Nga Ergys Alushi

Në dhjetor të vitit 1935, muaji i Ramazanit kishte hyrë e kishte dalë dhe në kafenetë e Tiranës loja e tombolas kishte marrë përmasa të mëdha. Ishte një lojë e lejuar ligjërisht, prandaj dhe dukej sikur të gjithë meshkujt e Tiranës ishin lëshuar kafeneve për të provuar fatin. Secili shkonte me shpresën për të fituar, por dhe secili humbiste.

Ata që fitonin ishte arka e bashkisë dhe e Kryqit të Kuq. Në lidhje me përmasat e mëdha të kësaj loje, një gazetë e kohës në një shkrim për këtë dukuri, ndër të tjera shtronte puetjet .”Sa familje mbeten pa bukë për shkak se burrave u shkrepet të provojnë kismetin? Sa fëmijë mbeten, sbathur e çveshur? Sa nëna qajnë se djemtë e tyre i kanë lënë të gjitha të hollat e fituara kush e di me sa mundime, në tombola?

Sa gra shtrëngohen të hidhen në mjerime, sepse nuk munt të përmbushin nënë këto kondita, as nevojat më elementare të jetesës?…Kush fiton këtu. Vetëm patroni. Vetëm kafexhiu. Të gjithë dërrmohen. Të gjithë bëhen teneqe si nga xhepi dhe nga shëndeti.”

Të premten e datës 7 gusht të vitit 1936 gazeta “Arbëria” njofton një kronikë nga Tirana:

“Ndër këto tri ditët e fundit patrullat e Gjindarmërisë qytetëse të këtueshme, kanë shvilluar një fushatë sistematike kundra lojës së bixhozit. Si ndër kafenetë qendrore ashtu dhe në ato të largmet e të voglat, janë bërë bërë ndjekje të pareshtura dhe bixhoscijtë nuk po gjejnë prehje. Tani nuk shihen më persona duke luajtur bixhoz midis kafeneve”

Burimi: www.telegraf.al