Nga Vepror Hasani

Kënga fituese u shpall. Triumfoi interpretimi i këngëtarit:Eugent Bushpepa me këngën“Mall”, me muzikë dhe tekst të vetë autori, dirigjuar nga Jetmir Barbullushi. Këngët ishin dëgjuar ditë më parë, u dëgjuan edhe në festival, gjithkush kishte këngën e vet të pëlqyer. Për tre ditë me radhë zemra e gjithkujt rrahu për këngën e vet, por kënga që mblodhi më shumë zemra adhuruesish ishte ajo e këngëtarit të mirënjohur Eugent Bushpepa.

Urime këngëtarit! Kjo këngë do të mbahet mend gjatë edhe për një arsye tjetër: është kënga fituese e festvalit më madhështor në këto 56 vite të jetës së tij, dhe më i bukuri në këto 27 vjet. Prezantuesi i mirënjohur i Festivalit Adi Krasta, në një çast të natës së dytë tha: “Jam i bindur se ditë të mira do të vijnë për Radiotelevizionin publik, siç duhej të ndodhte gjatë këtyre 27 vjetësh, 27 herë.” Por, kjo ndodhi vetëm nën drejtimin e Drejtorit të Përgjthshëm të Radio-Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi.

DINJITET PËR ARTISTIN

Kënga fituese u vesh edhe me shkëlqimin e skenës. Këtë vit gjithçka ishte ndryshe. Skena u shndërrua në një shtëpi të artë, me ngjyra dhe drita, e ngrohtë dhe mikëpritëse. U ftuan banorët e saj, të rinj dhe të hershëm. Dhe ata erëdhën siç kthehen bijt në shtëpinë e tyre: Elton Deda, Mariza Ikonomi, vëllëzërit Stefi dhe Endri, Voltan Prodani, Eugent Bushpepa, vëllezërit Tukiçi, Bojken Lako,  Manjola Nallbani, Redon Makashi, por edhe të rinj si Luis Ejlli dhe Rezarta Smaja.

Ata sollën më të bukurën e shpirtit të tyre – këngën, dhe gjetën aty çdo detaj të menduar dhe të kuruar mirë; përpjekjet për një regji, skenografi, orkestër dhe prezantim si ato të Festivalit të Sanremos. Pse jo? Festivali i Këngës së Lehtë shqiptare ka 56 vjet jetë, jo pak; vetëm 12 vjet diferencë nga ai i Sanremos; është festivali i tretë më i vjetër në Europë; këngëtarët shqiptarë këndojnë në skenat më prestigjioze të botës.

Për të gjitha këto arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi, ofroi mbështetjen e vet, ndoqi me përkushtim realizimin e projektit –  madhështinë e Festivalit. U instalua teknologjia më bashkëkohore. Publiku ndoqi me vëmendje gjithçka. Herë pas herë pati telefonata prej njerëzve. Pyesnin për gjithçka. Korçarët nuk ndenjën pa bërë ndonjë vërejte të vogël. (Çfarë i kishin kërkuar korçarët drejtorit Gëllçi u bë e njohur nga Krasta, natën e parë të festivalit). Në këto ambiente të mirëkurura, vargjet e këngës fituese u dukën sikur zbrisnin prej qiellit:

Një pritje e gjate

E embel e zjarrte

Ca hapa trokasin si zemer kete nate

Une ndjek ritmin e saj

NJË FESTIVAL NDRYSHE

Pallati i Kongreseve ishte plot. Në çeljen e natës së dytë të Festivalit, kur Krasta u ngjit në skenë dhe hodhi sytë mbi spektatorët, tha:  “Të dashur  teleshikues një sallë kaq të mbushur kisha vite që nuk e kisha parë, jam i bindur që nesër do të jetë një çmenduri nga ata që simpatizojnë Festivalin e Këngës!” Të pranishmit patën rastin të shihnin një shtëpi si në përalla; shenjë nderimi për këngën shqiptare, për këngëtarët, poetët, kompozitorët, orkestruesit, instrumentistët, dirigjentët, balerinët, koreografët etj. Gjithçka ishte realizuar me një imagjinatë të shndritshme prej grupit krijues të festivalit me regji të të mirënjohurit Pali Kuke dhe skenografi të Albi Çifligut. Për Kuken ky ishte festivali i 7-të si regjisor, ndërsa për Çifligun si skenograf, i dyti.

