Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe aktorja Margarita Xhepa, gjate nje takimi ne Kuvendin e Shqiperise me gra te shquara ne fusha te ndryshme, me rastin e !00 Vjetorit te Pavaresise.

Intervistoi për Albanian Free Press: Juela Meçani

Me “Artisten e Popullit” Margarita Xhepa, njihemi prej shumë vitesh. Isha gazetare fort e re dhe kanë kaluar rrumbullak 20 vjet nga intervista e parë me të. E lamë të pinim një kafé te Tafajt, pranë banesës së saj dhe ajo, si çdo artist i madh, vjen me një korrektësi të admirueshme në orar. E vështrova teksa kalonte rrugën me hap të ngadaltë, e veshur thjeshtë, por me shije dhe mendova menjëherë se është nga zonjat më të bukura që kam parë ndonjëherë. Sapo hyri, përshëndeti me dashuri rojën e derës dhe të zotët e lokalit. U ndal të pyeste për lodhjen edhe sanitaren që ndërkohë, po lante xhamat. Më puthi dhe porositëm nga një kafé. “Dua që bashkë të bisedojmë”, – më tha. “Të mos jetë intervistë e zakonshme. Eja të ndajmë ca kujtime, fundja ti je rritur me artin. Jemi dy femra e na shkon biseda.”

Më tregon menjëherë se, pas disa ditësh, do të jetë në Gjakovë për festën e 8 marsit, e ftuar atje nga Fondacioni “Nermin bej Vlora”. E menjëherë më pas në Greqi, përsëri për të takuar nëna dhe gra që jetojnë atje. “Kam edhe dy filma në proces e sapo kam mbaruar dy role”, – më thotë dhe i shkëlqejnë sytë blu.

“Dua të më iki shpirti bashkë me pasionin për skenën. Nuk ka kënaqësi më të madhe për mua kur regjisorët më ftojnë të jem në rol. Ne aktorët jemi me fat. Nuk kemi moshë, si p.sh., këngëtarët, balerinët, sportistët. Ne kemi mundësinë të luajmë rolet e nënave, të gjysheve, pra, të zonjave të moshës tonë. E nëse na jepet mundësia të jemi ende në skenë, pse jo.”

Teksa ka disa vite që i ka kaluar të 80-at, trupin e mban drejt, duart të bukura e të kuruara hijshëm, flokët me thinja fisnike. Me një shall mëndafshi rreth gushës, Margarita Xhepa flet e të shikon në sy, me dy thëngjij që kanë brenda dhjetëra e dhjetëra role në teatër e film.

“Sa mirë që kemi kohë të rrimë shtruar se nipi, djali i Ndriçimit, vjen pasdite të rrijë me mua. Është rinia e nëna Ritës, ai i vogli”, – thotë dhe sytë i shkëlqejnë edhe më shumë. Dhe nga nipi, djali i aktorit të shquar Ndriçim Xhepa, me bisedën tonë shkojmë në mënyrë natyrale te fëmijëria.

“Kemi qenë të varfër shumë. Të këputur. Mbeta jetime e vogël fare. Isha një vajzë e gjatë dhe e hedhur. Kisha ëndrra dhe dëshira, por ishim të varfër, të këputur. Përpara disa kohësh, recitoja në një aktivitet për jetimët dhe u gëzova që për ta shpërndanin lodra dhe veshje. Mu kujtua që fëmijë, nuk kishim lodra dhe i sajonim vetë. Fëmijëria, gjithmonë, kthehet ashtu si rastësisht. Janë çështje fati. Në atë ballkon që recitova, kur isha 7 vjeç në Lushnjë, dhe ku spikati talenti, interpretova “Koncert në vitin 1936”.

E pyes, a i mban mend miqtë e fëmijërisë në Lushnjë.

“Isha 10 vjeç. Luanim me shoqen time Eftalinë në Lushnjë, e kush fitonte, merrte 5 arra. Unë fitova dhe shikoj Eftalinë që i rridhnin lotët në faqe. I them, mos qaj, merri këto 5 arra (se nuk kishim të tjera) dhe do fitosh ti tani! Iu rikthye buzëqeshja. Shumë vite më pas takohemi në rrugë dhe Eftalia më thotë: “Po ku je moj Margaritë, se ato 5 arrat e tua na mbajtën gjallë dashurinë. Kështu, e dashur, donim vetëm të luanim. Jo si tani që fitorja dhe të mundësh tjetrin, ka më shumë rëndësi se miqësia”.

Por çfarë ishte për Margaritën miqësia?

“Isha, përpara disa kohësh, në varrezë. Shikoj një burrë para një varri duke qarë. Nuk e njihja dhe e pyes se kë kishte. Iu drodh buza. Kam një mik, më tha, që më mungon shumë. Derdha gjithë shpirtin tim, mallin, m’u duk sikur më dëgjoi! Më mirë vij te ky mik që nuk është më, sesa tek ata që janë në jetë! M’u duk sikur më dëgjoi e mora forcë! Ja, kjo është miqësia. Ku është sot njerëzillëku, i ka lënë vendin interesit dhe parasë. Sa keq! Një kolege mjaft më e re se unë, përpara disa ditësh, në një aktivitet më tha: “Nuk të vjen turp që del ende me këto këmbë? Shtanga! Si mundet të flitet ashtu. Por menjëherë e mblodha veten dhe në sy të të gjithëve i thashë: “Pasioni dhe dëshira për artin i mundën këmbët e unë do recitoj 9 materiale sot. Jam këtu për publikun që më do, dhe do të jem deri në fund.”

