Në qofsh burr’i mençur veç thelbin shiko,
Se thelbi nuk vdiret, pa sharkun ç’e do.

Kur s’ke bujarinë, as dije – as virtyt,
Figurë pa jetë është emri yt.

Ai do të flejë i prehur nën dhe,
Që nuk e trazon njeriun kur fle.

Mendo sa je vetë, se fis’ e gjiria,
S’kujtojnë të vdekur, s’i lë babëzia!

Gjersa ke florinë, dhuratë e jep,
Se nesër, kur t’ikësh s’e ke më në xhep!

Në do të mos kesh në zemër vurratë,
Kujtoi të mjerët dhe ditë dhe natë!

Që sot thesarin ndaje në të mjerët,
Se nesër ty çelësin ta marrin të tjerët!

Si bukën dhe gjellën me vete i sill,
Se as gruas i dhimbsesh as djalit bandill!

Se ku e ka pikën e zeza shtëpi,
Përveç se të zotit asnjeri s’e di.

Ç’ke sot në dorë m’i vër në pëllëmbë,
Se shpinën e dorës ha nesër me dhëmbë.

Mbuloje me rroba njeriun e shkretë,
Që Zoti për ty-o mbulesë të jetë!

Mos nxirr jashtë derës lypsarin duarthatë,
Se ndoshta zë dyert dhe ti si i ngratë!

Për zemërsëmurët rrëfe dashuri,
Se ndoshta një ditë sëmuresh dhe ti!

Kujt vuan ti jepi gëzimin peshqesh,
Kujto atë ditë kur vuajtje do kesh!

Meqenëse s’bridhke si lypës ndër dyer,
Duaj Zotin, lypsin mos nxirë zemërthyer!