Çifti japonez Masao dhe Miyako Matsumoto, të martuar që nga tetori i 1937, mbajnë rekordin Guiness si bashkëshortët më të moshuar në botë.

“Ndodhem në Krujë, në qytetin e njohur për historinë dhe kulturën e pasur. Po një tjetër histori, ajo unikale e një çifti, ruhet në këtë qytet si dëshmi e mirëkuptimit dhe dashurisë”

Hamidi, 105-vjeçar dhe Xhemja që pret të mbushë të 100-at festojnë 81-vjetorin e martesës. Dy të panjohur që u panë vetëm në ditën e dasmës së tyre, i thanë “po” njëri-tjetrit në 24 shtator të vitit 1937.

“Nuk e njihnim njëri-tjetrin. U pamë ditën e dasmës”, kanë deklaruar çifti.

Po Hamidi e kujton edhe sot të parin mendim kur Xhemja u shfaq në dasmë duke thënë: “Vallaj e bukur”.

Si prindër të 11 fëmijëve, për Hamidin dikur tregtar dhe Xhemen rrobaqepëse durimi dhe mirëkuptimi në çift kanë qenë shtylla e martesës 81-vjeqare.

“Unë kam qenë një qikë e durueshme, nuk e kam kundërshtuar. I kemi dëgjuar fjalën njëri-tjetrit, e kemi respektuar njëri-tjetri”, ka deklaruar Xhemja.

E megjithatë mes çiftit Hoxha nuk kanë munguar as xhelozitë.

“Ka qenë fanatik, ashtu ka qenë koha. Kur dilnim në rrugë me ombrellë me thoshë ‘ule çadrën mos të të shohë kush’”, ka shtuar Xhemja.

Ndërkaq i pyetur Hamidi nëse Xhemja ishte xhelozë ndaj tij, ai tha: “Po bëhej”.

Për fëmijët e çiftit Hoxha, jeta e prindërve të tyre ka qenë shembulli më i mirë.

“Na kanë edukuar me dëshirën për të punuar”, thotë Hasani, djali i madh i çiftit Hoxha.

“Kam dëshirë që edhe fëmijët e mi të vazhdojnë sipas edukatës që na kanë dhënë prindërit”, shprehet Xhevria.

Edhe për më të vegjlit e familjes, stërgjyshërit shekullorë mbeten kalaja e familjes.

Familja Hoxha vijon gëzimin e tyre, ndërsa martesa e tyre cilësohet si më e gjata në Shqipëri dhe ndoshta mund të shënoj një rekord të ri botëror. /tvklan.al/