NGA MILENA SELIMI

Karriera e saj pëson një rritje në majën e ajsbergut të artit të kërcimit, në “Balshoi Teatër”, në qendrën botërore të baletit, në Moskë. Shkurti i vitit 1958 e gjen në majat e baletit. Ajo kërcen si soliste e parë në këtë teatër me famë që nga 1 shkurti i vitit 1958- 3 Korrik 1967. Në qendër të grupit të “baletit të vogël” siç quhej grupi fillestar i artit të kërcimit, shkëlqente talenti i të paarritshmes, vajzës shkodrane Melushe Bebeziqi. Emri i vërtetë i saj ishte Melehad, por të gjithë e quanin Melushe, një emër më tingëllues, më i ëmbël e më ledhatues.

Balerina Melushe Bebeziqi gjatë një shfaqjeje në “Balshoi Teatër”

Balerina shqiptare ka lindur në vitin 1933 në qytetin e Shkodrës dhe, falë aftësive të saj të veçanta, shumë shpejt u bë një nga kërcimtaret e dukshme të trupës fillestare të baletit. Në moshën 17-vjeçare, u nis drejt Moskës për të studiuar në shkollën koreografike të Moskës, në grupin e balerinëve të parë që shkonin atje si Ganimet Vendresha, Zoica Haxho, Petrit Vorpsi, Agron Aliaj, etj.. Dëshira dhe pasioni, talenti dhe fati e ngjitën më pas në skenën më të adhuruar të baletit botëror në “Balshoi Teatër”. Kërkimet dhe mundësitë për të mësuar rreth jetës së saj kanë qenë tepër të vakta.

Balerinët e brezit të saj e kanë njohur në momentet e mësimit të baletit, por nuk kanë mundur ta shohin në interpretimet e saj skenike në teatrin e madh të botës. Për këtë arsye faktet e jetës së saj skenike kanë qenë përherë të mjegullta. Falë një përpjekjeje të pedagogut të AAB në Tiranë, Faruk Koka, është mundësuar komunikimi me arkivin e “Balshoi Teatër” në Moskë dhe sot, falë një korrespondence të vështirë dhe të gjatë, kemi informacione të sakta për rolet e interpretuara prej saj në këtë teatër.

MITI I BALERINËS DHE TË DHËNAT TRUPORE

Melushja balerinë ishte njëra nga vajzat më trup e bukuri të veçantë. Në skenë dhe gjatë kërcimit ajo bëhej edhe më e bukur, sepse natyra i kishte falur të gjitha të dhënat fizike që i duhen një balerine. Tek ajo ishin skalitur bukuri trupore me dimensione e proporcione që rrallë lindin te një balerinë dhe kur ndodhin, e veçojnë tërë- sisht nga trupa duke e quajtur “e lindur për soliste”. E rëndësishme te Melushja ishte ekspresiviteti i saj, që buronte nga një e brendshme tepër shpërthyese. Gjatë kërcimit, shihje një Melushe në rol, së cilës i fliste çdo pjesë e trupit, fytyra, duart, korpusi trupor, me zjarr e temperament. Jo më kot e quajtën “balerina rebele”.

REBELE & PASIONANTE

Ende nxënëse në shkollën koreografike të Moskës, në vitet 1950-1956, u cilësua me epitetin “e ëmbla balerina rebele” nga vetë pedagogia e kursit. Ishte pikërisht ajo që do të shprehej më vonë për të: “Melushen e dalloj në çdo formacion artistik. Sikur 100 balerinë të jenë në kërcim, ajo kuptohet se ka një impulsivitet të veçantë. Melushja ka lindur për të qenë soliste”. Dhe vërtet, masa e kordebaletit në skenë e mbyste atë. Te Melushja ndihej nevoja e shpërthimit individual, të pavarur. Ishin të dukshme aftësitë e saj, prandaj ende nxënëse në shkollën koreografike të vitit 1953, në spektaklin e shkollës, Melushja luan pjesën solistike “Kërcim oriental”, në baletin “Arrëthyesi”.

Ky numër pikant që vjen i ruajtur nga shekulli XIX e këtej kërkon cilësi të veçanta mjeshtërore në interpretim. Melushja e realizoi me dinjitet artistik dhe që nga ajo ditë ajo mori emrin e dytë nga të gjithë artistët e shkollës, “balerina rebele e Shqipërisë”. Ishte e çuditshme, por emri rebele vinte jo thjesht nga shpërthimet e saj skenike, por edhe nga temperamenti i saj tepër energjik.

Nuk mund të mendoje një Melushe në bisedë pa gjestet e saj dinamike, pa fjalët e saj këmbëngulëse dhe ëmbëlsinë karakterizuese të portretit. Në të kundërt, në skenë ajo i shpëtonte “rebeles”, edhe rebelimit emocional. Ky ishte ndoshta rebelimi i fortë i Melushes, paarritshmëria nga të tjerët, ajo që i jepte një përmbajtje të thellë emocionale rolit, plus graciozitetit dhe plastikës trupore, që është karakteristikë e veçantë në kulturën e Orientit në tërësi. Balerina filloi karrierën e saj artistike në Shqipëri me pjesët popullore të vendit dhe pjesë të huaja. Ka qenë e pakapshme në idilin shqiptar “Vallëzim me shtamë” dhe “Vallja moldaviane”, ku ajo u skalit edhe ne kujtesën e spektatorit shqiptar./ShkdoraNews.org