Një prej zërave më të shkëlqyer të muzikës popullore, interpretuesen virtuoze me zë të magjishëm, Luçie Milotin, – edhe pse e ndërpreu para kohe karrierën artistike – ia doli të fitojë e ta ruajë deri sot cilësimin “Bilbili i Ballkanit”.

Luçie Miloti lindi më 11 maj 1930 në Shkodër, në një familje me tradita muzikore. Ngjitur në skenë që në moshën 12-vjeçare, rruga e saj artistike do të merrte drejtim profesional në Radion e Shkodrës, për t’u angazhuar më pas në shtëpinë e Kulturës së këtij qyteti, nën dirigjimin e Preng Jakovës.

Transferimi i familjes në vitin 1946 do ta afronte në jetën artistike kryeqytetase. Fillimisht emërohet si soliste në Radio Tirana nën drejtimin e Paulin Palit dhe një vit më vonë emërohet si soliste në filarmoninë shqiptare. Me krijimin e institucioneve të tjera kulturore artistike profesioniste të kryeqytetit, Luçija u aktivizua në Estradën e Tiranës dhe në 1957, emërohet soliste në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë kësaj periudhe do të jenë të shumta këngët që do të kompozohen për zërin e saj. Do të vazhdojë si soliste në Ansamblin Popullor deri në moshën 45 vjeçare, kur del edhe në pension, për të mos kënduar më publikisht.


Në repertorin e saj artistik numërohen 500 këngë, të cilat këngëtarja i ka përcjellë edhe në vende të ndryshme të botës. “Çila sytë, due me të pa”, “Për mue paska kanë kysmet”, “Bishtalecat palë palë”, “Shpend ma i parë i bukurisë”, “Zanusha”, “Me zaman asaj furije?, “Çu çue Rushja”, etj do të ishin disa nga këngët që dëgjoheshin nëpërmjet Radio Tiranës. Në formimin profesional të mëtejshëm do të këndonte këngë si “Kaçurrelat e tu”, “Synin tënd larushe mij çike”, “Me t’shi hajtshamos”, etj. Luçie Miloti në karrierën e saj ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, si në skenat e shume kryeqyteteve të Ballkanit dhe madje të botës. Në Varshavë është vlerësuar me titullin “Bilbili i Ballkanit”, ndërsa në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si “Bilbili me zë kristalor”.

Disa kompozime e dedikuara kësaj artisteje të mrekulluesme janë kënga nga Pjetër Gaci, me titull: “Qytetit tim” , që e ka kënduar më vonë Sali Brari. Rud Gurashi, këngën me titull: “Shpend ma i parë i bukurisë”, Zef Leka, me këngën: “Synin tand larush moj çike”, të Xhevat Lishit, me tekstin e Lah Mema: “Zani yt, na sjell pranverë” dhe e këndon Meri Zefi. Në fund të 2004 nga kompozitori lezhjan, Agim Velaj: “Lauresha e Shkodrës”.
Për kontributin e saj muzikor, më 1961 mori titullin “Artiste e Merituar”, ndërsa disa dekada më vonë u nderua me urdhrin “Mjeshtër i madh” nga ish-Presidenti Rexhep Mejdani. Me vendim të bashkisë së Tiranës, një rrugë e kryeqytetit ka marë emrin e këngëtares së mirënjohur Luçie Miloti.
Ajo mbahet mend si këngëtarja me zërin e ëmbël, e cila për vite të tëra u konsiderua si ligjëresha e këngës së bukur shkodrane. Edhe pse e mbylli para kohe karrierën artistike dhe i mungoi fizikisht skenës për vite të tëra, zëri i saj mbetet i paarritshëm edhe sot e kësaj dite nga artistët shqiptarë që e pasuan në fushën e muzikës popullore.

Luçie Miloti u nda nga jeta më 15 maj 2006.

Burimi: Voal.ch