A ka ende miqësi si këto tani?

“Tani vritet vëllai me vëllanë për një pronë. Dikur në Lushnjë, fqinji, me arrogancë, vuri një gardh e na erdhi deri rrëzë shtëpisë, duke na zënë një rrip toke që lidhte 6 familje. Im atë, me shumë qetësi i thotë: “Merre, merre, as mua as ty nuk na duhet ai rrip i askujt. Është vetëm një rrip toke që na lidh bashkë në vdekje e në gëzim. Dhe iku. Pas një jave fqinji reflektoi dhe e hoqi gardhin e erdhi të pinte një kafe me babanë. Tani nuk ka reflektim. Nuk ka mençuri. Njerëzit janë tepër të nxituar.”

Përpara shumë vitesh, realizoja një emision televiziv për Violeta Manushin. Atëherë erdha t’u kërkoja një mendim për të. Erdhët menjëherë. Ndërkohë, disa aktore shumë më të reja se ju, nuk pranuan. Më thanë, shprehimisht, se ishin rrudhur e nuk donin të dilnin në ekran. Ju kujtohet?

“Po, madje mirë. E di ku është vlera e një artisti? Duhet talent, punë dhe përshtatshmëri. Atë që ka bërë e madhja Violetë, nuk e bëj dot kurrsesi unë. E as mund të bëj dot unë atë që ka bërë Marie Logoreci apo rolet e Tinka Kurtit. Secili aktor duhet të gjejë vendin e vet. Pra, nuk ka pse të ketë komplekse, xhelozi, konkurrencë shterpë. Për aktoret e brezit tim, rëndësi kishte të hyje në rol. E jo rrudhat apo fustanet. Më kujtohet kur xhiroja “Pylli i Lirisë” më sjell gardëroba një fustan të ri të zi. Jo, i them, unë duhet të jem në rol një nënë e varfër. Ky fustan shkëlqen. Shkoj tek tezja ime në Divjakë dhe i them, më jep atë fustanin që do hidhje. Po jo, moj, mbesë se do e bëj rreckë për të larë dyshemetë. Ma jep, i them, duhet ta vesh në rol. Dhe ashtu kam dalë në film. Një gjë interesante është se jam dobësuar 20 kg për atë rol, haja vetëm barishte. Duhet të isha nëna e vobektë e Vlashit dhe ia arrita. Ose në filmin “Dora e ngrohtë”, me flokët pakrehur, sepse isha një nënë me dhimbje e brenga në shpirt, për djalin tim. E nuk mund të krekosesha për bukurinë time. Tjetër gjë në filmin “Një vajzë e një djalë” ku duhet të kapardisesha si mësuesja e baletit.”

Margarita Xhepa, duke folur gjate nje koncerti festiv me titull, “Nje mesazh per ty”, ne kuader te 20 majit “Dites Kombetare ne Ndihme te Jetimeve”, organizuar ne TKOB./r/n/r/nMargarita Xhepa, during a festive concert titled, “A Message for You”, within the “National Day in Aid of Orphans”, organized in TKOB.

Ju njohin edhe vajza, nëna ime, gjyshet, të gjithë brezat. Si ia keni arritur?

“Puna, sakrifica, pasioni. Ishim njerëz që vinim nga hiçi dhe kishim etje për të mësuar dhe disiplinë të hekurt për të zbatuar. Ishin kohët e të mëdhenjve. E nuk di nga aktorët tanë më të mirë kë të veçoj, Sandër Prosin, Violeta Manushin, Marie Logorecin, Ndrekë Shkjezin, etj. Ishim në një mendje, në një pasion, një thjeshtësi, një përkushtim. Ne kemi punuar për një rrogë e gëzonim për një rol në film, asnjëherë për një pagesë. Sot ndiej dhimbje kur kolosët e teatrit përkrahin talentet e reja si regjisorë e luajnë edhe pa pagesë; ndërsa disa nga aktorët e rinj pyetjen e parë e kanë, sa është pagesa. Pa pasion e thjeshtësi nuk bëhesh kurrë i madh tek publiku.”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe aktorja Margarita Xhepa, gjate nje takimi ne Kuvendin e Shqiperise me gra te shquara ne fusha te ndryshme, me rastin e !00 Vjetorit te Pavaresise.

