Nga Hysen Sinani

Me këto fjalë niste romani im i dytë, të cilin sapo e kisha paraqitur për botim në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, të vetmen që kishte Shqipëria. Tregoja historinë e një punëtori të ri e të thjeshtë në atë roman ku heroi, thuajse pa dashje, qe përplasur me administratën e korruptuar të një ndërmarrjeje prodhimi e cila kishte për drejtor një “hero të punës socialiste”…

Ishte fort e habitshme që njoftimi i “ndërprerjes së marrëdhënieve financiare” në punë të më bëhej aq papritur, pa asnjë paralajmërim, sikur edhe atë njoftim zyrtar ta kisha formuluar po unë si në roman, për të treguar mospërfilljen e një despoti socialist! Po habitesha jashtë mase me të vërtetë tek shikoja atë copë letre pa pikë personaliteti, të cilën sapo ma kishte dhënë në dorë shefja e llogarisë. Nuk më kujtohet çfarë fillimi apo mbarim muaji ishte dhe nuk dua ta gjej datën në librezën e punës ose në vendimin e Gjy, katës së Rrethit të Tiranës. Mbasi çështja e pushimit tim nga Lidhja e Shkrimtarëve shkoi deri në gjyq. E bëj këtë, me qëllim që gjithçka të vijë natyrshëm, nga regjistrimi që është bërë në kujtesën time, të cilës i besoj shumë, sidomos në seleksionimin e përshtypjeve që duhej të mbeteshin. Pra, më kujtohet mirë se njoftimi, madje, nuk më drejtohej as mua, por vetë llogarisë: “T’i ndërpritet marrëdhënia financiare redaktorit të Gazetës Drita, Hysen Sinani, që nga data … 1985”. Si e zënë ngushtë apo si në siklet, personi që ma dha në dorë, nuk më kujtohet tani kush ishte pikërisht, por mbaj mend fjalët që tha, pëshpëriti saktësisht: “Bisedo vetë njëherë me kryetarin…”

Nuk iu përgjigja. Mora fletushkën në dorë dhe dola nga ndërtesa e Lidhjes. Isha i inatosur dhe për llojin e inat që kisha, e dija që ishte e rrezikshme të rrija aty edhe një çast të vetëm. Ai që e kishte dhënë atë urdhër aq harbut dhe shpërfillës ose ishte shumë trim dhe po më provokonte, ose shumë frikacak dhe tani duhej të kishte ikur. U ktheva përsëri në Lidhje dhe shkova drejt e te zyra e kryetarit. Kristina, sekretarja e tij, më tha se Dritëroi kishte nja dy orë që kishte ikur me Niko Nikollën, kryeredaktorin e revistës “Hosteni”. Ajo më vështronte me njëfarë keqardhjeje të përmbajtur, por sikur nuk po guxonte të fliste. Për çudi, edhe ajo përsëriti të njëjtat fjalë, ose ndoshta m’i ka thënë vetëm Kristina: “Bisedo vetë njëherë me kryetarin…” Nuk është nevoja, thashë si me vete dhe zbrita shkallët.

Diku dëshiroja të shkoja, të shfryja mbi diçka apo mbi dikë; të pija derisa të mos kuptoja çfarë kishte ndodhur. Por kisha natyrë të ndërlikuar, atëherë kur merrja goditjen më të fortë, atëherë bëhesha edhe më i kthjellët: më qe kujtuar menjëherë një tabelë që e shikoja shpesh anës hyrjes në Gjy, katën e Rrethit të Tiranës në Rrugën e Durrësit. Aty shkruante: “Zyra e Ndihmës Juridike”. Këtë zyrë, më duket, e kisha përshkruar edhe në roman dhe ka mundësi që ato çfarë them tani, t’i kem shprehur në atë kohë për rrethanat e personazhit tim kryesor. Sidoqoftë, shkova drejt e atje, pa e menduar dy herë. Trokita dhe hyra brenda. Mbas një tryeze të zakonshme rrinte një grua e re me pamje të zgjuar dhe mjaft tërheqëse.

– Mirëdita, – i thashë, – kam një problem pune.

Dhe i zgjata njoftimin për ndërprerjen e marrëdhënieve financiare.

– Ulu, – më tha me atë sigurinë dhe ngenë e njeriut që i ka të zakonshme këto probleme dhe e di se çfarë rruge të gjatë ka për të bërë.

U ula dhe nisa t’i shpjegoja punën time në Lidhjen e Shkrimtarëve që prej dhjetë vjetësh, pa asnjë vërejtje, pa asnjë pakënaqësi profesionale, përkundrazi, me disa lavdërime.

