SOLIDARITETI ËSHTË HARMONI që del nga DREJTËSIA. Është simpati vepronjës, u jep fuqi atyre që ndjekin një objektiv të vetëm.

Ka solidaritet dhe sundon solidariteti i një bashkësie njerëzish, edhe kur fati i përmirësimit i djeg të gjithë dhe mizerja e më të trishtuarit i mbulon të gjithë me turp.

Pa këtë fuqi,që përgjithëson vullnetet e zemrat, është e pamundur të realizohen ëndrra të mëdha kolektive; kohezioni i një populli varet ekskluzivisht nga UNISONI, me të cilin ritmohen shpresat, interesat dhe idealet e të gjithëve.Ku mungon drejtësia,nuk mund të ketë solidaritet; duke mbjellë njërën,korret tjetra.

Të qeverisësh një popull, nuk është që të barazosh komponentet e tij, as të sakrifikosh ndonjë pjesë në përfitim të tjetrës; përkundrazi, është të lundrosh drejt një ekuilibri që favorizon unitetin funksional, duke zhvilluar solidaritetin mes pjesëve, që janë heterogjene pa qenë antagoniste. Heterogjeniteti është i natyrshëm nga ndryshimi i aftësive dhe i tendencave njerëzore dhe është përfitues, sepse gjeneron pabarazitë e nevojshme për funksionet e shumta të jetës shoqërore.

Duke qenë të natyrshme,
pabarazitë nuk mund të zhduken, as nuk do të vlente që t’i suprimojmë edhe sikur të mundej.

Solidariteti konsiston në të ekuilibruarit e tyre,duke krijuar barazinë përpara së drejtës,por që të gjitha pabarazimet mund të zhvillohen tërësishtë në përfitim të shoqërisë.

Kur i shkatërrohet një njeriu të vetëm udha e të gjitha mundësive, ka padrejtësi në atë shtet, komb, qeveri, atdhe e vend.

Kur një qeveri a shtet i mbyll udhën një të riu për një fjal kritike, për një libër kryengritës, për një gjest liridashës,në atë shtet sundon i ligu.

Kur i ligu sundon, ka në ndihmë të ligjtë e, kur këta urdhërojnë, në atë vend njerëzit e ndershëm dergjen në burgje dhe kusarët e gjakësorët vihen në altar.

Ktheni kokën prapa dhe vështroni shekullin 20-të në shtetet diktatoriale.

Çdo privilegj në favor të një klase, të një krahine, të një partie, të një sekti, fraksioni, klike a grupi, pozicionuar në opozicion me të tjerët, është një mbeturinë e barbarisë, dhunuese e drejtësisë.

Kombet janë të civilizuara kur u vënë përballë solidaritetin total privilegjeve të veçanta.

Solidariteti zhvillohet paralelisht me drejtësinë.

Isuf LUZAJ”Rindërtimi I Fuqive Shpirtërore”.f71

Burimi: Luzay Library