“Me Kadriun unë isha njohur që kur isha student në teatër. Mund ta kishim parë më shumë se 20 herë Ezopin. Një aktor i jashtëzakonshëm, nuk ka aktor më të fuqishëm në skenë se Kadri Roshi. Për mua, rival ai ka pasur vetëm Naim Frashërin, të gjithë të tjerët janë distancë me kilometra dhe jo me metra.

Ai mbizotëronte dhe kontrollonte në mënyrë të jashtëza-konshme marrëdhënien me partnerin e me publikun. Dinte të shikonte edhe se kush po kollitej në sallë. Ka qenë aktiv në veprim, aktor i zgjuar. Po xhironim te filmi “Malet me blerim mbuluar”, ku një pasdite ishim në Libohovë.

Ditë dimri kur ja, del një rreze dielli të mirë tek kalaja ku ne po pinim raki. Papritmas Kadriu ia merr këngës. Ai këndonte bukur dhe  recitoi në mënyrë të përsosur. Në këtë bisedë tha se “unë jam nga Mallakastra”. Edhe unë i them nga ai vend jam. “Ik more “cjap”, më thoshte mua.

A e dini se çfarë do të thotë për mallakastriotët, ta thotë Kadri Roshi në Libohovë këtë gjë?!  Në filmin “Malet me blerim mbuluar” ne kishim një moment kur Kadriu duhet të më qëllonte me pëllëmbë. Regjisori i tha “qëlloje vetëm me një pëllëmbë”, por ai më qëlloi dy herë dhe fort.

Madje, ai në çdo dubël më fuste nga dy të forta dhe pas tyre më thoshte “a të dhemb?” dhe më përqafonte. Kemi pasur marrëdhënie konfidente, miqësore, profesionale. Pastaj si regjisor, unë e mora në një rol shumë të bukur tek filmi “Fletë të bardha”. Në atë film kemi punuar në mënyrë të  shkëlqyer.

Një herë tjetër, ne po xhironim në Divjakë dhe Kadriu ka pasur pasion peshkun. Në Divjakë, çdo natë ne ia shtronim për të pirë dhe për të ngrënë peshk dhe njeriu që hante më pak peshk ishte Kadriu, i cili i zinte.

Kur isha i ri kam xhiruar Mentor Xhemalin, Naim Frashërin, Piro Manin, Prokop Mimën, Hysen Pelinkun, në Lezhë dhe në vitet 1971-1972 kam një episod fantastik sesi ata zënë peshk, besoj se diçka nga këto materiale duhet të ketë Stefan Gajo, një ndër bashkëpunëtoret e mi shumë të afërt në ato vite.

Burimi: AktoretShqiptare.info