Festivali prezantohej prej njeriut të talentuar të skenës, Adi Krastës, i aftë dhe fisnik si zot shtëpie për mirëpritje të mysafirëve me finese, buzëqeshje, dashuri, humor e inteligjencë. Grupi krijues kishte guxuar të riskonte. Guximi i tyre ishte nxitur edhe prej Drejtorit të Përgjithshëm, Gëllçi. Orkestra u vendos në pozicionin tradicional të saj, hapësira skenike iu la shfaqjes, performacës së këngëtarëve, balerinëve, fantazisë krijuese të koreografëve, prezantuesit, të ftuarve etj. Në qendër të kësaj madhështie dritash, ngjyrash dhe frymëmarrjesh artistët e gjetën veten në shtëpinë që meritonin. Vargjet e këngës ishin vërtet te ndjera:

Dy duar qe zgjaten perpijne ne ngrohtesi

Ky mall qe te djeg nuk njeh kufi as largesi

Asgje ne kete bote nuk mund ta shprehe dot ndjesine

Kur zemrat bashkohen dhe prape rrahin si nje

Në lidhje me gjetjen e idesë skenografike Albi Çifligu deklaroi për RTSH: “Ishte vendim shumë i guximshëm, vendimmarrje e vështirë, jo vetëm nga unë, por nga të gjithë njerëzit që jemi marrë me koncertin dhe projektin”. Kurse regjisori Pali Kuke tha: “Dëshirojmë të shënojmë gol”, Me këtë shprehje Kuke donte të thoshte se grupi organizator ishte në pritje të suksesit të Festivalit. Pas kësaj shtoi edhe diçka tjetër: “Të kënaqur jemi edhe me barazim”, kjo shprehje nënkuptonte “të paktën të mos bëhemi “preh” e sulmeve të padrejta siç ndodh rëndom në Shqipëri”.

SURPRIZA

Festivali u shoqërua nga surpriza të njëpasnjëshme. Performoi kantautori italian, kompozitori i përmasave botërore Riccardo Cocciante. Tingujt e Margaritës pushtuan publikun. Provoi dhe Krasta të këndonte me Coccianten, të famshmen “Bel”. Çdo minutë kalonte këndshëm. Publiku ndoqi edhe duetin Cocciante-Elhaida Dani. Në një interevistë me Adi Krastën, Cocciante tregoi pjesë të vogla nga jeta e tij:

“Jam shumë i druajtur, – tha, – kur isha i ri isha dhjetë herë më i druajtur… Kuptova që të kënduarit ishte një mënyrë e mirë komunikimi për t’u shprehur. Kënga më ka shpëtuar jetën. Ndoshta, pa muzikën do të kisha humbur. Muzika është shumë e rëndësishme për mua dhe për shumë njerëz që ëndërrojnë një jetë më të mirë”. Pastaj tregoi diçka tjetër: “Kam lindur në Vietnam, nëna ishte franceze, babai italian.

Qëndruam 11 vjet atje. Gjuhë e parë ishte frëngjishtja. Italishten e mësova kur u ktheva në Itali. I kam dëgjuar të gjitha festivalet e Sanremos, jam më frances nga italianet dhe më italian nga francezët. …Shpesh më thonë që bëj këngë dashurie. Unë u them që bej këngë humori, mendoj që jam impresionist…”. E mrekullueshmja Elhaida Dani këndoi këngën “I’m alive”. Krasta prezantoi edhe Jurinë. Kemi Juri dinjitoze,- tha ai – me njerëz të talentuar e të aftë, të zgjedhur me 6/9-tat; kryhesohet prej kompozitorit të mirënjohur Limos Dizdari dhe anëtarët Adrian Hila, Markelian Kapedani,  Ilirian Zhupa dhe  Zana Çela. “Do të fitojë kënga më e mirë”, tha Krasta. Dhe vërtet, Juria përzgjodhi  këngën më të mirë. Ishte po ajo këngë që pritej nga pjesa më e madhe e publikut:

Dua te hesht ne kete nate i shtrire ne kete shtrat

Ku endrrat hyjnore sherojne cdo plage

Te shoh portretin e saj

Momentet kalojne

Sekondat nuk falin

 

RRRUGA E FESTIVALIT

Rruga e përshkruar prej Festivalit të Këngës në Radio-Televizion, nuk ka qenë e lehtë. Një histori e shkurtër e aktorit të mirënjohur Kastriot Çaushi, tregonte shumë për kohët e shkuara, pa përmendur këtu Festivalin e 11-të, por edhe “gjërat e vogla”, kushtonin shumë:

“Sot jam vërtet i emocionuar, – nisi të rrëfehet aktori i kinematografisë Çaushi,- sepse për herë të parë, përpara një publiku të madh, me një emocion të jashtëzakonshëm, kam dalë në festivalin e 14-të. Prezantoja festivalin bashkë me një vajzë që e kishte emrin Rexhina Malaj; vinte nga arti. Skena ishte gati për t’u hapur. Pyetën: litarët  gati?  Gati, erdhi përgjigjja. Unë isha duke përsëritur me zë tekstin, kisha mbërritur aty ku thoja: “Prezantojnë festivalin Rxhina Malaj” dhe ajo thoshte emrin tim, Kastriot Çaushi, kur në këtë çast ndiej një dorë në sup.

