Më 6 janar të vitit 1920 lindi në Shkodër Sandër Prosi, i cili do të bëhej më vonë një prej aktorëve ikonë të filmit dhe teatrit shqiptar. Në këtë përvjetor, ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se nuk kishte rol të madh apo të vogël për aktorin Sandër Prosi. “Kur ishim fëmijë shumë prej nesh mendonin se ai burri i urtë me mjekër të bardhë, në filmin “Nëntori i Dytë”, ishte me të vërtetë Ismail Qemali.

Nuk do të kishte qenë kështu, pa lojën e mrekullueshme të aktorit Sandër Prosi, të cilin e kujtojmë sot në 100-vjetorin e lindjes. Nuk kishte rol të madh apo të vogël për të, ai dinte se si të ishte protagonist, duke mishëruar në mënyrë të përkryer karaktere nga më ekstremet, që nga burri i shtetit te hamalli, nga profesori te luftëtari. Sandër Prosi na ka lënë pas një galeri të rrallë personazhesh, një shkollë aktrimi, një pikë referimi për të gjithë brezat e rinj”, shprehet Margariti.

Edhe Teatri Kombëtar kujtoi në 100-vjetorin lindjes aktorin e madh, duke risjellë në vëmendje aktivitetin e tij ndër vite pranë teatrit dhe filmit. Sandër Prosi pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Merr pjesë në dramën “Vilhelm Teli”. Shkon për studime në Austri për dentist, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike.

Teatri Kombëtar shkruan se Sandër Prosi bën pjesë në ata profesionistë me arritje të shënuara. “Sandër Prosi bën pjesë ndër ata aktorë ndihmesa e të cilëve është e lidhur me krijimin e artit tonë profesionist të skenës dhe ekranit, si dhe me arritjet e tyre më të shënuara.

Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj”, shkruan teatri. Sandër Prosi interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe me urdhra e medalje. 

Burimi: /Agjensia e Lajmeve Sot News/ Sot.com.al