Nga Bardha Nergjoni

Megjithëse Elbasani në 1909 hapi të parën shkollë për mësues në trevat shqiptare, për regjistrimin e vajzave u deshën të kalojnë disa vite. E para femër që  do të kishte mundësinë të shënonte emrin e saj në regjistrat e Normales së famshme, do të ishte Luiza Papajani. Aq bujë bëri ky fakt aty rreth viteve ‘20, sa për një vit Luiza kishte privilegjin të hynte e para në shkollë dhe të dilte e para nga klasa si shenjë respekti e të gjithë djemve që vazhdonin Normalen.

Historia e vajzës së parë në Normale tregohet nga e bija e saj, Valentina Gjevori. Edhe pse ajo do të kishte privilegjin të vazhdonte e para shkollën e mësuesve, vështirësitë për të nuk do të kishin të sosur derisa doli në pension. Valentina thotë se nëna e saj ishte mbesa e Vasil Andonit, i njohur si aktivist i Ballit Kombëtar dhe kjo do t’i kthehej kundër pas çlirimit duke përfunduar pa shtëpi dhe në shkollat më të largëta të Elbasanit.

Luiza në moshë të thyer, dalë me ish-bashkëkohës normalistë
Luiza në moshë të thyer, dalë me ish-bashkëkohës normalistë

“Luiza ka lindur në lagjen Kala në mars të vitit 1914 ku edhe ka kryer shkollën fillore. Prindërit si dashamirës të arsimit e dërguan në shkollën e vajzave në Korçë. Për shkak të problemeve shëndetësore, Luiza u detyrua të kthehet në Elbasan dhe daja i saj, Vasil Andoni për të mos e lënë pa shkollë e regjistron në Normalen e Elbasanit ku edhe ishte drejtor. Ishte e vetmja femër në Normale për një vit dhe më pas janë shkolluar edhe vajza të tjera elbasanase. Nëna respektohej shumë nga të gjithë, aq sa ajo do të hynte e para në shkollë pas rreshtimit të nxënësve dhe do të dilte e para nga klasa e më pas do të dilnin nxënësit e tjerë me përfundimin e mësimit.

Mbaroi shkëlqyeshëm në shkollë dhe duke qenë ndër të parat mësuese femra, Luiza jep mësim në Institutin ‘Femnuer Nana Mretneshë’ në Tiranë. E gjithë kjo ndodhi në vitet para çlirimit kur ajo kujtonte ditët më të bukura të mësimdhënies.  Puna e saj si mësuese do të merrte kthesë në të kundërtën direkt pas çlirimit. Duke qenë mbesë e Vasil Andonit, me arratisjen e tij, do të ishte i menjëhershëm transferimi i saj nga kolegji mbretëror në fshatin Rrilë në malet e Elbasanit.  Nëna duhet të kalonte përroin e Zaranikës që të shkonte të jepte mësim në shkollën e largët. Ajo vuante nga epilepsia dhe sa herë që kalonte ujin rrezikonte jetën. Madje vështirësitë ishin të mëdha edhe për kushtet ku do të qëndronte për shkak të varfërisë së skajshme të familjeve fshatare”.

Valentina tregon se shumë shpejt ato do të mbeteshin pa të atin i cili për shkak të disa problemeve shëndetësore dërgohet nga regjimi komunist në Jugosllavi për mjekim por me mbylljen e kufijve për të nuk u mësua asgjë dhe ende ajo nuk di fundin dhe varrin e të atit.

E vetme me dy vajza Luiza do të vazhdonte mes vështirësive të shkollës së fshatit dhe përndjekjen e familjeve që kishin lidhje me përkrahësit e Ballit. Drejtuesit komunistë i lëvizën nga shtëpia e madhe dhe Luiza bashkë me fëmijët dhe nënën e saj u strehuan përkohësisht tek familja Bici me të cilët kishin lidhje familjare. Më pas nëna e Luizës bënë të pamundurën që ato të ktheheshin në shtëpinë që kishin dhe mundën të kthehen pas disa kohësh.

Edhe pse ishte mësuese shembullore, që përkushtohej totalisht ndaj nxënësve, Luiza vjen në qytet vetëm në prag të pensionit.

Luiza-mësuese gjatë një parakalimi me Institutin “Nëna Mretëreshë”, Tirane
Luiza-mësuese gjatë një parakalimi me Institutin “Nëna Mretëreshë”, Tirane

 

“Vështirësitë për nënën time kanë qenë të mëdha edhe për faktin se ne shiheshim si familje me biografi të keqe. Asnjëherë nuk u vlerësua puna e saj, edhe pse ishte një mësuese shembullore. Vetëm pas ardhjes së demokracisë iu dha urdhëri “Naim Frashëri”, që është edhe i vetmi vlerësim që ka marrë në gjithë jetën e saj” shprehet Valentina.

Dy vajzat e saj vazhduan shkolla të vështira për kohën pasi degë të tjera nuk i lejoheshin. Njëra prej tyre mbaroi Teknologjiken në Tiranë dhe punoi në konservim. Vetëm pas shumë përpjekjesh arriti të studiojë kimi industriale. Ndërkohë Valentina mbaroi fizikë dhe shërbeu gjithë jetën e saj në arsim. Shkencat ekzakte janë karakteristikë e familjes Gjevori dhe duket se kjo prirje është përcjellë edhe tek më të rinjtë.

Edhe pse ajo ishte e para femër në Normale dhe gjithë jetën i shërbeu arsimit, emri i saj nuk është përjetësuar një asnjë institucion shkollor madje njihet shumë pak për të thënë aspak edhe pse ishte vajza që theu tabutë. E harruar në fshatrat e largët në komunizëm dhe pak e njohur pas viteve ’90, Luiza do të ishte shembulli i mësueses që sakrifikoi madje edhe fëmijërinë e vajzave të saj me një përkushtim të rrallë për nxënësit. Madje thonë se edhe monumenti i vendosur në qendër të qytetit të Elbasanit me siluetën e një femre mësuese, ka shumë nga Luiza Papajani, një shembull përkushtimi në kohën kur vështirësitë ishin të mëdha dhe sakrificat e mësuesve të papërshkrueshme. /tesheshi.com/