Vrapon kërmilli nëpër pyll dhe takon dhelprën. E pyet dhelpra;

– Përse nxiton kaq shumë, për ku je nisur?
– Po më ndjek policia financiare – i thotë kërmilli.
– Edhe, ç’punë ka policia financiare me ty? – pyeti sërish dhelpra.
– Unë kam shtëpi, gruaja ime ka shtëpi, fëmijet e mi kanë shtëpi…

Kur dëgjoi dhelpra se për çfarë bëhet fjalë, filloi të vraponte edhe ajo. Në nxitim e sipër, takon lejlekun i cili e pyet.

– O dhelpër, përse me kaq nxitim?
– Po me ndjek policia financiare – i thotë dhelpra.
– E përse po të ndjek? – pyet lejleku.
– Unë jam e veshur e tëra me gëzof, burri me gëzof, të gjithë fëmijët me gëzof…

Akoma pa mbaruar dhelpra fjalën lejleku ia dha vrapit. Në nxitim e sipër i del përpara majmuni, e natyrisht edhe ai duhet të pyesë;

– O lejlek, prej kujt po nxiton të fshihesh?
– Nami, majmun, nami, policia finaciare po më ndjek.
– Pse nami dhe pse po të ndjek? – pyet majmuni.
– Nami për shkak se këmbët e gjata na i llogarisin si standart. Pra, unë siç e sheh jam në standarte te larta, gruaja në standarte të larta dhe fëmijet po ashtu në standarte të larta.

Me të dëgjuar se kush është arsyeja e vrapit të kafshëve, fillon edhe majmun të vrapojë me sa mundej. Kur e shikojnë kafshët e tjera, çuditen dhe e pyesin;
– Po ti pse po vrapon, kush po të ndjek?
– Në kësi situatash, neve bythzbuluarve, neve pabreksave, na godasin të parët…

Fabul nga Fatmir S. Baçi