Duhet t’i kem folur qartë dhe qetë, sepse ajo u ngrit nga karrigia, mori çantën e varur në kremastar dhe më tha të dilnim.

– Shkojmë bisedojmë me ndonjë të administratës së Lidhjes, – tha ajo, – afër e kemi!
Nuk më pyeti për asgjë të dyshimtë, ndoshta përvoja e kishte mësuar t’i kuptonte shpejt njerëzit me problemet e tyre të punës.

– Kryetarin e Degës së Kuadrit duhet të takojmë, -tha. – Ose sekretarin për letërsinë apo si i keni ju. A shkon mir me ata?

– Unë shkoj mirë me të gjithë, bile edhe me vetë Kryetarin e Lidhjes që ka firmosur pushimin nga puna, – iu përgjigja.

– Atëherë, përse të ka larguar?

– Nuk e di, ndoshta do ta mësoj bashkë me ju.

– Ndoshta.

Kryetarin e Degës së Kuadrit, shkrimtarin Hasan Petrela e gjetëm në Klubin e Lidhjes. Hasani duket kishte pirë pak, sepse kur unë i paraqita juristen e Zyrës së Ndihmës Juridike dhe i thashë se ajo donte të bisedonte me shefin e kuadrit për pushimin tim, ai më tha:

– Me këtë ndihmëse perri që paske gjetur, a ka njeri që të ndalon ty?! Të më kishin pushuar edhe mua nga puna për një si kjo!

Plasi e qeshura. Mezi pushuam, derisa i thashë:

– Nuk më kanë pushuar për këtë, o Hasan!
– E di, – tha ai, – por bëra shaka – dhe iu drejtua juristes. – Çfarë do të dish nga unë?
Ajo e pyeti për sjelljen time në institucionin kulturor dhe ai iu përgjigj me fjalët më të mira, në çdo drejtim. Pastaj sqaroi në një farë mënyre edhe motivacionin e vërtetë të pushimit nga puna.

– Këtu, – tha ai, – pinë të gjithë. Mundet Cenin e zë pak më shpejt, sepse ne pimë dy herë më shumë se ky. Kurse vetë Dritëroi pi sa të gjithë ne bashkë. U habita kur më thanë se e pushuar nga puna për pije!

Loreta, kështu e quanin juristen që do të më drejtonte gjatë në këtë çështje, u ngrit nga tryeza dhe më tha se e kishim nisur mbarë, por do të shkoja të nesërmen në mëngjes në zyrën e saj për të sqaruar procedurat që do të ndiqnim.
E falenderova dhe e shoqërova deri afër Gjy, katës së Rrethit të Tiranës, ku edhe u ndamë.

Nuk gjeja paqe në asnjë mënyrë. Nuk dija ku të shkoja dhe dita që kisha përpara më dukej se nuk do të mbaronte kurrë, ndaj gjeta si të vetmen mënyrë për të shfryrë dhe për të kaluar kohën: një letër që mund ta shkruaja në adresë të Komitetit Qendror të Partisë. Përballë Gjy, katës ishte një librari, ku mora një fletore, ndërsa pak më sipër ishte kafe “Flora” ku zura një tryezë në qoshe dhe porosita një dopje konjak “Skënderbeu” me kafe.

Nuk mbaj mend të kem shkruar gjë më me pasion dhe që të më ketë dhënë aq shumë kënaqësi!

Së pari, duke iu drejtuar shokut Ramiz Alia, pasuesit të Enver Hoxhës, tregoja kush isha dhe çfarë kisha bërë për dhjetë vjet me radhë si redaktor në gazetën “Drita”.

Pastaj i flisja për vetë organizatën e shkrimtarëve, çfarë ishte ajo dhe si funksiononte. E Kisha të lehtë ta përshkruaja, sepse më dukej sikur ritregoja subjektin e romanit që sapo kisha dërguar për botim. Edhe pse ajo e romanit ishte një ndërmarrje pune me administratë të korruptuar, kurse kjo tjetra një qendër krijuesish, sistemi qe i njëjtë dhe po të njëjta duhej të ishin edhe marrëdhëniet midis njerëzve. Mjaftonte ta tregoja pushimin tim si subjektin e një romani. Dhe ashtu bëra. Derisa letra mbaronte si asnjë ankesë tjetër e shkruar në kohën e socializmit tonë. Këtë e mbaj mend mirë, sepse e përfundoja kështu:

“Më morën punëtor të thjeshtë në punën time, dhe tani më nxjerrin në mes të rrugës me një copë letër në dorë, çdo të thotë kjo?!”

Burimi: Gazeta Mapo https://gazetamapo.al/me-kishin-pushuar-nga-puna/