INTERVISTA/ Flet kompozitori dhe pianisti Miron Kotani

Pianist, por dhe kompozitor. Vjen nga një familje me tradita të hershme në fushën e muzikës, pasi gjyshi i tij ka qenë klarinetist me famë së bashku me famozin Laver Bariu ndrysa babi i tij Vladimir Kotani një kompozitor me emër. Kompozimin e parë e ka bërë qysh në bangat e shkollës, por asnjëherë nuk është vetëkënaqur me rezultatet në jetë. Për të, muzika tallava nuk përputhet me shijet personale, por gjithsecili bën zgjidhjen e vetë në jetë. Një nga ditët më të vështira në jetë, ka qenë kur në mars 1997 ai ishte i vetëm në Akademi me pedagogun e tij Thoma Gaqi.

Cila është kënga e parë që keni kompozuar?

-Ka qenë një këngë për fëmijë në në aktivitet të shkollës kur kam qenë në klasën e tetë (ish-shkolla “Kongresi i Përmetit”, sot “Servete Maçi”). Kam shumë kujtime të bukura nga ajo periudhë e viteve 1985-1992. Kemi qenë një brez fëmijësh të talentuar ku sot thuajse të gjithë (ndoshta ndër të paktët jam unë që kam zgjedhur për të qëndruar në Shqipëri), jemi të shpërndarë nëpër botë.
– Kush ju futi në rrugën e bukur të kompozimit dhe cilët ishin pedagogët dhe anëtarët e jurisë kur konkurruat?

– Në Liceun Artistik ku unë vazhdoja studimet për piano me zysh Elsa Veizin, kishim shumë pranë, më saktë përballë nesh ndodhej godina e RTSH-së, dhe gjatë pushimeve më kujtohet që shpeshherë më impresiononte kjo gjë. Më dukej një godinë e madhe dhe njerëzit e shumtë, gazetarë e punonjës të tjerë që punonin aty, më bënin shumë përshtypje dhe fillova të miqësohesha me ta, madje me një pjesë të tyre ruaj edhe sot një shoqëri prej vitesh. Pra nën këtë klimë, Liceu nga njëra anë dhe RTSh-ja që më ftonte e më bënte për vete nga ana tjetër, njëkohësisht. E mbushur kjo dhe me një jetë koncertesh e ngjarjesh kulturore muzikore të shumta (kujtoj se periudha midis 1992-1996 ishte tepër e pasur dhe e ngjeshur me aktivitete, kjo dhe për shkak të daljes nga izolimi shumëvjeçar) më shtynë të mendoj për diçka më shumë…jo vetëm në rolin e instrumentistit, atë të pianistit, por pse jo dhe në atë të kompozimit, e më tutje dhe në atë të botës së ekranit dhe të radios, ku për vite me radhë eksperimentova në një sërë programesh dhe emisione të shumta në disa stacione e media të ndryshme, por dhe te disa shkrimeve kritike në fushën e muzikës, gjë kjo që vinte më shumë jo vetëm nga pasioni i moshës, por dhe nga një traditë e pasur familjare në fushën e muzikës. (Kujtoj gjyshin tim kur isha shumë i vogël që shpeshherë i binte klarinetës me Laver Bariun e famshëm, dy xhaxhallarët e mi instrumentistë-njeri i binte fizarmonikës dhe tjetri kitarist dhe sot e kësaj dite luan live nëpër skena të ndryshme, dhe në fund babain tim kompozitor Vladimir Kotanin, i njohur në vend në disa gjini të ndryshme të muzikës, por që suksesin më të madh e pati në këngët e muzikës së lehtë). Do përmend këtu dy pedagogët e mi të nderuar të kompozicionit: të madhin Cesk Zadeja (jam krenar që dy vitet e para të Akademisë kam studiuar me babain e muzikës shqiptare duke qenë dhe studenti i tij i fundit) dhe prof.Kozma Lara, pedagogun me të cilin mbrojta diplomën me Koncertin për Piano dhe Orkestër në vitin 2000.
Edhe vitet e Akademisë 1996-2000 kanë qenë të mbushura me ngjarje ku jeta rridhte shumë shpejt. Nuk mund të rri pa përmendur klasën e kompozicionit ku studionim bashkë me Florian Luarin (ish-drejtues i orkestrës në Top Chanel dhe sot ndodhet në Paris të Francës), Saimir Çilin (kantautor i njohur), Alban Emirin (kitarist shumë i njohur dhe pjesëtar me grupin e Elton Dedës ) e shumë emra të tjerë të njohur që sot janë avangardë në muzikën shqiptare. Me gjithë tranzicionin që kalonte Shqipëria në ato vite, ne bënim punën tonë dhe nuk mund të rri pa përmendur punën kolosale me ne, të pedagogëve të mi si : Thoma Gaqi (harmoni), Aleksandër Peci, Endri Sina (orkestracion), Hajg Zaharian, Kujtim Laro, etj…të cilët na mësuan të hidhnim bazat dhe të drejtonim saktë shijen tonë muzikore në mënyrë individuale dhe sa më profesionale.