Jeni aktore e madhe, “Nderi i Kombit”, Dritëro Agolli i madh ju quante monument, por jeni në thelb një femër, një nënë, një grua. Kushtet dikur nuk kanë qenë si tani. E nuk kishit vila e shërbëtore. Keni rritur tre djem…

“Katër burra në shtëpi kisha, moj, xhan. Tre djem e bashkëshortin. Qëroja patate me libretin e shfaqjes anash. E më pyeste Ndriçimi i vogël, mami me kë po flet. E unë, në fakt, po mësoja pjesën, duke gatuar. Nuk e harroj, njëherë, kisha mbaruar një premierë të suksesshme në darkë, “Dhelpra dhe rrushtë” të Ezopit, e në 4 të mëngjesit isha në radhën e qumështit. Më shikonin gratë e burrat me habi, sepse më kishin parë në shfaqje në orën 9 të darkës. Mjeku i njohur, Ylli Popa, më thotë: “E nderuar Margaritë, bën ftohtë, po të shikoj në radhë e më vjen shumë keq! I thashë se kisha bashkëshortin sëmurë e duhej qumësht. Më pa me respekt dhe u largua. Nuk e di sot si ia dilnim, të luanim në teatër, të vraponim më pas në film, të lanim me dorë e të gatuanim. Di të them që rinia, shpirti i sakrificës, pasioni të japin një forcë tepër të madhe, që përballon çdo gjë.”

A mendoni Margarita se ndoshta familja e ka ndjerë peshën e këtij aktiviteti të madh?

Ia shpreha, pikërisht, këtë presidentit të Republikës, zotit Nishani, teksa më dorëzonte titullin “Gjergj Kastrioti”. Familja ime ka sakrifikuar e për këtë do t’i jem përjetësisht mirënjohëse. Fëmijët i merrja shpesh me vete në prova apo xhirime. Djemtë janë rritur me aromën e skenës. Mbaj mend që ka qenë Ndriçimi foshnje, katër muaj e gjysmë. E mora me vete në shfaqje, në Estradë, se kam kënduar edhe skeçe në estradë një periudhë, pak e mbajnë mend. Mynyre Kumbaro, e ëma e Saimir Kumbaros, ma mbante djalin në gardërobë. E në çdo pushim, shkoja e kontrolloja. Ja pra, fëmijët e mi janë rritur me aromën e skenës dhe me punën në gjak. E për këtë jam shumë e lumtur dhe sakrifica e familjes ia ka vlejtur. Tre filma i kam në repertor prej bashkëshortit, sepse ngulte këmbë të shkoja. “Dimri i fundit” p.sh., sa herë e kujtoj atë rol karakterial ku zbath çorapet e leshit, rrëshqitjet tona nëpër monopatet me dëborë, se nuk xhironim në fshat, por në pjesët më të thepisura me dëborë të lartë, kur hapej mjegulla, që filmi të ishte i besueshëm. Kur u shfaq në Gjermani, u quajt “sfidë ndaj Gjermanisë naziste”, sepse ishte i vërtetë dhe i besueshëm. Ja pra pse familjes time i detyroheshim shumë.”

Jeni kaq e bukur, kaq fisnike. Jeni marrë shumë me veten?

“Unë? Ha ha ha… unë përdor krem fare të lirë, nga ato të dyqaneve këtu që kushtojnë pak. Djali më solli një herë një krem nga Franca, të shtrenjtë dhe e qortova. Unë asnjëherë nuk jam kujdesur shumë, për këto gjërat e bukurisë. Por me ushqimin, po. Atë e kam kujdes. Vazhdoj të ha po ato gjëra që kam ngrënë në kohët e varfërisë tonë në Lushnjë. Qumësht, gjizë, gjalpë, mollë e shumë, por shumë pak mish. Më mban kështu mendoj, aktiviteti i përhershëm. Unë reagoj menjëherë pas çdo problemi me shëndetin. Ngrihem dhe lëviz. Punoj duke e detyruar shëndetin të më bindet.”

Dy fjalë më thoni për gruan shqiptare. Sot ajo ka shumë kushte, por lëndohet e vritet çdo ditë…

“Kur luajta legjendën e Kostandinit në Greqi dhe në Serbi, mbi të gjitha më bëri të lumtur fakti që e dëgjova nga vetë ballkanasit – sepse Kostandini nuk është vetëm një legjendë shqiptare, është ballkanike – dëgjova se nënat shqiptare janë më të vuajturat në Ballkan. Dhe ashtu është. Ne aktoret p.sh., kemi shkelur mbi injorancën, fanatizmin, thashethemin, varfërinë dhe luftuam të arrijmë aty ku jemi me punë dhe dinjitet. Puna ta zbardh faqen! Kjo është femra shqiptare! Femra e punës dhe sakrificës. Sot ka më shumë kushte, është e vërtetë, por ka më pak respekt njerëzor. Ka më shumë pasuri, por më pak bamirësi. Më shumë ushqime, por më pak shëndet. Më shumë kremra bukurie, por më pak shkëlqim tek sytë. Sepse njeriun e bën shpirti dhe jeta e tij ia ka vlejtur nëse e ka pasur shpirtin plot!”

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe aktorja Margarita Xhepa, gjate nje takimi ne Kuvendin e Shqiperise me gra te shquara ne fusha te ndryshme, me rastin e !00 Vjetorit te Pavaresise.

Burimi: Afp.al