Intervistë e ish-rekordmenes Klodeta Gjini me znj Marieta Ponjari

1) Publiku sheh nje gare teknike ne kercim se larti, por nuk e di se si sterviten kercyeset e kesaj gare…te lutem nje pergjigje me terminollogji teknike?
Të ndjekësh një garë kërcimi së larti nga pozita e sportdashësit është emocion, është dhe një kënaqësi sepse në vartësi të rëndësisë dhe nivelit të eventit si Olimpiadë , apo Kampionat botëror , evropian apo mesdhetar , ballkanik apo edhe kombëtar të jepet mundësia të shohësh apo ndjekësh sportistët më të mirë të kësaj gare .

E veçanta e kësaj gare është se kërcyesit konkurrojnë duke u eliminuar gjatë rritjes së lartësisë dhe në fund vëndet e fituesit mund të ndahen me shume pak cm, apo qoftë edhe me rezultat të barabartë por në një provë më pak . Veç të tjerash kjo garë zhvillohet në një diapazon kohe relativisht të gjatë , në mvartësi të llojit të aktivitetit , numrit të pjesëmarrsve dhe numrit të kërcimeve . Pikërisht kjo mënyrë e zhvillimit të kësaj garë kërkon edhe një përgatitje psikologjike shumë të vecantë për të përballuar numrin e kërcimeve në një performancë gjithmone në rritje gjatë rritjes së lartësisë dhe rritjes së konkurrencës.

Por pikërisht për të arritur këtë nivel të lartë të konkurrimit në këto aktivitete vetëm një binom atlet –tranjer ( pse jo edhe bashkëpunim I ngushte me mjekun sportiv ) e di se cfarë ngarkesash stërvitore duhet të zhvillojnë kërcyeset së larti , sa ditë , muaj e vite duhen për të realizuar një rezultat gjithnjë në rritje . E mbi të gjitha duhet një stërvitje me volume shumë të medha pune dhe me një intesitet shumë të ndryshëm të cilët synojnë në përmirësimin e cilësive kryesorë që I duhen një kërcyese së larti . Me mijra orë stërvitore , në ditë me diell apo shi ( sepse garat e atletikës zhvillohen në terren të hapur ) me mijra metra e kilometra vrapim ,të kryera në segmente të ndryshme sipas synimeve të stërvitjes , me mijra kërcime të ndryshme në gjatësi , lartësi apo në thellësi ( pliometri ) që kërkonin një impenjim maksimal .

Në stërvitjen e kërcyesit një vend të rëndësishëm zë edhe stërvitja për zhvillimin e forcës së shpejtë dhe asaj maksimale e cila realizohet me ngritjen e peshave, që I kalonin dhjetra tonë në një séancë stërvitore . Pa përjashtuar këtu dhe një stërvitje të larmishme me lojra sportive dhe mijra ushtrimesh me edhe pa vegla që synojnë një teknikë të lartë ekzekutimi të fazave kryesore të teknikës së kërcimit së larti. ( Vrulli, rrahja, fluturimi mbi stekë dhe rënia ) Sa ditë, javë, muaj e vite stërvitje e pandërprerë, madje në sezone të caktuara edhe 2-3 herë në ditë na është dashur ne kërcyeseve të stërvitemi duke qënë të privuar nga të gjitha gëzimet e bashkëmoshatarëve tonë, e me të vetmin qëllim që të arrinim rezultate sa më të larta për kohën , krahasuar edhe me atletet e tjera të vendeve evropiane!

Sa mund e djersë , sa lodhje fizike e mendore ndër vite, për të arritur më të mirën e mundëshme. Dhe të mendosh që të gjitha këto ngarkesa stërvitore janë zhvilluar në kushte të vështira dhe jo rrallë herë aspak të përshtatëshme për nivelin që synohej . Në ato pak takime ndërkombëtare ne u bëmë dëshmimtare të ambjenteve stërvitore dhe ato të garave në të cilat stërviteshin atletet me të cilat ne garonim si të barabarta dhe të kuptonim mjaft mirë kushtet e vështira në të cilat ne stërviteshim . Në të gjithë këtë rrugëtim sportiv dua të theksoj se nuk kam vlerësuar po me të njejta përmasa edhe shkallët e formimin tim si edukatore e brezit të ardhshëm .