– Kur e keni ndjerë veten ngushtë në Akademi dhe pse?
– Në Akademi kushtet ishin shumë të vështira, por kujtoj dy momente. Momenti i parë është që në ngjarjet tragjike të marsit të 97-ës kujtoj: Ishte mbasdite dhe unë ngjitem në korridorin e shkollës në orën e praktikës së harmonisë. Ishte e dhimbshme të shikoje korridoret bosh, gjithçka bosh. Unë isha një dhe i vetëm… vetëm unë dhe shkolla….Ku për dreq filluan dhe ca pika shiu….Ora 5 e gjysmë, thashë me vete kjo është shkretëtirë me siguri dhe profesori s`ka për të ardhur. Por, jo, isha gabuar. Dëgjohen disa hapa dhe ja më tej shfaqet profesori im i harmonisë, një nga pedagogët më të rregullt dhe rigoroz të Akademisë, prof.i harmonisë Thoma Gaqi, që ngjiste shkallët me një çantë në dorë. Nuk kam për ta harruar kurrë këtë moment dhe këtë ditë. Thashë me vete…!!!!! Unë dhe profesori të dy, të vetëm, në gjithë këtë ndërtesë të madhe me emrin Akademi!!! Them se ky ishte momenti sa më i vështirë, po aq edhe mbresëlënës……!!!

– Momenti i dytë ka të bëjë me anën teknike të studimit, ku dhe pse një student i rregullt, asnjëherë në ato katër vite të Akademisë nuk na u krijua mundësia të dëgjonim ndonjëherë një tingullin tonë të shkruajtur për orkestër nga studentët e kompozicionit, e kjo është njësoj si të kesh patentë, por nuk ke makinë që ta ngasësh! Këto ishin dhe dy momentet që kujtoj si më të vështirat e Akademisë.
– Pedagogët tanë të kompozicionit a ishin me nivel dhe kërkesë profesionale?
-Me gjithë periudhën tejet të vështirë ne kishim dhe kemi pedagogë brilantë dhe kompozitorë të kalibrit botëror që po çudisin dhe sot. Jo më kot dhe vetëm para pak ditësh kompozitori ynë Thoma Simaku (që sot drejton katedrën e Kompozicionit në Universitetin e Nevv Yorkut në Angli), u bë fitues i çmimit të parë ndërkombëtar në Poloni me një vepër për Orkestër simfonike ku në garë ishin plot 147 autorë nga e gjithë bota.

– Sot shkolla jonë e kompozicionit a është e niveleve europiane?
-Të them të drejtën unë kam vite që kam mbaruar dhe nuk jam në kontakt të drejtpërdrejtë, por mendoj se ai që ka vullnet dhe dëshirën e mirë, e gjen rrugën e duhur të arsimimit profesional jo vetëm te shkolla dhe bota akademike, por dhe me kontakte të drejtpërdrejta me botën jashtë si dhe privatisht.

– Cilët janë kompozitorët shqiptarë më në zë?

