Nga Josif Papagjoni

Herë pas herë në tryezën e diskutimit ka riardhur debati nëse ia vlen dhe a duhet apo jo të shfaqen filmat shqiptarë të prodhuar para vitit 1990. Ja ku ka mbërritur rishtazi! Rëndom ky diskutim ka përfunduar në rrugë qorre, në një konfuzion qëndrimesh e pikëpamjesh, një debat thuajse shterp, me ngatërrime kriteresh, madje i manipuluar njëanësisht. Rishtazi kërkohen “Cerebrët” e rinj, kërkohen “pilulat”, kinse për t’i shpëtuar njerëzit nga inflamacioni i ideve komuniste që bartin e shpërndajnë si pjalm i helmatisur këta filma.

Njerëz që marrin atributet e kritikës ofrojnë koncepte dhe pikëpamje jashtëestetike, me prani qëndrimesh politike dhe e gjykojnë artin filmik të djeshëm në mënyrë të vrazhdë, si të ishin kasapë a të frikshmit e dikurshëm të “zyrave” ku syçelej censura. Me një të rënë shpate a lapsi ata suprimojnë gjithë mundin, talentin, djersën, idetë, emocionet e artistëve shqiptarë, vlerat e shënuara me aq pasion e fantazi, madje me mençuri, dhe jo rrallë me gjuhën ezopike të alegorive etj. Ata recipientin e sotëm gati e “foshnjërojnë”, duke i kthyer në “tabula rasa”, ku fare lehtë mund të shkruhet mbi mendimin dhe aftësinë e tyre gjykuese gjithçka, kinse se edhe pas 27 vjetësh, ai na u influencuaka nga ideologjia komuniste thjesht me një shkelje syri dhe nuk e dalluaka dot dinosuarin e regjimit komunist, që u rrëzua nga kalbja dhe stërpesha e vet?!

Po pse vallë, arti vetëm në kritere politike hala duhet vlerësuar, si dikur? Nuk di njeriu i sotëm, i njëmijë e një dritareve, qasjeve, hapësirave, të bëjë diferencimin e vet dhe të kuptojë ç’është shtinjake, e mbivendosur dhe e imponuar, nga ajo që është dhe funksionon si thelb i artit të kinemasë, nga imazhi, mjedisi, zakonet, doket, historia, etika, gjesti social, humanizmi, marrëdhëniet në familje, dashuria e plot vlera të tjera, gjer te loja e aktorit, dialogu, replikat e mprehta e domethënëse? Po si mund të anashkalohen filma të tillë, të një sipëranie dhe formati që vështirë të përsëritet më, si: Përrallë nga e kaluara, Lulëkuqet mbi mure, Udha e shkronjave, Koncert në vitin 36, Mësonjëtorja, Në shtëpinë tonë, Duaje emrin tënd, Gjeneral gramafoni, Dimri i fundit, Kur xhirohej një film, Kapedani, Nëntori i dytë, Kush vdes në këmbë, për të ardhur në dhjetëra të tjerë, që falë talentit të kineastëve tanë, janë bërë pjesë e kujtesës kulturore dhe shikohen me ëndje dhe sot. Mos e bëni artistin thjesht një shërbyes dhe “guzhinjer”, sepse arti ka, pos të tjerave, edhe “dinakëritë” e tij që ia ka kaluar Ciklopit-shtet nën shalë shumëçka të vyer, humane e të bukur, si Uliksi dikur shokët e vet nën barqe deshësh.

Arti është një fenomen i ndërlikuar, opeon në shtresime të shumta semantike, por sidomos ka njeriun dhe shpirtin e tij në qendër, s’është pari, citat, nen, reformë politike, prandaj dhe artistë të shquar, ndonëse kanë jetuar nën diktatura, madje u kanë shërbyer ideologjive e doktrinave të tyre, u kanë bishtnuar atyre dhe janë sot pjesë e trashëgimisë dhe sipërisë estetike e artistike, sepse arti është një “maja” asilloj që s’mund të gatuhet dot pa ca inde që janë përjashtimisht të tijat, prandaj dhe origjinale e rezistente.