Në aspektin e stërvitjes ne e dashur Klodi kishim edhe pika të përbashkëta ,Sepse tranjeri im Taqo Duka I cili kishte mbaruar studimet në ish Bashkimin Sovjetik në Institutin e Kulturës Fizike në Leningrad , ishte për kohën ndër tranjerët më të azhornuar me të rejat dhe studimet në fushën e atletikes së lehtë e më konkretisht në atë të kërcimit së larti . Azis Rruli , tranjeri juaj ishte një ishte një kërcyes elite për kohën dhe një ndër sportistat që stërviste professor T.Duka . Në këtë rast funksionoi thenia që nxënësi u bë më I mirë se mësuesi . Tranjeri juaj me ty aplikoi jo vetëm tekniken më të fundit të kërcimit ‘’stilin shpinë ‘’ ( fosber ) por avancoi më tej dhe bazat e zhvillimit të forcës tek kërcyeset së larti femra, që I kishte vënë në jetë professor T.Duka .

Dua të theksoj me këtë rast se stërvitja e kërcimit së larti ka qënë mjaft e larmishme dhe interesante sepse vetë gara e kercimit së larti bën pjesë në grupin e garave aciklike atë të shpejtësi- forcës . Nuk ka qënë e rastit edhe përgatitja shumë dimensionale e vajzave kërcyese të cilat kanë qënë jo rrallë herë edhe rekordmene të garave të tjera si 100m/ pengesa , kërcim së gjati apo shumëgarshit sportiv në atletikë.

2)Unë kam kërcyer në dyshek pambuku e sfungjeri ndërsa ti më shumë në rërë .Si ishte raporti yt me grumbullin e rërës?
Teknika e garës së kërcimit së larti ndër vite ka pësuar evolucion dhe si e tillë bashkë me të kanë pesuar ndryshim edhe kushtet e mjedisit sportiv në të cilën ajo zhvillohej . Nga stili I parë ‘’Gërshërë’’ e në vazhdimësi me stilin ‘’ Valvitës’’ , ‘’Horein ‘’, ‘’Barkush’’ dhe së fundmi në atë ‘’me Shpinë’’, ka ndryshuar kryesisht mënyra e kalimit të stekës ku I gjithë qëllimi ishte të përftohej sa më shumë lartësi me qëndrën e rëndeses dhe sa më pak humbje të kësaj lartësie nga steka e kërcimit. Njëheresh kanë ardhur duke u përmirësuar edhe kushtet e mjedisit të kërcimit tek pista e tartanit dhe dyshekët e sfungjerit që lejonin një rënie optimale . Edhe pse unë në Shqipëri kërceva në grumbullin e rërës të cilën e punonim apo e shkriferonim vetë , pata fatin të provoj të kërcej në aktivitetet ndërkombëtare në dyshekët e sfungjerit që janë specifikë për kërcimet në lartësi .

Për të kryer një rënie sa më të butë dhe racionale në grumbullin e rërës me teknikën e kërcimit barkush, unë kisha adoptuar fillimisht rënien me brylin e djathte e më pastaj me gjithë trupin . Por kjo lloj mënyre më kufizonte në rrotullimin më efikas sipër stekes së kërcimit. Të biesh nga një lartësi afërsisht 1.80 m me qindra herë nuk ishte e lehtë për një femër, aq sa nga disa specialist të kohës ishin shprehur që Marieta mund të mos lindë fëmije si shkak I rënieve nga lartësitë në kushte jo të mira .
Kurse ti Klod arrite të kërcesh në dyshek sfungjeri ( me copa apo të plotë ) por asnjëherë të standarteve bashkëkohore .

Kujtoj këtu një moment shumë domethënës për kushtet . Me shumë përgjegjësi për atletikën nga drejtuesit e sportit na nisin 2 atlete vajza të marrim pjesë në Kampionatin Europian të të Rinjve në Laipsig të Gjermanisë edhe pse ende nuk I kishim mbushur te 17 vitet . Per fat gara e kërcimit së larti ishte në ditën e parafundit dhe unë pata mundësinë të stërvitesha disa ditë e të përshtatesha me kushtet e pistës tartan dhe dyshekëve të sfungjerit , të cilët më lejonin të bënja rrotullimin e plotë pa pasur merak që do dëmtohesha . Dita e garës me shumë emocion por edhe me besim erdhi dhe unë arrita të kaloj lartësinë 1,67 m, në vend të IV ( recordi im kombëtar 1.68 m ) ndërsa vendi I parë nga një atlete ruse me 1.72 m . Për kohën kjo arritje ishte shumë pozitive jo vetëm për atletikën por edhe për sportin shqiptar .

Por çndodhi, kur unë fillova kërcimet në stekë ne mjedisin tonë sportive në grumbullin e rërës , për inerci të asaj teknike që kisha aplikuar në Gjermani në kërcimet e para bëra përsëri rënien në shpine dhe gati ngela pa frymë . Ju riktheva tradites së gropës së rërës dhe kjo ishte një kushtëzim tjeter I frenimit të mos kryerjes racional të teknikës së kërcimit .

