Luiza Xhuvani do rikthehet në skenën e Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli si Medea. Gruaja e tragjedisë greke do të vijë nën intepretimin e Xhuvanit, për të mishëruar tragjedinë që I flet ende kohëve të sotme.

Nën regjinë e Dhimitri Milonais në këtë vepër do të intepretojnë aktorë të njohur si Roza Anagnosti, Ahmet Pasha, Viktor Zhusti, Alfred Trebicka, Adriana Tolka, Kristian Koroveshi, etj. Tragjedia e lashtë greke “Medea” bazohet në mitin e Jasonit dhe Medeas dhe u ngjit në skenë për herë të parë në vitin 431 para Krishtit. Subjekti përqendrohet mbi veprimet e Medeas, dikur princeshë e mbretërisë “barbare” të Kolkias dhe bashkëshorte e Jasonit.

Ajo sheh se pozita e saj në botën greke është e kërcënuar, kur Jasoni e braktis për t’u martuar me një princeshë greke të Korintit. Medea merr hak mbi Jasonin, duke vrarë bashkëshorten e tij të re, po ashtu edhe dy bijtë e vet, për t’u arratisur më pas në Athinë për një jetë të re.

Kjo tragjedi është një tablo mjeshtërore e pasionit me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete. Vuajtja dhe ndjeshmëria e dashurisë së vrarë vizatohen fuqishëm, deri sa kulmojnë me veprën e tmerrshme të hakmarrjes. Fuqishëm është ravijëzuar gruaja me joshje të jashtëzakonshme, e cila është njëkohësisht e dobët. Notat e butësisë mëmësore janë patetike në shkallën më të lartë.

Lufta e emocioneve, gjeneruar nga pasioni, rrëfehet në mënyrë të admirueshme; dhe mes gjithë stresit nga konflikti i tyre, dhe mes gjithçkaje të sofistikuar dhe iluzive, që gërryen shpirtin, urrejtja dhe hakmarrja fitojnë betejën.

Medea është kriminele, por jo pa shkak dhe jo pa forcë e dinjitet. Në dallim nga Eskili epik dhe Sofokliu i përqënduar te ndërveprimi i karaktereve, Euripidi i hapi artit dyert e një bote të re dhe na jep një pamje më të afërt të ndjenjës pasionante, edhe në format e saj më të pastra, edhe në çmenduritë më të egra, të cilat kontrollojnë, pështjellojnë apo shkatërrojnë njerëzit.

Vepra është shkruar nga Euripidi i njohur si shkrimtar dhe novator i ideve në tragjedinë antike greke, apo më mirë i njohur si babai i tragjedisë: Euripidi lindi në Athinë në vitin 480 p.e.s dhe vdiq më 406 në Pele të Maqedonisë, ku edhe u varros. Kronologjikisht Euripidi është i treti ndër tragjediografët grek Eskilit dhe Sofokliut.

Emri i tij, sikurse edhe i Eskilit dhe i Sofokliut lidhet me luftën e famshme te Salaminës. Dhe sipas disa shënimeve të mundshme të besueshme Euripidi lindi më 20 shtator 480 p.e.s., përderisa Sofokliu 16 vjeçar himnizonte bëmat e luftës ndërsa 45 vjeçari, Eskili i famshëm ishte luftëtar. Ishte një adhurues i flaktë i Demokritit dhe Herakliut, dhe pikërisht kjo ishte arsyeja se përse ai kishte një bibliotekë të pasur të veten.

Edhe pse vinte nga një familje e varfër ai mundi të marr formësimin e gjithanshëm intelektual. Ishte nxënës i Anaksagorës dhe mik i mirë ngushtë i Sokratit. Si i ri ishte marrë edhe me atletikë dhe me pikturë e muzikë, ndërsa studioi filozofinë por përfundoi me poezinë dramatike, përderisa nuk është marrë fare me politikë mirëpo i ka paraqitur idetë e tij politike nëpër veprat e tij. Për Euripidin thuhet se jetonte dhe vepronte në një shpellë të një ishulli, ku edhe kishte mundësinë të frymëzohej nga deti, gjë të cilën e dëshmon edhe njohuria e tij mbi detarët dhe jetën e tyre.

Sidomos, në tragjedinë e tij “Ifigjenia në Taulidë”. Euripidi nuk ishte ndonjë fans i madh i politikës, andaj edhe nuk ishte marrë asnjëherë me të, edhe pse paraqitjet e ideve të tij ngjasonin në interpretime politiko-filozofike, prej ku edhe e mori nofkën “Filozof i skenës”

26 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)