Në përvjetorin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, që shënoi edhe rrëzimin e diktaturës komuniste, shumëkush mund të pyesë se ku përfundoi statuja që u tërhoq zvarrë rrugëve të Tiranës, apo gjithë shtatoret e bustet që u rrëzuan nga piedestalet. E vështirë ta thuash me saktësi, por mediat gjermane ngulin këmbë, që të paktën një copëz monumenti i Enver Hoxhës gjendet në Gjermani.

I përzier me pak Stalin, ka sjellë “në jetë” një filozof dhe shkencëtar. Sipas gazetarit gjerman Heinrich Thies, me bronzin e diktatorëve është derdhur shtatorja e Georg Christoph Lichtenberg. Një vepër e realizuar nga skulptori shqiptar Fuat Dushku dhe vendosur në Göttingen, më datë 1 korrik 1992.

Është gazetarja dhe pedagogia Jonila Godole, që na e ofron këtë zbulim, përmes një postimi në “Facebook”, bashkangjitur me linqet e gazetës dhe Muzeut të Göttingen. Duke e konsideruar të pabesueshme, Godole citon një gazetare të “Deutsche Welles” dhe materialin e gjetur në faqet e mësipërme.

“‘Me bronzin e Enverit, Stalinit dhe Leninit u ngrit statuja e fizikanit dhe filozofit të shquar gjerman, G.C.Lichtenberg’, tregoi gazetarja e ‘Deutsche Welle’, Vilma FilajBallvora në aktivitetin për nder të 20 shkurtit 1991 dhe rolit të gazetarëve. Bëra një kërkim të vogël te mediat gjermane dhe gjeta këto informacione: Statuja 1.5 m e lartë u vendos në qytetin Göttingen në datën 1 korrik 1992, me rastin e 250-vjetorit të lindjes së filozofit.

Statuja i ishte porositur dhe paguar nga botuesi Tete Böttger te skulptori shqiptar Fuat Dushku (1930-2002), i cili e gdhendi atë, duke përdorur bronzin e statujave të Enver Hoxhes, Stalinit dhe Leninit. Tragjikomike! – Një personalitet si Lichtenberg derdhet në bronzin e tri prej figurave më famëkeqe të historisë botërore. Kush i menaxhonte copat e statujave të rrëzuara?

Mund t’i kishim ricikluar vetë dhe ngritur dikur një memorial gjigant në emër të demokracisë, që Enveri me shokë nuk e deshën kurrë të vendosej… ose një memorial kundër tij”, shkruan Godole, e cila e ka vizituar shpesh jo vetëm qytetin, por edhe monumentin e filozofit, pa e ditur origjinën e tij.

NGA BRONZI SHQIPTAR SI U KTHYE ENVER HOXHA NË KURRIZDALIN LICHTENBERG

I adhuruar dje, i urryer sot, njerëzit po i hedhin idhujt e vjetër prej bronzi dhe guri nga piedestali dhe po i presin në një mijë copë. Dje Zot, sot një hekurishte. Ky ishte fati i diktatorit të republikës marksiste terroriste të Shqipërisë, Enver Hoxha.

Burimi: ShkodraWeb.com