Këngëtaret i lënë pas kuintave shoqërueset, duke u marrë vetëm zërin dhe duke ua fshehur portretin. Në një treg muzikor të çoroditur mes play back-ut dhe ekspozimit të ko, fshëve e gjo, ksit, këngëtaret kërkojnë të dominojnë emrin dhe imazhin e tyre.

Dhe ia kanë arritur qëllimit. Shumë prej këngëtareve të viteve të fundit do të mbahen mend gjatë për trup bombastik, joshje gjatë performancës apo veprime skandaloze në skenë etj., por publiku e ka të vështirë që të kujtojë qoftë edhe një refren nga teksti dhe muzika e tyre.

Krejt ndryshe nga dikur, që edhe pse kanë kaluar dekada, na vijnë në mendje refrenet e këngëve të Vaçe Zelës, Ema Qazimit, Liljana Kondakçiut, Mifarete Lazes, Kozma Dushit, apo këngëtaret e fundit që mbyllën seriozitetin e Festivalit në RTSH, si Parashqevi Simaku, Justina Aliaj, e ndjera Anita Bitri etj.

Pikërisht për këta këngëtarë, që me të vërtetë mund t’i quash “big”, vjen sot në një rrëfim për gazetën “Panorama” mexosopranoja Mimoza Reka.

Ajo ka qenë një ndër tri bukuroshet që shoqëronin këngëtaret gjatë debutimit. Pasi përfundoi Liceun Artistik, duke u fokusuar në muzikën klasike, ajo u përzgjodh përmes një konkursi në Ansamblin e Ushtrisë. Pas një përvoje të shkurtër aty, ajo pati fatin që rrallëkush e kishte asokohe: U pikas nga kompozitori Vladimir Kotani për të qenë zë shoqërues në Festivalin shtetëror…

Ajo shoqëroi këngëtarët për herë të parë në vitin 1989, pikërisht atëherë kur Festivali i Dhjetorit u rrezikua që të mos realizohej. Për shkak të trazirave që paraprinë rënien e komunizmit, ai Festival ka qenë mes dilemave të mëdha organizative, ndërsa këngëtarët në mes dilemave të arratisjes. Siç ndodhi me Parashqevi Simakun, e cila në fakt ishte një ikje e paralajmëruar, edhe pse askush nuk donte ta besonte.

Madje, as kompozitori i saj Gjergj Leka, të cilit ajo ia braktisi këngën në momentet e fundit të festivalit. Se si ka ndodhur largimi i saj, por edhe i disa këngëtarëve të tjerë, mos humbisni intervistën e mëposhtme…

Mimoza, një trio shoqëruese, çfarë i jep më shumë këngës?
Një trio i jep harmoninë këngës. Pa trion, këngëtari duket shumë i thatë, nuk ka mbështetje. Trio ka tre zëra. Një zë mund të shoqërojë këngëtarin, dy zërat e tjerë janë harmoni. Është një mexosoprano, një alto dhe një soprano. Unë isha mexosoprano, ose edhe alto, pra mund të bëhesha zë i dytë, por edhe zë i tretë. Koordinohesha me një shoqëruese tjetër, mikeshë timen, se i kishim zërat afër.

Si paguheshit atëherë?
Sipas këngëve, nga TVSH-ja. Unë e nisa shoqërimin në vitin 1989, në Festivalin e 28- të. Ndërsa në vitin 1990 pati një problem të madh. Në Dhjetor ’90, rrezikohej komplet festivali, sepse ishte trazirë e madhe. Gjithë kohës ishte dilema nëse do të zhvillohej apo jo. Kishte presione, thashetheme, zëra për lëvizje drejtorësh e deri në pezullim krejtësisht të festivalit.

Përfundimisht u bë, ishte Festivali i 29- të i Këngës në RTSH. U bë dhe kush fitoi?
Fitoi Anita Bitri me këngën “Askush s’do ta besojë”, kompozim i Flamur Shehut dhe teksti i Jorgo Papingjit. Ne e shoqëruam këngën dhe ka qenë ndër këngët që më ka emocionuar pa fund. E shkundi skenën Anita. Kjo këngë iu dha dhe dikujt tjetër, por nga provat e mori Anita. Se ashtu funksiononte atëherë, me dublim. Për të njëjtën këngë konkurronin dy këngëtarë dhe fitonte më i miri/e mira.

