hidhërim mbushur plot, ditë e natë rri menduar, oh vallë a do kthehem dot,” i ndeshim në numrin 46. Po aty i këndohet dashurisë, “Në kujton Zotin e Perëndinë, në ke një dhimbje në zemrën tate, falma të lutem dashurinë, të rrojmë si mendu s’e pate.”

* * *

“Lirija” ishte një gazetë me vetëm katër faqe, modeste për nga përmasat, e madhe për nga tematikat. Ajo duhet t’ia ketë dalë në kohën e vet që t’i ketë ndërgjegjësuar sadopak njerëzit për hallet e vendit, për hallet e tyre brenda dhe jashtë pragut të shtëpisë; shumë prej atyre derteve nuk kanë gjetur zgjidhje as sot.

Vështruar nga një kënd i caktuar, “Lirija” është një leksion i vërtetë për gazetarinë: si të thuash aq shumë gjëra në aq pak faqe, si të ruash seriozitetin dhe të mbash larg banalitetin në informimin e publikut, si të ndërthurësh politiken me letraren, atdhetaren me emocionet më të thjeshta njerëzore…

Si një botim anastatik, “Lirija” është një pjesëz e rifreskuar e trashëgimisë sonë publicistike!

Burimi: Gazetadita.al