Presidenti Ilir Meta vlerësoi me dekoratën “Nderi i Kombit” dy mjeshtrit e valles, Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu.

Dekorata për Cingun u dha në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si soliste me nivel të lartë artistik dhe mjeshtëri të veçantë në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit si dhe përçimin e folklorit tonë tek brezat e artistëve të rinj.

Ndërkohë për Rexhep Çelikun, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj.

Gjatë fjalës së tij drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin miq, kolegë e familjarë të dy artistëve, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, kreu i KLSH-së Bujar Leskaj, deputetë e personalitete të artit e kulturës, Presidenti Meta u shpreh se Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku kanë dhënë gjithçka nga jeta e tyre që vallja jonë popullore të duartrokitej e të ngrinte peshë zemrat e te gjithë shqiptarëve, kudo në botë.

“Ata ngritën në këmbë dhe pushtuan zemrat e spektatorëve të skenave më të rëndësishme ndërkombëtare duke u njehsuar me vlerat dhe bukurinë e artit, muzikës dhe trashëgimisë sonë, duke u bërë ambasadorë të shkëlqyer të kulturës sonë në botë. Në çdo shfaqje e festival ku kanë marrë pjesë, ata kanë shpalosur me interpretimin e tyre vlerat më të larta të artit koreografik shqiptar,” u shpreh Meta.

8 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)