Kush konkurroi me Anita Bitrin për atë këngë, që më pas rezultoi fituese?

Për dublim ishte Nertila Koka. Por Anita e zotëroi përnjëherë këngën dhe kompozitori zgjodhi Anitën. Nertila Koka u largua nga festivali. Shkoi me të shoqin në Japoni, i cili ishte emëruar me punë atje. Gjithsesi, nuk është se e priti mirë vendimin, që kënga t’i besohej Anitës. Iku Nertila para festivalit. Po në momentet e fundit para festivalit, u largua edhe Parashqevi Simaku, më duket se kanë qenë 4- 5 ditë para. 

Ku u largua Parashqevia dhe si u prit ky vendim i saj?
Parashqevia u largua në Greqi, së bashku me disa artistë të tjerë. Atje mori vizë në grup, për të mos u kthyer në Shqipëri. Por çështja nuk ishte thjesht te largimi i saj, se sa të kënga që ia la në mes Gjergj Lekës. Ai kishte kompozuar një këngë dhe do të përfaqësohej nga Parashqevia, ishin bërë provat, ishte gjithçkanë rregull dhe… në fund Parashqevia ia la në letër.

Si e pritën largimin e Parashqevisë?

Në fakt, pritej. Ajo e kishte organizuar prej kohësh që të merrte pjesë në një aktivitet në Amerikë, por për të marrë vizë, duhet të shkonte në Greqi. Por nuk pritej që ajo të lajmërohej nga Ambasada për vizën pikërisht para festivalit. Kështu që u largua menjëherë.

Si u zëvendësua Parashqevia, pra kush e këndoi këngën e Gjergj Lekës?

Këngën e Gjergj Lekës nuk e mori askush, pasi ajo ishte bërë fiks për Parashqevinë dhe zërin e saj. Nuk e arrinte dot kush tjetër, ndaj nuk ia dha askujt.

Dini gjë nëse e ka kënduar kush gjatë viteve të mëpasshme?

Me sa di unë, nuk e ka kënduar askush.

Mendoni që po të kishte qenë Parashqevia në atë festival, do ta kishte fituar?

Jo, atë vit e meritonte plotësisht Anita Bitri çmimin e parë.

A ishte e favorizuar Parashqevi Simaku?

Nuk them dot se ishte e favorizuar, por di të them se ishte në qendër të vëmendjes. Parashqevia e kishte bërë emrin e vet dhe nuk kishte nevojë të favorizohej. Ishte e fuqishme. Parashqevia ishte zonjë, as merrej fare me llafe, shihte punën e vet. Për mua, për aq sa e njoha, ishte personalitet. Kishte zë të paktë, por ishte shumë e zonja në interpretim. Me pak zë, por e menaxhonte shumë mirë dhe e ngrinte këngën në piedestal. Ishte talent. Ishte e vetmja që këndonte edhe muzikën e lehtë dhe atë popullore, me të njëjtin intensitet. Publiku e donte shumë. Po të dilte Parashqevia në skenë, edhe sikur zë të mos kishte, e duartrokisnin. Pastaj në Amerikë nuk di se si “humbi”… Mbase nuk iu përshtat ambientit. Në diasporë kërkoheshin këngët e Veriut, ajo këndonte të Shqipërisë së Mesme, nuk e di…

Cilët ishin këngëtarët e tjerë që u larguan pas Parashqevisë?