Kthej kokën: njeriu më i rëndësishëm  i festivalit!  Si e ka emrin ajo vajza? – më pyeti. Rxhina, – i thashë. Nuk e ka Rexhina, e ka Rezarta.  Rxhina, përsërita unë.  Rezarta,- tha ai,- se Rexhina është emër italian. Mos!.. thashë, dhe nisa të përsërisja me vete Rezarta, Rezarta, Rezarta. Dola para spektatorit dhe thashë: “Të dashur spektorë, prezanton festivalin Rezarta …? Mbiemri i saj më kishte ikur, nuk më kujtohej më … Pas katër sekondash Rexhina tha mbiemrin e vet Malaj dhe vazhdoi festivali. Të tjerë të ftuar dhe bashkëprezantues të Krastës, si trajneri i kombëtares italiane Kristiano Panuçi dhe ish trajneri i kombëtares sonë Gianni De Biasi, Enkel Demi, Flutura Çanga, Klea Huta, Aurela Gaçe, Inis Gjoni, Gazmend Gjoka, Ema Andrea, Adelina Ismaili dhe Rudina Magjistari, prezantuese e tri festivaleve i dhanë ritëm dhe atmosferë festivalit të këngës.

VLERËSIME

Është e pamundur të shkruhen të gjithë surprizat. E veçantë dhe e shumëpritur performanca e këngëtares së mirënjohur Elsa Lila, e cila i bëri bashkë Mozartin me Lasgush Poradecin. Për publikun shqiptar interpretoi Piano Concerto No.23 “Dremit liqeni i kaltër” dhe pjesë të tjera të kompozitorëve të medhenj. Duartrokitjet ishin të pafundme.  Por, po ndalemi paksa dhe te vlerësimet. Festivali i 56- të u përshëndet nga ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Alexander Arvizu, u pwrshwndet edhe nga artitstët shqiptarë: Kompozitori Limos Dizdari tha: “Kam ndier një entuziazëm të veçantë. Kemi patur një ndihmë të madhe nga spektatori, ka reaguar në mënyrë të shkëlqyer. Nuk është kompliment vetëm për spektatorin, por edhe për ju Krasta dhe për të gjithë artistët në këtë sallë të madhe, është festivali më i madh dhe më i bukur që mund të bëjë Shqipëria

Kurse kompozitori Adi Hila u shpreh: “Këtë vit i keni dhënë dorën Festivalit dhe po e nxirrni nga një gropë e madhe”

Ishin këto përpjekje që realizuan një festival, që i bëri shqiptarët të ndihen mire dhe ta ndjekin me kureshti dhe ëndje. Tingujt e këngës fituese ende ndihen tek adhuruesit e saj:

Oret pasojne por ndjenjen se ndalin, jo

Si me magji hena shikimet perpin

Me sjell vegimin tend

KËNGËTARËT PJESËMARRËS

Nata e parë: Elton Deda, Mariza Ikonomi, Stefi dhe Endri, Evans Rama, David dhe Genc Tukiçi, Voltan Prodani, Eugert Bushpepa, Rezarta Smajli dhe Luiz Ejlli, Bojken Lako, Manjola Nallbani, Redon Makashi

Natën e dytë: Orgesa Zaimi, Denisa Gjezo, Grupi NA dhe Festina Mejzini, Lorela Sejdini, Artemisa Mithi, Ergi Bregu, Akullthyesit & Armand Dubali, Xhesika Polo, Inis Neziri, Tiri Gjoci, Lynx.

Nata finale: Artemisa Mithi, Bojken Lako, Denisa Gjezo, Elton Deda, Eugent Bushpepa, Inis Neziri, Mariza Ikonomi, Manjola Nallbani, Festina Mejzini dhe Grupi NA, Orgesa Zaimi, Redon Makashi, Rezarta Smaja & Luiz Ejlli, Tiri Gjoci, Voltan Prodani/Konica/

Kënga fituese