3) Në karrierën tonë kemi bërë pak gara ndërkombëtare , sa të rëndësishme janë ato për ecurinë e një atleti ? Në veçanti të një kërcyesi ?
Padyshim në planifikimin e sportistëve të nivelit të lartë, një vend të rëndësishëm zë raporti stërvitje /garë ku bëjnë pjesë gara kontrolli, gara lokale, gara kombëtare dhe që kulmojnë me pjesëmarrjet në aktivitetet ndërkombëtare. E bëra këtë sqarim për të treguar se për ne atletët ka qënë gjithmonë problem numri i vogël i pjesëmarrjeve në gara kombëtare, e jo më pastaj në ato ndërkombëtare që kanë qënë me pikatore. Në ndryshim nga lojrat sportive ku ndeshjet zhvilloheshin çdo jave, atletika nuk e kishte këtë mundësi . Por tranjerët tanë duke njohur shkencërisht rëndësinë e pjesëmarrjes në gara na organizonin më shumë gara kontrolli për të plotësuar sado pak boshllëkun e krijuar. I gjithë aktiviteti ynë kombëtar përmblidhej në 6-7 aktivitete në vit për të rriturit, kur përvoja botërore tregon se vetëm për moshën 13-14 vjecare janë të domosdoshme rreth 20 pjesëmarrje në gara gjatë një viti ! Por ne e dimë se gjithçka ishte e organizuar në bazë të buxheteve financiare që kishin federatat sportive .
Ndërsa pjesëmarrja në aktivitetet ndërkombëtare kanë qënë fare minimale , kur dihet që atletet sidomos ata të nivelit të lartë duhet të marrin në disa të tilla në vit.

Në këtë kontekst unë mendoj se e gjithë elita e atletikës shqiptare gjatë viteve të monizmit ka qënë e privuar nga pjesëmarrjet në aktivitetet ndërkombëtare, edhe në rastet kur ishte realizuar normat e pjesëmarrjes në to si Kampionati evropian etj. Dhe kur dihet rëndësia e pjesëmarrjes në to, jo vetëm si një vlerë konkurrimi dhe motivimi, por edhe si një konfirmim rezultati mes konkurrentesh evropiane si dhe një përfaqësim i denjë i sportit shqiptar.

Po të marr si fakt se në e gjithë karriera ime sportive 1964-1971 dhe pas lindjes se fëmijes deri në vitin 1974 me një përmirësim të vazhdueshëm të rekordit kombëtar nga 1,50-1,78 m ( viti 1971) pra 28 cm kam marrë pjesë vetëm në 4 aktivitete ndërkombëtare . ( aq sa ndoshta moshat e reja menjëherë pas ndryshimit të sistemit i realizuan brenda një viti ).

4) Si e përjetoje lartësinë e stekës? Lartësia krijon fr, ikë . Si ishtë raporti garë/stërvitje ?
Të përmirësosh në vazhdimësi rezultatin personal krahas rritjes së ngarkesave stërvitore e viteve që kalojnë , kjo të krijon besim se rruga e ndjekur në stërvitje është e drejtë dhe ti gjithmonë kërkon të arrish në rrugë normale lartësi të reja .

Gjatë gjithë karrierës sime sportive kam pasur fatin e mirë të dallohesha gjatë garave për emocione pozitive dhe kjo me vendoste në një raport shumë të drejtë me rritjen e lartësisë të stekës. Gjithsesi në përqëndrimin para kërcimit sidomos në lartësitë maksimale i jepja shumë rëndësi asaj, që në gjuhën sportive quhej që ma hante syri . Kjo më jepte guximin që të kryeja kërcime shume efektive edhe kur synoja rekord kombëtar . Është e vërtetë që ka shumë atletë që i kanë rezulatete më të mira në stërvitje apo gara kontrolli dhe nuk arrijnë më të mirën në aktivitetet kombëtare apo ndërkombëtare. Unë për fat bëj pjesë në grupin e parë që jepja maksimumin në garat kombëtare apo ndërkombëtare .

