Kush ishte aktorja dhe politikania greke, ish-ministrja e Kulturës dhe fituesja e sa e sa çmimeve ndërkombëtare. Historiani i kinemasë, Abaz Hoxha, zbulon se Merkuri ishte me origjinë nga fshati Pilur

Është një prej artisteve më të njohura greke, por jo vetëm. E ndoshta nuk janë të shumtë ata që e njohin origjinën shqiptare të Melina Merkurit. Aktore, këngëtare dhe politikane greke, Melina Merkuri lindi më 18 tetor 1920 si Maria Amalia Merkuri (Mercouri). Si aktore ajo bëri debutimin e saj të parë në filmin “Stella” (1955) dhe më pas interpretimin në filmin me të cilin pati sukses ndërkombëtar, “Never on Sunday” dhe më tej në “Phaedra”, “Topkapi” dhe “Promise at Dawn”. Fitoi çmimin për Aktoren më të Mirë në 1960 në Festivalin e Kanës dhe gjithashtu u nominua për “Oscar”, “Tony Award”, tre “Golden Globe” dhe dy çmime “Bafta”.

Një aktiviste politike gjatë 1967–1974, Merkuri u bë anëtare e Parlamentit grek në 1977-n dhe e para ministre femër e Kulturës së Greqisë në 1981. Melina Merkuri ishte personi që në 1983-shin konceptoi dhe propozoi programin e kryeqytetit europian të kulturës, që më pas u zbatua nga Bashkimi Europian që nga 1985.

Origjina e Merkurit nga Piluri?! Sipas historianit të kinemasë, Abaz Hoxha, Melina Merkuri është me origjinë nga fshati Pilur. Hoxha ka shkruar dhe më parë për origjinën shqiptare të Merkurit, duke qenë mbase ndër të parët dhe të vetmit që flet publikisht për diçka të tillë. Ai e përmend atë në librin me titull “Shqiptarët në kinematografinë botërore”, ku ka përfshirë edhe Melina Merkurin. Porse, tani ai rrëfen edhe disa detaje të reja, të papërfshira në këtë botim.

“Babai i saj është larguar nga Shqipëria dhe ka shkuar emigrant në Francë. Atje ka hapur një restorant dhe më vonë është kthyer në Greqi, ku është përfshirë në politikë dhe u zgjodh edhe kryetar i Bashkisë së Athinës”, shprehet për “Unë gruaja” Abaz Hoxha. Sipas tij, “Merkuri kishte një afeksion të veçantë për aktorin John Belushi, vëllain e Jimit dhe, kur ai interpretonte, shkonte shpesh dhe mbas shfaqjes e përqafonte”.
“Merkuri ka ardhur në Shqipëri si ministre e Kulturës greke dhe e ka deklaruar vetë se ka origjinë shqiptare. Madje, sipas të dhënave të mia, ka shkuar edhe në Pilur dhe është takuar edhe me një fis të babait dhe, kur ai i ka folur për të atin, duke e quajtur jo Melina por Angjelina, ajo është mallëngjyer dhe e ka përqafuar”, vijon Hoxha, ndërsa vëren se fisi Merkuri është një nga fiset më të njohur shqiptarë në Greqi.

Fillimet në skenë
Pas diplomimit, Merkuri u bë pjesë e Teatrit Kombëtar të Greqisë dhe luajti rolin e Elektrës në pjesën e Eugene O’Neill “Mourning Becomes Electra” në 1945. Në 1949 pati suksesin e parë të madh në teatër duke interpretuar Blanche DuBois në “A Streetcar Named Desire”, shkruar nga Tennessee Williams. Deri në 1950, ajo punoi edhe në pjesë të tjera nga Aldous Huxley, Arthur Miller, Philip Jordan dhe André Roussin. Më pas u zhvendos në Paris, ku u shfaq në shfaqjet bulevardeske të Jacques Deval dhe Marcel Achard dhe takoi dramaturgë dhe romancierë të famshëm, si: Jean Cocteau, Jean-Paul Sartre, Colette dhe Françoise Sagan. Në 1953, mori çmimin “Marika Kotopouli” dhe u kthye në Greqi dy vjet më vonë.

Fama me filmat dhe njohja me bashkëshortin
Filmi i saj i parë ishte ai në gjuhën greke “Stella”, në 1955. Gjatë këtij filmi ajo takoi regjisorin amerikan Jules Dassin, me të cilin ndau jo vetëm karrierën, por edhe jetën. Bashkëpunimi i tyre i parë profesional ishte në 1957, në “He Who Must Die”, pasuar më pas nga të tjerë filma.

Ajo u bë e njohur për audiencën ndërkombëtare kur interpretoi në “Never on Sunday” (1960), ku Dassin ishte regjisor dhe aktor gjithashtu. Për këtë film, Merkuri mori çmimin e aktores më të mirë në Festivalin e Kanës më 1960.

Merkuri ka punuar me shumë regjisorë të famshëm, si: Joseph Losey, Vittorio De Sica, Ronald Neame, Carl Foreman, Norman Jeëison etj. Në 8 tetor 1962, Merkuri u shfaq në tv show-n amerikan, “What’s My Line”. Në vitet në vijim ajo u përqendrua së shumti në karrierën e saj, duke luajtur në produksionet greke të “The Threepenny Opera”, e veç të tjerave edhe në tragjeditë greke të Medeas dhe Orestias.

Ajo hoqi dorë nga interpretimi në film më 1978, kur luajti në filmin e saj të fundit, “A Dream of Passion”, me regji të bashkëshortit të saj, Jules Dassin. Shfaqja e saj e fundit në skenë ishte në operën “Pylades” në Hollin Koncertor të Athinës në 1992, ku portretizoi Klitemnestrën.

Por nuk duket të harrojmë se Melina Merkuri ishte dhe këngëtare. Një prej këngëve të saj të para ishte nga Manos Hadjidakis dhe Nikos Gatsos. Melina Merkuri vd, iq më 6 Mars 1994 në “Memorial Sloan-Kettering Ca, ncer Center”, New York City, nga kan, ceri i fytit, në moshën 73-vjeçare.

Ajo ndau momentet e fundit të jetës me bashkëshortin e saj, Jules Dassin. Për nder të saj, në Greqi u mbajt një funeral shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, katër ditë më vonë. Me mijëra njerëz ndoqën funeralin e Merkurit, e cila tani prehet në krah të bashkëshortit të saj, në Va, rrezën e Parë të Athinës.

Burimi: Panorama.com.al