Meropi Xhoja, aktorja e mirënjohur durrsake, artiste e Merituar, bashkëshorte e Artistit të Popullit Nikolin Xhoja, ka nisur një letër për kryeministrin Berisha, teksa ndodhet e shtruar në spitalin “Antonio Penino” në Brindëzi. Ajo i ka shprehur brengën e saj, por njëherësh ka kërkuar ndërhyrjen e tij, për të vënë në vend dinjitetin e familjes Xhoja.

Meropi Xhoja shprehet se që nga dita që ka takuar kryetarin e ri të bashkisë së Durrësit, ka qenë e emocionuar nga premtimi që i ka dhënë ai. Ai i ka thënë se do të korigjonte skandalin që kishin bërë paraardhësit e tij, duke i marrë me forcë apartamentin e ligjshëm të çiftit Xhoja, duke e nxjerrë në rrugë të madhe artisten e merituar dhe fëmijët e saj dhe se do ti jepte brenda muajit shtator, një apartament në Shkozet.

Gjithashtu i ka premtuar se do të rikthehej arkivi i dëmtuar i artistëve durrsakë. Por në një telefonatë të para pak ditëve kryebashkiaku është shprehur qartë se, “nëse dëshiron të jetojë në Durrës, duhet ta blejë apartamentin e premtuar në Shkozet, në shumën prej 22 miljon lekë të vjetra”. Ky lajm e ka tronditur dhe i ka rënduar së tepërmi gjendjen shëndetësore artistes, e cila gjendet e shtruar prej 1 muaji në spitalin “Antonio Penino”në Brindizi.

Artistja Meropi Xhoja, është gruaja e parë në Shqipëri, që është ngjitur në skenë në vitin 1936. Ajo thotë se historia e trishtë nis në vitin 1992, kur ajo ndodhej në Brindizi tek e bija Aksinja. “Familja jonë jetonte asokohe në Durrës në shtëpinë e një ish pronareje, shkrimtares Ivoni Reso. Sipas ligjit shqiptar, kjo kategori qytetarësh nuk do të dilte nga shtëpia, deri sa të strehoheshin nga shteti. Për familjen tonë u veprua turpshëm, u përdor dhuna.

Me telefon na lajmëruan se është boshatisur shtëpia, e ka marrë pronari dhe janë dëmtuar orenditë si dhe arkivi i familjes. Ishte vërtetë e tmerrshme, pasi këtë veprim nuk e meriton edhe një qytetar i thjeshtë dhe jo më një familje artistësh. Për gjatë 15 vjetëve kemi kërkuar që bashkia të na japë shtëpi, pasi konsiderohemi të pastrehë, por edhe shpresa që na dha kryetari i ri i Durrësit në maj, u fik.

Tani artistja shpreson se kryeministri i vendit, me autoritetin e ligjit, do të korrigjojë skandalet e kryebashkiakëve të Durrësit dhe do të vërë në vend dinjitetin e Familjes së Artistit të Popullit Nikolin Xhoja dhe fëmijve, që po përcjellin me mjeshtëri të lartë artistike vlerat e kombit shqiptar. Por artistja e moshuar vijon të ruajë brenda vetes një botë të madhe plot kujtime të bukura. Përveç kësaj historie të trishtë, Meropi Xhoja, aktorja që e ka nisur karrierën që në vitin 1936, rrëfen sekrete nga jeta e saj në një bisedë intime për Gazetën.

Kush është Meropi Xhoja?

Jam vajza e vetme e bashkëshortëve Nikolla dhe Katerina Zagorilla nga Durrësi. Babai më la 6 muajshe, por jam rritur nën kujdesin e nënës dhe vëllezërve, veçanërisht të Sotiraqit, që ishte ndër fotografët më të dëgjuar. Ai më futi edhe në rrugën e artit.

Në skenë të ngjiti Nikolini, apo kjo kishte ndodhur më parë se të njohje artistin e famshëm?

Kam dalë shumë vite më parë se të njihesha me Nikolinin. Kam interpretuar me tim vëlla, që shpesh shërbente edhe si sufler. Rolin e parë e kam luajtur kur isha 18 vjeç, interpretova rolin e nënës, si amatore, kuptohet dhe më pas nuk i u ndava skenës. Regjizori Ismail Cela,nuk më ka lënë edhe në një shfaqje të vetme pa rol.Vlerësonte talentin tim, por, duhet thënë se kishte nevojë edhe për vajza në skenë që ishin me gishta.

