Prek trashëgiminë, Manastiri i Shën Mërisë në Kakome

Statusi i objektit: Manastiri i Shën Mërisë në Kakome është shpallur monument kulture i kategorisë së parë nga Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës me vendim nr. 6, datë. 15.01.1963, Ministria e Arsimit dhe Kulturës, Drejtoria e Kultures me vendim nr. 68/7 datë.30.05.1970, Ministria e Arsimit dhe Kulturës me vendim nr.1886, datë.10.06.1973.

Viti/koha e ndërtimit: Shek. XVI-XVII.

Vendndodhja: Fshati Nivicë, Bashkia Himarë.

Përshkrimi: Manastiri i Shën Mërisë së Kakomesë ndodhet në gjirin piktoresk të Kakomesë në një pozicion dominues në faqen e malit.

Sipas një mbishkrimi mbi portën perëndimore, brenda naosit, kisha e Shën Mërisë është pikturuar në vitin 1672 nga Mihali, me origjinë nga katundi Zerma. Studiuesi anglez Hammond dhe ai grek Versakis, që e vizituan manastirin në fillimet e shek. XX mendojnë se kisha duhet të jetë ndërtuar mbi një objekt kulti më të hershëm.

Kisha është trikonkshe me tri absida dhe një kupolë në qendër të naosit. Në brendësi të kishës, mbi 4 kollona krijohet bërthama katrore mbi të cilën ngrihet kupola me tamburin 8 faqësh.

Në muret e naosit ruhet në gjendje të mire piktura murale dhe ikonostasi prej druri. Manastiri bën pjesë tek manastiret e fortifikuar. Ai përbëhet nga kisha, konakët e manastirit dhe në murin rrethues ruhet një banesë e fortifikuar e tipit kullë.

Kulla është trikatëshe, ku secili kat përbëhet nga një kthinë e vetme. Dy katet e para janë pajisur me frëngji në të katër muret, ndërsa kati i tretë, përveç frëngjive, ka edhe disa dritare të vogla për ndriçim.

Një ekspeditë e disa arkeologëve grek pak përpara Luftës së Parë Botërore bën fjalë për një ungjill të shek. XI, që ruhej në ambientet e manastirit. Egzistenca e këtij ungjilli dhe prania e një biblioteke në ambientet e manastirit konfirmohet dhe nga një artikull në periodikun “Hylli i Dritës”, në vitin 1938.

Bibliografia: F. Versakis., Byzantiakoi Naoi tis Voreiou Ipeiru, i Komis tis Theotoku Vllaho-Goranxi/Zevat/Kakome, Praktika tas Arkaiologikes Eterias 3, 1914, f, 255-260; A. Baçe, A. Meksi, E. Riza, Gj, Karaiskaj, P. Thomo., Historia e Arkitekturës Shqiptare, I.M.K, Tiranë 1979, f. 371; Th., Popa, Mbishkrime të Kishave në Shqipëri, A.SH.E.SH, I.H, 1998, f. 298-299; Gj. Karaiskaj., 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, ShB “5 Nëntori”, f. 312-315.

Funksioni: Objekt kulti, monument kulture.

Hyrja: Pa biletë

Foto: D.R.K.K-Vlorë

Itinerari: Për të vizituar manastirin e Kakomesë duhet të niseni nga Saranda ose Himara drejt gjirit të Kakomesë.

Burimi: vloralajme.net