Një gjigand i gjunjëzuar. Kështu mund të vlerësohet sot ish Kombinati “8 Nëntori” në Maliq, që dikur zhurmonte nga puna, Në këtë kombinat prodhohej sheqeri, niseshteja, alkooli… ndërsa sot është një strehë e braktisur, ku fshihet lavdia e dikurshme. Ata që kanë punuar në këtë kombinat që sot është rrënojë, sa herë kalojnë në këto anë, kanë nostalgji për vitet e kaluara në korridore dhe fabrika të cilat duket se janë ende brenda godinës, duke përjetuar ndryshkjen nga koha. Dikur një qytet që ëmbëlsonte Shqipërinë, sot një vend që athëton vetveten.

Maliqi, ky qytet në juglindje të vendit, në Qarkun e Korçës, është krijuar vonë. Zanafillën e krijimit e ka në nëntor të vitit 1951, kur u inaugurua edhe fabrika e sheqerit, që mori emrin “8 Nëntori”. Me kalimin e viteve ai mori formë e zhvillim. Krahas fabrikës së sheqerit dhe aksesorëve të saj për prodhimin e niseshtesë, alkoolit dhe bërsive të panxharit për bujqësinë, u ndërtuan ndërmarrje shërbimesh, tregtare dhe komunale; u ndërtua shkolla e mesme, qendra shëndetësore, kinoklubi, shtëpia e kulturës, estrada dhe teatri amator, klubi sportiv etj. Duhet thënë se Maliqi ka nxjerrë shumë talente në art dhe në sport.

Sot, ky qytet me rreth 6 mijë banorë, i cili ndodhet 13 km larg qytetit Korçës, nuk i ka më ato fabrika për të cilat u krijua. Ata që kanë punuar aty, jetojnë me ëndrrën se një ditë do të bëhet më mirë… dhe kanë shpresë për një rihapje të mundshme të fabrikës, siç edhe është folur kohët e fundit; dhe sa herë hapen fjalë që kombinati do të vendoset në punë, ata më shumë se gjithçka, duan ta besojnë.

Premtimi qe shkrihet si…sheqeri

“Na kanë thënë që do hapet përsëri, por s’po shohim gjë. Dikur ishte i gjithë populli në punë, ndërsa sot, i gjithë populli në kafene”- shprehet një nga banorët e qytetit… Të rinjtë preferojnë të ikin larg, ndërsa ish Kombinati, simboli i qytetit, është kthyer në një grumbull gërmadhash dhe simbol të papunësisë… Ndaj një fjalë e vetme banorëve u zgjon shpresën se, pavarësisht pamundësisë për të punuar në një “kohë të dytë” aty, ky kombinat do të fillojë të punojë përsëri ashtu si dikur.

Në fakt, po të futesh në kombinat shikon këtë madhështi dhe brengën që sjell më pas braktisja e tij. Gjithçka rreth kësaj rrangalle të përzihet me të kuqen e murrëtyer të tullave. Në këto kohë, ndoshta ky vend mund të shërbejë vetëm për artistët e artit kontemporan, që duan të hapin ekspozita dhe t’i kthejnë këto gërmadha në atraksion turistik.

Maliqi i shtëpive me tulla dhe çati me tjegulla, sot mbahet nga emigrimi dhe ajo pak bujqësi dhe blegtori… Qyteti e ka të rrënjosur shumë të shkuarën, ndërsa për të ardhmen pak flitet. Dhe njerëzit në Maliq e kanë fituar të drejtën që të jetojnë me të shkuarën, sepse aty janë pikat e tyre të referimit, ndërsa e ardhmja për ta duket se është larg, shumë larg. Duket se qyteti i Kombinatit të Sheqerit që ëmbëlsonte shqiptarët në kohën e hidhur të diktaturës, sot është thjesht një hidhësi e botës së çuditshme shqiptare.

Marrë nga faqja në Facebook: Maliq City

Advertisements
Advertisements