Lule t’bukra ka Tirona” është koncerti recital i bilbilit të Shqipërisë, Merita Halili, që e rikthen atë pas 30 vitesh në ansamblin ku filloi karrierën.
Zana Çela, drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ka bërë dje publik kalendarin e sezonit të ri artistik shtator 2019-janar 2020. E pranishme në panel ka qenë dhe këngëtarja e njohur Merita Halili, e cila rikthehet në atdhe për një koncert me ansamblin dhe u shpreh tejet e emocionuar për koncertin që ka në datat 27-28 shtator ora 19:00.

“Nëse në gjysmën e dytë të sezonit janar-korrik 2019 në qendër të vëmendjes ishte opera, në këtë sezon të ri prioritet do të jetë Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore. Gjatë katër muajve të këtij sezoni artistik, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të prezantohet në dy premiera, e para ‘Lule t’bukura ka Tirona’, kushtuar zërit simbol të muzikës së Shqipërisë së Mesme, Merita Halili dhe premiera e dytë që do t’i kushtohet orkestrës Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe jo vetëm kësaj, por të gjithë artistëve që kanë interpretuar që nga krijimi i tij”, tha dje Çela.

Sipas saj, për sezonin në vijim, një moment i rëndësishëm janë edhe turet që Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të zhvillojë në Ukrainë, Itali dhe Kroaci në kuadër të marrëveshjes me Ministrinë e Diasporës që ka në fokus mësimin e këngëve dhe valleve popullore kryesisht brezave të rinj të diasporës.

“Një tjetër premierë mjaft e rëndësishme është në balet, një premierë absolutë botërore me koreografi të Angjelin Preljocaj. Nga muaji nëntor deri në dhjetor trupa jonë e baletit do të zhvillojë 30 masterklas në Francë, në kompaninë e shqiptarit të famshëm të skenave botërore Angjelin Preljocaj. Përveç masterklasit, në janar, në skenën shqiptare do të ngjitet premiera botërore e baletit ‘Annonciation’ me koreografi të Preljocaj”, vërejti drejtoresha e TKOB.

Duke shtuar se shfaqjet operistike mbeten në vëmendjen e tyre, ajo tha se në dhjetor do të ngjitet në skenë “Cavalleria Rusticana”, një premierë koncertale.
Njëherësh, mjeshtrat që themeluan TKOB do të vazhdojnë të jenë pjesë e kalendarit artistik. “Do ta nisim me njërin prej emrave shumë të rëndësishëm, Feim Ibrahimi, jo vetëm krijues por edhe drejtor artistik ndër vite i TKOB. Do të ketë një koncert të madh në nder të figurës së tij ku përfshihet e gjitha krijimtaria e tij në gjini të ndryshme.

Një moment i rëndësishëm është 75-vjetori i çlirimit të vendit. Do të ketë një koncert të madh gjithnjë duke iu referuar krijimeve të TKOB për atë periudhë. Kujtojmë një emër të madh, në 100-vjetorin e lindjes si Kostandin Trako, dirigjenti i parë i korit në TKOB. Kalendari Artistik do të vazhdojë të vihet në skenat si Pallati i Kongreseve, Arturbina apo Qendra Kulturore në Katedralen Ortodokse”, tha Çela.

Janë 176 aktivitete.
Në tërësi do të jenë sipas saj 14 premiera, 11 prej të cilave nga trupat artistike orkestër, kor solist.

Burimi: Gazeta Shqiptare – GSH.AL