Një vajze tha diçka që e lëndoi shumë shoqen e saj të ngushtë. Ajo u pendua për këtë dhe do të bënte gjithçka që t’i merrte mbrapsht ato fjalë. Kështu kërkoi ndihmë nga një grua e urtë. Ajo i tha:

-“Duhet të bësh dy gjëra. Sot merr jastëkët më të mirë me pupla që ke dhe hapu nga një vrimë të vogël. Më pas, para se të lindë dielli duhet të vendosësh nga një pupël në pragun e çdo shtëpie në qytet. Kur të mbarosh eja te unë, të të them se çfarë të bësh më pas.”

Vajza bëri ashtu siç i tha gruaja, megjithëse ishte shumë ftohtë. Kur lindi dielli, ajo shkoi sërisht te zonja e urtë.

-“Bëra siç më the”,- i tha vajza.
-“Tani shko dhe mblidhi sërish puplat dhe futi në jastëk.”
– “Ti e di që kjo është e pamundur. Era i mori puplat, sapo i vura në pragjet e dyerve. Ti nuk më the se duhej t’i merrja sërish.

-“Kjo është e vërtetë. Çdo fjalë është si pupla kur fryn erë. Sapo e thua, pavarësisht sa mund të përpiqesh, nuk mund ta kthesh mbrapsht. Zgjidhi me kujdes fjalët dhe tregohu shumë e kujdesshme, sidomos në praninë e atyre njerëzve që do.

Burimi: Akropoli i Ri