Mbas largimit nga Shqipëria mbreti Zog do shkonte për ca kohë në Londër dhe më pas do të vendosej pranë mbretit Faruk në Kairo. Në Egjipt do e prisnin shumë ngrohtë dhe do t’i ofrohej një mikëpritje madhështore.  Historiani britanik Jason Tornes do të shkruante:

“Kur mbreti Zog dhe Geraldina shkelën në molin e portit Said më 23 shkurt 1946, përfaqësuesit e mbretit Faruk dhe mbretëreshës Farida udhëhiqnin komitetin e pritjes. Kur ato mbërritën në stacionin e trenit të Kajros  e gjetën atë të stolisur me flamuj shqiptarë. Menjëherë pas mbërritjes, mbreti Faruk i telefonoi personalisht për t’i ftuar në një banket.

Në fakt indiferenca e londinezëve ndaj tij e trembi mbretin Zog, ndaj vendosi të shkonte në Egjipt ku kishte një koloni shqiptarësh prej shekullit 18-të. Që muajt e parë të vendosjes në Britani ai do të kishte kontakt me ambasadorin egjiptian, i cili e prezantoi më stërnipin e Mehmet Ali Pashës që ishte mbreti Faruk.

Marrëdhënia e tyre mund të konsiderohet e ngrohtë dhe miqësore. Mas prezantimit të tyre të parë ata do të takoheshin dy herë në javë. Mbreti Faruk ishte i njohur për jetën e tij luksoze dhe të shthurur. Ai frekuentonte jetën e natës dhe ishte një bixhozçi i thekur. E gdhinte natën duke luajtur letra.

Loading...

Kur Zogu me shpurën e tij mbretërore arriti në Kairo ai do të vendosej në pallatin “Koubbeh” që ishte një pallat mbretëror me 400 dhoma. Zogu do ishte i ftuar në të gjitha mbrëmjet mondane që zhvillonte mbreti Faruk ku merrnin pjesë përfaqësues të të gjitha mbretërive të dëbuara të Evropës.

Në Egjipt mbreti Zog e ndante kohën mes kryeqytetit dhe bregdetit. Me dëshirën e mbretëreshës Geraldinë ai bleu një shtëpi në periferi të Aleksandrisë ku baronët e pambukut dhe tregëtarët kishin vilat e tyre bregdetare. Princi Leka do të frekuentonte aty kolegjin “Viktoria College” dhe do të shoqërohej nga badigardët.

Në ato vite qëndrimi, Zogu do të frekuentonte shpesh manastirin bektashian Mukatam ku bisedonte shpesh me shqiptaro-egjiptianët. Sigurisht që bisedat fokusoheshin drejt Shqipërisë, historisë së saj dhe heronjve. Por dhe aktualitetit komunist. Aty Zogu do të organizonte dhe pritje të mëdha me rastin e festës së 28 nëntorit.

Mbreti Zog në Egjipt do të përshkallëzonte aktivitetin e tij politik. Ai do bënte gjithnjë përpjekje për t’u rikthyer në Shqipëri, por kjo gjë nuk ishte e lehtë. Sistemi komunist, i mbështetur nga jugosllavët nuk mund të mposhtej lehtë.

Në Egjipt mbreti Ahmet Zogu do të sundonte zyrtarisht. Kishte Legatën shqiptare, me toka që quheshin shqiptare, me ushtri, me armë etj.

Pse nuk e rivendosi monarkinë përsëri?

Sigurisht nuk mundi për arsye kohe. Mbreti Faruk ra nga pushteti. Lëvizja revolucionare, nën drejtimin e Muhammad Naguib dhe Gamal Abdel Nasser, qe një grusht ushtarak. Ishte një nga ato revolucionet tip alla socialiste, që u mbështet nga Bashkimi Sovjetik dhe Tito, në vitin 1952.

Menjëherë pas rënies së mbretit Faruk, mbretit Zog do t’i ngriheshin kontot bankare, do i dërgohej një formacion me ushtarë për t’i marrë armët dhe për t’i konfiskuar sendet e arta.

Në korrik të vitit 1955 familja mbretërore u detyrua të largohej nga Egjipti. Revolucionarët kishin frikën e një komploti të mundshëm mes tij dhe mbretit Faruk sepse dhe ai ishte gjak shqiptari. Pas ndalesës së tij disa vjeçare në Egjipt mbreti Zog u nis për në Paris./konica.al/Arlinda Canaj/