Siç thashë, njëkohësisht iku Nertila Koka, pastaj Morena Reka, Enxhi Nini, Justina Aliaj që shkoi në Belgjikë etj. Meqë jemi te Justina Aliaj, më kujtohet që u rrëzua një herë në skenë. Do të këndonte këngën “Nënat”, të kompozitorit Shpëtim Kushta. Por aq e lezetshme ishte Justina, sa që, edhe pse i ngeci taka në mes dy dërrasave të podiumit, u çua dhe e kaloi me shumë sportivitet. Tepër elastike. Me atë talentin e saj si aktore e ktheu në humor, bëri ca gjeste për të qeshur dhe duke qeshur edhe vetë ajo, ia mori këngës. Më ka mbetur në mendje se sa bukur e kapërceu atë incident, e paparë.

Me kë nga këngëtarët që shoqëroje ndiheshe më mirë?

Me Anita Bitrin ndihesha shumë mirë dhe jam pikëlluar jashtë mase kur kam marrë vesh që ndërroi jetë. Pastaj emocionuese ka qenë edhe kënga fituese e një tjetër festivali, kuarteti me Frederik Ndocin, motrën e tij Juli, Manjola Nallbani dhe Aleksandër Gjoka, me këngën “O Tokë e Diellit”. Kjo në fakt ka qenë kënga e parë shoqëruese e imja, bëhet fjalë për Festivalin e 28-të në RTSH, i vitit 1989, që mori çmim të parë.

A kishte këngëtarë të preferuar të drejtorit artistik apo kompozitorit etj.?

Nuk ishin miqësi të dukshme. Për kompozitorin, po, kishte preferencë. Që kur e niste një këngë, e kishte në mendje se kujt do t’ia besonte, për kë e krijonte. Ndaj ju thashë për atë të Parashqevisë, që mbeti kompozimi pa këngëtar, se ishte fiks për atë.

A kishte xhelozi mes këngëtareve?

Sigurisht që kishte.

Për shembull, cilat ishin rivalitetet më të forta?

Xhelozia ishte e rafinuar dhe kishte një detaj interesant. Nëse të vinin dhe të rrihnin shpatullat “ohhhhh sa bukur ke kënduar”, dije se ishe keq. Nëse të rrinin larg, ose silleshin ftohtë, atëherë ishe “Ok”. Na tregoni një rivalitet që e keni pikasur… Jua thashë më lart pak a shumë. Më ka bërë përshtypje në vitin 1990, kur kompozitori Flamur Shehu e kaloi nga Nertila Koka dhe ia dha Anita Bitrit. Nertila “u zhduk”. As e përshëndeti, as e uroi. Vetëm u largua në heshtje, pa bujë. Gjithnjë shoqëruese e këngëtareve.

A nuk patët ambicien, që pse të rrinit aty pas si shoqëruese dhe të mos merrnit vetë pjesë në festival?

Po, e kisha dëshirën. Por isha mësuar me atë mënyrë të kënduari. Pastaj, më vonë, u zbeh ajo kultura e festivaleve. Këngëtarët keqpaguheshin dhe unë u detyrova, ashtu si shumë kolegë të tjerë, që të këndonim në diasporë. Duke qenë se isha mësuar me muzikë si më klasike, të lehtën e kisha të vështirë ta këndoja. Por pastaj u mësova edhe me popullorçen (qesh). Kohët ndryshuan dhe iu përshtatëm tregut. Kam kënduar në diasporë këngë patriotike pasi ma lejonte zëri im, kryesisht në Zvicër.

Si ju duken festivalet aktualisht?

Ka shumë rënie. Këngët janë njësoj. Nuk mban mend asnjë refren. Ndërsa refrenet e këngëve fituese të dikurshme edhe sot mund të kujtohen me lehtësi. Për të mos folur pastaj për tekstet, që janë aq të lehta, pa fabul, ose fabul të njëjtë kotësie. Nuk kanë seriozitet.

Pse nuk ka sot shoqëruese zëri për këngëtaret?

Shoqërimet bëhen akoma, por nuk kanë atë rëndësinë e publicitetin që u jepej atëherë. Shoqërueset sot mbahen pas kuintave. Vetëm tek emisioni i Ardit Gjebresë kam parë që ai u jep rëndësi dhe i përshëndet shpesh shoqërueset e zërit.

ELISABETA ILNICA

Parashqevi Simaku/ Mimoza Reka

Burimi: Panorama.com.al