Vetëm dua të kujtoj këtu vitin 1967, vitin kur e përmirësova rekordin kombetar nga 1,55 -1,66 m ( 11cm ) dhe isha vetëm 16 vjec një atlete shumë e re, ende në formim nga të gjitha drejtimet. E kisha thyer rekordin gati në cdo aktivitet aq sa nuk besoja që do e kaloja lehtë lartësinë që kisha arritur më parë . Por fakti që unë në cdo vit përmirësova rezultatin dhe nuk provova asnjëherë stanjacjon tregon për nje stërvitjë të programuar drejt mbi baza shkencore. Ky besim dhe siguri për përmirësimin e rezultit rekord kishte ardhur natyrshëm pas një stërvitje serioze e me ngarkesa në rritje , me përmirësime në të gjithë treguesit fizik e teknik aq më shume, që unë gjatë gjithë karrieres sportivë nuk përjetova asnje traumë sportive , që të më pengonte në realizimin e objektivave të vendosura nga tranjeri në bashkëpunim të ngushtë me mua, për përgjegjësinë që kishim marrë në kuadrin e planifikimit shumëvjecar të stërvitjes .

Por është e natyrëshme, që bashkë me rritjen e lartësisë të rriten edhe vështirësitë . Kam ndjesinë, që lartësia nuk më ka krijuar frikë sepse në stërvitjet tona një vend të rëndësishëm zinin pikërisht tentimet në lartësi më të mëdha se ato të arritura në stekë, që zhvilloheshin në traun e kërcimit. Për këtë qëndrim ndaj lartësisë dhe emocioneve pozitive, që më karakterizonin në garë , qoftë edhe ato ndërkombëtare e deshmojnë arritjet e mia në garat ndërkombëtare Gjermani ( Leipsig) 1.67 m ( rez. record 1.68 m ) Austri (Vien) 1.75 ( barazim rekordi ) Itali ( Torino ) 1.73 ( thyerje rekordi kombetar 1.72) .

5) Sporti e pasuron jetën e atletit që e ushtron ? Si ka ndikuar në jetën tënde?
Dihen botërisht vlerat e sportit jo vetëm në drejtim të forcimit të shëndetit por edhe në atë të edukimit të cilësive morale e të vullnetit e mbi të gjitha atë të shoqërizimit në mënyrë krejt normale . Sporti e pasuron jetën e atletit, sepse ai kalon një pjesë të rëndësishme të jetës së tij madje moshën më të bukur, atë të rinisë duke u stërvitur duke derdhur mund e djersë për të realizuar rezultate të larta sportive. Por këto realizohen duke pasur një talent të spikatur e mbi të gjitha duke u ushtruar cdo ditë me ngarkesa në rritje me një disiplinë të fortë sportive. Arritjet e mia në garën e kërcimit së larti më bënë 6 vjet rrjesht fituese e anketës 5 sportistet më të mirë të viteve, gjithashtu dhe të jem fituese e anketës 10 sportistet më të mirë shekullit! Pjesëmarrja në aktivitetet ndërkombëtare gjithashtu eshte një përvojë e çmuar për atletin , sepse jo vetëm rrit vetbesimin por njëherazi perfiton dhe shkëmben përvoje si dhe nderon vehten dhe vendin tij. Të gjitha këto të bëjnë një person publik, që jo rrallëherë rinia i ka si pika referimi të modeleve që synohen në jetë .

Personalisht sportit i kam dhënë shumë, por edhe më ka dhënë shumë në jetë, më dha një emër publik i cili më ka shoqëruar gjithë jetën time personale dhe profesionale por edhe të familjes time. Në sport unë gjeta dashurinë e jetës sime me të cilin krijuam familje dhe patëm një mirëkuptim mjaft të mirë. Me sportin unë lidha profesionin tim dhe e quaj si periudhën më të bukur atë të mësimdhënies si pedagogoge me edukatoret e rinj. Nëpërmjet sportit dhe fushes së edukimit unë sot kam shumë miq e shoqe që janë pjesë e rëndësishme e jetës sime.

6) Sot çfare raporti ke me sportin ?
Sot mendoj se kanë ndryshuar shumë raporte në jetën time dhe bashkë me to ka ndryshuar edhe raporti me sportin. Kuptohet ai ka qënë pasioni, preferenca ime, por tani më shumë nga pozita e një sportdashësi se sa e një ushtruesi .Tani nga statusi i gjyshes ushqej me dashuri nipat e mij per sportin e vlerat e tij.

Ndjehem mirë, që gjatë kohës, kur unë isha e lidhur profesionalisht me sportin nga pozita të ndryshme jam përpjekur të bëj më të mirën e mundëshme pavarësisht gjykimeve të individëve të ndryshëm të cilëve ju janë cënuar interesat personale . Me përvojen e grumbulluar jam e gatëshme në cdo moment të jap kontributin tim modest për zhvillimin e sportit në Shqipëri pavaresisht se jam në statusin e pensionistes.

Të falenderoj për kohën që më vutë në dispozicion Mjeshtre!

Burimi: Klodeta Gjini Blog, https://klodetagjini.blogspot.com/2018/07/marieta-pronjari-zace-perballe-klodeta.html