Qeveria shqiptare ka mbledhur sot Komitetin Kombëtar të Rindërtimit.

Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë kryeministri, ministrat, por edhe persona publik, të cilët janë përfaqësues të fondacioneve të ndryshme, që kanë mbledhur para për të prekurit nga tërmeti.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe gazetari Marin Mema. Ai tha se sot shqiptarët duhet të jenë të bashkuar dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin e të shohin përtej politikës.

“Njerëzit kanë reaguar masivisht. Ky është një moment shumë i vështirë për shqiptarët. Transparenca është tepër e nevojshme në këtë rast. Duhet të jemi afër njerëzve dhe të jemi afër ndaj tyre. Më pëlqen ngritja e këtij Komiteti. Ka pasur raste emergjente kur ka pasur abuzime me fondet.

Ne si pjesë e këtij Komiteti do bëjmë maksimumin që të jemi pranë çdo familje që është në situatë të vështirë. Ky Komitet është ngritur për të treguar se Durrësi e Thumana, por edhe zona të tjera janë prekur nga tërmeti e që kanë nevojë për mbështetje. Këtu jemi për diçka që shkon përtej politikës. Të ndihmuarit e shqiptarëve shkon përtej politikës. Ky moment duhet të na bëjë bashkë e për të na bërë më të fortë.”, deklaroi gazetari Mema.

(d.xh/Balkanweb)