Po, është mëse e vërtetë se shteti i diktaturës komuniste, duke i rrëmbyer gjithë atributet për vete dhe duke marrë përsipër të bëhej “Perëndi”, “Religjion”, kishte nevojë për imazhin që gatuhej në magjet e politikave të tij, kishte nevojë për mite dhe fetishe, sepse imazhi ishte mjaft i fortë dhe ndikonte drejtpërdrejtë te masat e gjera. Lenini e pat kuptuar fuqinë e imazhit filmik, andaj dhe e çmonte shumë atë si një mjet me efekt të lartë propagandistik. Edhe pushtetarët e rinj të Shqipërisë së varfër e pa tradita të pas Luftës II Botërore e dinin se me imazhin kinematografik mund ta lehtësonin mjaft punën e tyre për të besuar në mitet e reja politike dhe utopitë sociale, që vetë i kishin sajuar. Imazhi, falë gjuhës së bukur të artit dhe shenjave të shumëfishta, i bënte më të “ëmbla” kirurgjitë e vrazhdëta të vetëdijes kolektive, që aplikonte asohere pushteti dhe fabrika e tij propagandistike. Imazhi ngulitej në tru, kthehej në mbamendje, historitë e zgjedhura nga bëmat e komunistëve fitonin legjitimitetin e historive heroike e të besueshme, duke u shndërruar vetiu në legjenda urbane. Për këtë shkak, shteti komunist financoi shumë në rritjen e prodhimit kinematografik.

Afërmendsh që filmi s’është me domosdo një paraqitje e përpiktë realitetesh në periudha kohe të dhëna, as vetëm e “vërteta jetësore”, ca më pak një mesazh i drejtpërdrejtë politik a shoqëror. Është më tutje se kaq. Më thellë. Edhe filmat e gatuar në periudhën totalitare. Imazhet e sjella prej tyre në pjesën më të mirë, më të bukur, megjithatë, janë do sinteza ku kohët japin e marrin, alternohen. Ku idetë fitojnë përmasë tjetër e truri ynë ndihmohet të ftillohet, gjithsesi. Ku fati dhe qenia njerëzore, sido që në një mjedis, në një rreth social a rrethanë konkrete, rreket të shndërrohet në shënjim universializues, lidhur me të tjera fate, mjedise, rrethe sociale, duke u transhendentuar pra në një simbolikë të qartë, në asociacion, shkurt në qenie humane ekzistenciale. Mekanizmi receptiv, pra raporti i produktit filmik me perceptuesin e sotëm, recipientin, sigurisht është një raport i brishtë, që lëviz, ku optika nuk është fikse, ashtu e dhënë dhe e pandryshueshme më kurrë, diçka e ngrirë dhe e kthyer në fosile, materie të vd, ekur, herbarium. Arti filmik jeton në kohë, është një produkt që rishikohet, riperceptohet, ndaj dhe thjerëza e shikimit të spektatorit të sotëm është e lëvizshme, e thyeshme, gjegjësisht kohës dhe përshtatur shijeve të pritësit të ri. Andaj dhe në syrin e këtij pritësi duhen bërë edhe rivlerësimet e domosdoshme e të pashmangshme të prodhimit filmik të djeshëm. Dhe duhet dashuri, respekt, jo dhunë dhe motosharra në duar për të rrafshuar çdo gjë falë një vetëdijeje që sheh veç bardhë e zi.

Spektatori di ta ndajë vetë grurin nga egjra

Spektatori i sotëm di ta ndajë vetë grurin nga egjra, pa i bërë “leksione” të mërzitshme, si nëpër shkolla apo “informacionet politike” të dikurshme, siç sugjerohet nga këta njerëz, që shpesh më duken të kompleksuar. E ç‘duhen “ligjëratat” shpjeguese përpara filmit, sikur ke përpara një tufë nxënësish të fillores, ngjashëm me kronikat që jepeshin dikur përpara filmit artistik, dhe njerëzit prisnin me padurim të mbaronin ato dokrra, aq të neveritshme dhe qesharake qenë. Nëse ka diçka që ndihet se është një gënjeshtër, mashtrim, iluzion i rremë, propagandë, vetëdija estetike e spektatorit të sotëm, e çliruar nga verigat e impakteve dhe indoktrinimeve të dikurshme, është e aftë ta bëjë vetë skualifikimin. Por, nga ana tjetër, ai mund të marrë nga ata filma gjësende të tjera, që konvergojnë me përjetimet e tij të sotme, sepse arti, ndryshe nga konjuktura politike dhe propaganda, ja që ka atë tharm universal çka e bën të riciklohet dhe t’i qaset mendjes dhe shpirtit të publikut të sotëm.

