Ti nuk je krijuar nga dheu ose uji.

Ti nuk je nga ajo botë që rrotullohet me anë të këtij uji e dheu.
Forma është ujë i rrjedhshëm,
Shpirti është uji i pavd, ekshëm,

(Rumi)
Aktori Kristian Koroveshi me “Mbrëmë i pëshpërita një ylli” ngjit në skenë Luiza Xhuvanin dhe Ndriçim Xhepën. Të enjten në datën 7 nëntor 2019, në orën 19:00 publiku kryeqytetas do të shijojë interpretimin e dy mjeshtrave të skenës, Luiza Xhuvani e Ndriçim Xhepa dhe aktorit të ri më të mirë, i vlerësuar me këtë çmim në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, Kristian Koroveshi. Lirika e dashurisë së Rumit mishëron njeriun si qenie humane dhe si një vepër e natyrës, vjen në skenën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

Tre aktorët e skenës shqiptare premtojnë emocione të papërsëritshme në këtë natë të teatrit të poemës dramatike. Pas shumë pune e përpjekjeje, afërsisht 1 vit e gjysmë, Kristian Koroveshi ka ndarë me miqtë e tij lajmin e një ngjarjeje kulturore për të, shumë të rëndësishme në pikëpamjen profesionale dhe njerëzore. “E kam mbajtur të fshehtë me padurimin për ta ndarë, por edhe i trembur prej supersticionit që ia them vetes ngaherë ‘mos trego para se të ndodhë’. Sot mezi pres t’u pëshpëritim yjeve me zërin e shpirtit, pa pasur frikë se i trembim dritën”, thotë aktori.

“Ti je vepra e fshehtësive të Perëndisë” pëshpërin Rumi…
“Unë këtë mund t’ia them vetëm Luizës për të cilën fjala ‘përulje’ është e paktë. ‘Ti je deti i pafund me gurë të çmueshëm’ thotë përsëri Rumi… Kurse unë duhet t’ia them Ndriçim Xhepës.

Sot kam me vete lumturinë dhe frikën. Lumturinë se do shohim bashkë dy prej njerëzve që bëjnë histori në artin skenik, në një kohë kur gjithçka është e përzier dhe mezi shquhet fuqia e vlerës se vërtetë”, shkruan Koroveshi. Ai thotë se ka frikë prej emocionit, prej besimit të tyre dhe mbase prej zgjimit nga ëndrra, të cilën e ka ushqyer që në fëmijëri duke i parë si personazhe sublime. “Mezi pres dhe iu ftoj në një natë ëndrre, në një dialog për dashurinë, për atë të vërtetën, mistiken, fuqinë që lëviz botën, shkruar 11 shekuj më parë dhe që tingëllon më aktuale edhe se sot, duket ideale, e paprekshme, por ne do e prekim bashkë me Luiza Xhuvani dhe Ndriçim Xhepa”, thotë ai, duke ftuar të gjithë në një darkë për dashurinë, dialog poetik për jetën dhe një rrëfim i shpirtit.

Burimi: www.gsh.al