E sillni ndërmend çastin se si jeni njohur me Nikolinin. Ka zëra se i keni propozuar ju, është e vërtetë?

Ne ishim fqinjë dhe historia e dashurisë sonë lidhet me një letër. Në vitin 1944, Nikolini ndodhej në brigadën e tretë S në ndihmë të Kosovës. Në një letër që i shkruante nënës së tij, Parashqevisë, ajo nuk dinte të lexonte dhe më kërkonte ndihmë mua. Kur unë i shkruaja përgjigjen e saj, shtoja nga vehtja një frazë: “Të përshëndes nga larg. Meropi”. Kur ai u kthye nga lufta, pas disa ditësh, më ndaloi në rrugë, kur unë po shkoja në teatër. Ku po shkon? – më pyeti. Mund të vij edhe unë me ty. -Po nuk pate punë,eja- i a ktheva, si me inat.

Me siguri bëje sikur nuk doje…

Për hir te së vërtetës dua të them se bëja sikur…. Ai ishte djalë simpatik dhe shumë i sjellshëm. Më kërkoi që të luante një rol me mua, pasi edhe ai kishte luajtur në teatrin partizan. Vërtet, erdhi me mua dhe u ngjit në skenë. Kur mbaruam punë, u kthyem përsëri bashkë. Në një çast më ndaloi dhe më tha: Meropi, mua më ka zënë qymyri i Prefekturës.

Çdonte të thoshte me këtë?

Unë punoja daktilografiste në Prefekturë. Çfarë thua, ore-e pyeta, nuk të kuptoj. E kupton shumë mirë ti. S’paska më keq se kur të zëkërka qymyri. Nuk e kuptoja nëse bënte humor, pse e njihnin si të tillë, apo vërtetë kish rënë në dashuri me mua.
Unë heshta, por nuk mbahej ai se. Më zuri nga mënga dhe mu drejtua sy në sy. Moj, e kupton apo jo, ma ka bërë zemra dëng për ty, çfarë thua? Mua ma kish bërë dëng për vehte, por nuk desha ta jap vehten që ditën që më propozoi. I thashë se do të mendohesha, por do të konsultohesha edhe në shtëpi dhe do t’i përgjigjesha. Pas 6 muajsh njohje, u fejuam dhe u martuam dhe kaluam një jetë, si asnjë çift tjetër. Bashkëshortë idealë, prindër të shkëlqyer dhe partnerë të mrekullueshëm në skenë.

Kur jeni ndjerë e trishtuar?

Sëmundja dhe ikja para kohe e Nikolinit, më krijoi dhimbje të madhe. Qëndroi 1 vit i sëmurë rëndë, por kishte shpresë se do të shpëtonte. Nuk e dha vehten asnjëherë. Unë nuk iu ndava për asnjë çast, por nuk mundëm të ndalim vdekjen. Më krijoi një boshllëk të madh në shpirt. Dhimbja do të dyfishohej, kur më vdiq djali, Ugo, në moshën 50 vjeç. Kishte vuajtur në burg, u dënua për agjitacion e propogandë dhe bëri një jetë të vështirë. Tani jetoj me vajzën, Aksinjën që më merr me vehte dhe e ndjek në të gjitha shtet e botës ku jep koncert me pjano dhe lumturohem që ka arritur majat, që trashëgoi vlerat artistike të prindërve të saj artistë.

Ka ndonjë peng Meropi Xhoja?

Jo vetëm peng, por edhe dhimbje që nuk kam shtëpinë time në Durrës, ku të kaloja pleqërinë mes njerëzve të mi, miqve dhe durrsakëve që na kanë duartrokitur për gjysëm shekulli. Ndjej dhimbje që na trajtuan keq kryetarët e bashkisë për gjatë 15 vjetëve, ndjej dhimbje se nuk dimë se ku ndodhen orenditë e shtëpisë dhe për më tepër arkivi i familjes, që janë themelet e teatrit dhe estradës së Durrësit.

Gazeta Shqiptare

Advertisements
Advertisements