Përse ta flakim filmin “Rrugë të bardha” apo meqë aty flitet për solidaritet njerëzor

Shpirti i njeriut, në një pikëpamje ontologjike, është një dhe i pandryshueshëm, sa i takon disa përjetimeve të ngulitura, origjinare, të “koduara”, pjesë imanente e qenies. E pse na duhet ta flakim filmin “Rrugë të bardha”, apo meqë aty flitet për solidaritet njerëzor, meqë një fillrojtës mbetet i ngrirë në një shtyllë telefoni kinse për “përgjegjësinë ndaj detyrës”, se lidh telat e këputur nga suferina e bashkon zemrat, zërat, d.m.th pra se na qenka një “hero i realizmit socialist”, hero i trilluar komunist apo një i ashtuquajtur “njeriu i ri”? Kjo logjikë nuk qëndron. Pse vallë nuk kishte njerëz të tillë atëherë që e shkrinë jetën e tyre nën sakrificë, që ishin punëtorë të mirë, heshtakë, të përkorë, të butë, dhe bash aty qe pikërisht dhe vlera e tyre morale, etike? E pse mos të na pëlqejë, madje, edhe filmi “Horizonte të hapura”, paçka se ka aty një hero të politizuar, si tepër, Uranin, që vdes duke u kujdesur për Bigën Lundruese ku punonte. Vallë s’di njeriu të kuptojë se ky hero, nëse ia heq ca fraza prej komunisti, është, megjithatë, një njeri i mirë, solidar, i thjeshtë, që sakrifikon? Po të tjerët në këtë Bigë dhe atë kantier, Kapedani, Sokrati a nuk e shprehin kohën e tyre bukur mirë? Dhe kështu do të vijoja me filma të tjerë, për t’i dhënë argumentit logjikën estetike dhe jo atë politike; për të dalluar ç‘është art e ç‘është mbivendosje ideore politike.

Në shumë filma shikuesi i sotëm dallon fare lehtë se vërtet ka aty ndotje e një inkontaminim të pashmangshëm nga idetë e kohës, ndonjëherë dhe nga cipa e jargët e propagandës së hapur ku sloganet të neveritin (ose të bëjnë të qeshësh), por, nga ana tjetër, teksa i shikojmë në qasjet e tyre etike, humane e të brengave shpirtërore, nuk kemi pra pse t’i flakim. Kur dy njerëz duhen, por më pastaj ndahen, sepse qëndrimet e tyre ndaj jetës dhe sidomos moralit shoqëror janë të ndryshme, njëri i ndershëm e tjetra që kërkon ta mbulojë vjedhjen e të atit, si në filmin Hije që mbeten pas, vallë ky fenomen nuk është i pranishëm edhe sot, madje shumë më i mahisur si plagë shoqërore, pjesë e korruptimit të shoqërisë dhe hapësirës së ngushtuar të ndershmërisë, si virtyt njerëzor?!

Ose një medalje tjetër e tjetërsimit të njeriut nga tundimi për karrierë, rehati e mirëqenie të pamerituar, sidomos nga meskiniteti dhe humbja e mirësisë, e thjeshtësisë, e sinqeritetit me njerëzit e afërt, si te filmi Dhe vjen një ditë, vallë kjo nuk krijon impakte me shikuesin e sotëm?

