Kasem Bajrami, Luigj Krasniqi, Kel Marubi, Gjush Sheldia, Lasgush Poradeci, Atë Gjergj Fishta, Asdreni, Ernest Koliqi

Historia e letërsisë shqiptare ndahet në disa periudha që përfaqësohen nga autorë të ndryshëm. Kështu fillojmë me Buzukun, Bogdanin e Bardhin dhe arrijmë te rilindasit. Në periudhën e rilindasve, u dalluan ato që i dhanë shije moderne letërsisë shqipe, e më kryesori mes tyre, ishte Ernest Koliqi.

Për të, Martin Camaj si ish nxënës i tij në Itali, do të shkruante në vitin 1991:

Koliqi letrar shquhet si krijuesi i novelës në letërsinë shqiptare; simbas mendimit tim drejtas do vu në dukje se ai do përcaktue si “themelues i prozës moderne” në letërsinë tonë.

Martin Camaj në vitet e fundit të jetës
Martin Camaj në vitet e fundit të jetës

Ernest Koliqi lindi në Shkodër më 20 maj të vitit 1903. Ishte përkthyes, shkrimtar, publicist e themelues i revistave të njohura në qarqet letrare të qytetit të tij, e më vonë edhe më gjërë ku dallohen “Ora e Maleve”, “Shkëndija” dhe “Shejzat”.

Për publicistikën e tij të botuar jo vetëm në revistat që krijoi, por edhe në “Hylli i Dritës”, Martin Camaj do të shkruante: “…ishte publicist me një penë të zhdërvjelltë dhe gjykim të shpejtë e të mprehtë.”

Në kohën e pushtimit italian në Shqipëri, Koliqi u dallua edhe në fusha të tjera, ku ajo që la më shumë gjurmë në të ardhmen e tij ishte politika. Pushteti i kohës e caktoi Ministër të Arsimit, post që e mbajti nga viti 1941 deri në vitin 1942.

Miqësia e tij me Bajram Currin u bë e njohur dhe ndoshta u bë shtysa e afeksionit të tij për Kosovën. Bajram Curri, pas dëbimit nga Kosova ishtë shpërngulur bashkë me familjen e tij në shtëpinë e Shan Koliqit, të atit të Ernestit.

Gjatë kësaj kohe dërgoi në Kosovë më shumë se 200 mësues shqiptarë për të ndihmuar në hapjen e shkollave atje. Pas Liftës II Botërore, këto mësues do të bëheshin themeluesit e arsimit shqip në Kosovë.

Pasi dha dorëheqjen si Ministër i Arsimit, Koliqi iu përkushtua drejtimit të “Institutit të Studimeve Shqiptare”, prej ku filloi botimi i vëllimeve “Studime e tekste”. Kur Italia fashiste po kapitullonte, më 1942 zëvendëson Terenc Toçin në krye të Këshillit t’epërm korporativ fashist deri më 1943, gjë që do t’i kushtonte edhe më tepër në sytë e rregjimit që do të vinte. Në vjeshtën e vitit 1943, prej portit të Tivarit shkon në Itali me familjen dhe të afërmit e tij.

Koliqi e ushtroi profesionin e arsimtarit për më tepër se 30 vite, qoftë si mësues në Shkodër, qoftë si  profesor në Universitetet më të rëndësishme në Itali ku, në Universitetin e Romës krijoi edhe Katedrën e Albanologjisë dhe e futi Albanologjinë si lëndë.

Sipas Martin Camës, “…për krijimin e katedrave për Gjuhë e Letërsi në trollin italian që sot drejtohen nga arbëreshët, pjesërisht duhet të falenderojmë inisjativën e përvojën e Koliqit.”

Pas largimit nga Shqipëria, jetoi në Romë, deri kur vdiq. Atje, si drejtues i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin e Romës bëri të pamundurën të kujtonte sado pak figurat e shquara të Shqipërsië që komunizmi i kishte etiketuar “tradhtarë”.

Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Atë Gjergj Fishta, Asdreni
Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Atë Gjergj Fishta, Asdreni

Edhe ai vetë u cilësua “tradhtar” nga rregjimi komunist dhe vepra e tij u ndalua rreptësisht.

Mbylli sytë qetësisht në Romë mëngjesin e 15 janarit të vitit 1975, duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë tonë./Konica.al/Andreas Dushi/