Komunizmi ka vd, ekur, tashmë është një ankth i shkuar, “hijet” e tij më kot zgjohen si rre,ziqe të influencimit të spektatorëve

Mendësi të tilla kritike që përsëriten shpesh nga ndoca njerëz që kujtojnë se me një kinse “terapi shok” do ta shpëtojnë publikun nga kultura e djeshme, duke harruar se kështu e lënë këtë vend “pa kulturë”, se gjithçka dje ka qenë veçse një hiç i madh e i rrumbullt, se çdogjësend duhet nisur nga fillimi i fillimit, për të mbërritur të “fillimi i ri”. Ç’është kjo psikozë spekulative e groteske, që ende turbullon dhe s’na lë të kthjellojmë arsyetimin, drejtpeshimin, posaçërisht kur jemi në rrafshin estetik dhe gjuhën e artit, që jo më kot thuhet se na paska dhe “pavarësi” nga koha kur bëhet dhe se, për fatin e tij të mirë, ka fuqinë e universalitetit në raport me pritësin e vet, pra të një kohe tjetër si e jona, e të një tjetre më pas, për shkak të bulbeve humane e shpirtërore të personazheve, për shkak të kundërshtive, situatave shpirtërore, subjekteve dhe ngjarjeve që ai paraqet. Por mua këtu është edhe vlera e njohëse e filmave artistikë të djeshëm, që s’mund të nënvleftësohet e të tejkalohet assesi. Nuk është fjala për surrogatot dhe skarcitetet, por për vlerat. Nuk ka shpjegim që bashkë me ujin të hedhim dhe fëmijën nga govata, pra talentin dhe shpirtin krijues të kineastëve shqiptarë.

E si t’ia bëjmë më tutje, në voli të argumentit tonë, filmit “Beni ecën vetë”, edhe ai çunak komunist na qenka?! Po “Tela për violinë”, ku ironizohet hyrja me hatër në një konkurs muzike, komuniste na qenka dhe kjo? Sot s’bëhet fjalë fare për “ndërhyrje” me ca zarfa “kot”, por për zarfa mbushur me para të thata për një vend pune e gjësende të ngjashme kësodore. S’di njeriu të bëj një qasje duke qëndruar në asociacionin që cyt dukuria dhe problemi nga dje, sot?! Unë po them edhe filmi “Njeriu i mirë”, ani pse ka diku atë mbishtresimin propagandistik të Telos, njeriut që vjen nga “baza” etj. Dakord, po dashuria e tij, karakteri i tij, ngjarja që ndodh, meskiniteti i Kiço Peles?! A nuk është një shëmbëlltyrë vullneti, ambicie dhe modestie ky njeri? Këto cilësi njerëzore e dëmtojnë vallë publikun e sotëm? Po vlerat e tjera, po thelbi, po bukuria estetike, duhet t’i flakim nga filmat e tjerë sivëllezër?

Ç’janë këto qëndrime in exrremis dhe ky “tendenciozitet i ri” që po shfaqet, kinse nën sloganin e rrezikut nga ndikimi komunist, duke e bërë dhe ribërë “gogol”, si dikur Marksi por në tjetër kontekst. Komunizmi ka vd, ekur, është tashmë një ankth i shkuar dhe më kot zgjohen “hijet” e tij duke i projektuar si rreziqe të influencimit të spektatorëve. Kjo është më shumë një frikë, një klishe politike e tejkaluar dhe një tabu e kalbur brenda trurit të disa mendjengushtëve, që e shndërrojnë në kalë beteje, në instrument a doktrinë të ashtuquajturin antikomunizëm, se sa pjesë natyrore e vlerës estetike dhe artit si të tillë, që funksionon dhe mbijeton në marrëdhëniet konkrete me pritësin e sotëm. Është një lojë e radhës, s’dihet se për çfarë përfitimesh. U çel edhe një herë ky diskutim rreth 15 vjet më parë dhe u duk i tejkaluar dhe anakronik, ndaj dhe u braktis. Filmat që publiku i do, i klikon pa urdhrin e askujt. Atë që s’e do, e braktis. Dhe kjo është zgjidhja. Tutorët dhe tutorizmi s’janë veçse një bezdi më shumë, ose “kujdestar surrat patate, mirë ia bëmë zotërisë sate!”. Nganjëherë këto mendime e qëndrime, edhe pse kanë shqetësimin e tyre për të shmangur çdo impakt negativ, janë më shumë keqkuptime a keqinterpretime të vetë artit si të tillë, të procesit natyral të receptimit të tij në rrjedhën e kohës, që të kujtojnë për dreq 5 parimet e realizmit socialist e ndër to ndalimin e gjithçkaje që vinte nga letërsia dhe arti botëror…

Burimi: www.shekulli.com.al