-Ka disa, por për mua janë: Feim Ibrahimi, Spartak Tili, Çesk Zadeja, Hajg Zaharian, Prenk Jakova,Tonin Harapi, Aleksandër Peçi, Thoma Simaku,..etj. Më falni po janë të gjithë shumë të mirë, nuk mund ti ndaj dot, lista është vërtet shumë, shumë e gjatë…

– Flitet shumë sot për festivale të ndryshme në stacione të ndryshme televizive. A janë këto festivale-koncertale në nivel më të lartë profesional se Festivali i RTSH-së?
– Festivale ka shumë, po për mua dhe që më dhemb shpirti për të është vetëm një: Festivali i Këngës në RadioTV, pra festivali i dhjetorit. Kjo është e lidhur me shumë faktorë, por më kryesorja është dhe për mua mbetet tradita. Një gjysmë shekulli nëpër krijime të autorëve më të mirë të këngës shqipe është shumë dhe kjo është një barrë e madhe e drejtuesve dhe organizatorëve të këtij evenimenti. Është e vërtetë që vitet e tranzicionit të tejzgjatur shqiptar kanë ndikimin e tyre negativ në mbarëvajtjen e tij, por them se kjo gjë është kalimtare dhe se gjërat jam i bindur që do të marrin për mirë.
– Sot flitet shumë për huazime në muzikë, sa ndikojnë këto lloj muzikash në traditën shqiptare?
Po jo vetëm huazime, por dhe ndikime të shumta ka e do të ketë, pasi çdo gjë evoluon me kohën, por kjo duhet luftuar me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj atyre personave që e kanë në dorë këtë gjë u ngelet shumë për të bërë në këtë drejtim. Kjo është sfida e kohës. Duhen vendosur ligje dhe kritere të sakta në konkurrim, e ato të zbatohen me përpikmërinë më të madhe, gjë që ka munguar sipas këndvështrimit tim këto dy dekadat e fundit. Në garë duhet të marrin pjesë më të mirët, si në aspektin e krijimtarisë, ashtu dhe në atë të interpretimit. Janë bërë hapa pozitive në këtë të fundit ku dhe është rritur ndjeshëm niveli i interpretimit vokal, por mbetet shumë ende për t’u bërë në krijimtari dhe në fushën e kompozimit.

– A është tallavaja një muzikë e pëlqyer dhe cila është prejardhja e saj?
-Ajo nuk është në preferencat e mia, por që ka dhe njerëz që e pëlqejnë e nuk i ndalon dot, kjo dihet. Kjo ka shumë faktorë, por rolin më negativ këtu e luan media, e kryesisht kanalet që japin muzikë. Madje shpeshherë pre e kësaj bije dhe TVSH-ja!. Nuk mund t’i lejohet një institucioni të tillë të transmetojë këngë të tilla dhe muzikë të huaj. Kjo kërkon revolucion të të konceptuarit. Pashë para pak kohësh në këtë ekran një emision për Rahmaninovin ku dy orë mbasdite mësuam dhe për gjerat më intime të jetës së tij. Në rregull, shumë mirë. Është kompozitor i madh, dakord….Po këtu je në Shqipëri, dhe në ekranin publik kombëtar!!! S`kemi dëgjuar një emision për Çesk Zadenë, Feim Ibrahimin, Kujtim Laron, Spartak Tilin, e së fundmi Thoma Simakun….??!!!! Lista është shumë e gjatë…Ky institucion duhet të jetë përçues i vlerave tona kombëtare në radhë të parë, e pastaj dhe atyre botërore…. Këtu i mbetet dopio-gjashta dhe institucioneve të tjera kulturore, si Ministria e Kulturës apo Drejtoritë Kulturore të Bashkive të ndryshme. Për Tallavanë nuk mund të flas se nuk më intereson dhe s`më ka interesuar ndonjëherë.
– Sot shumë këngëtarë këndojnë me CD Play-back, a ndikon kjo në uljen e cilësisë së zërit tek këngëtari?
Kjo nuk ndikon, sepse me Play-back mund të këndojnë të gjithë, madje dhe këngëtarë të mëdhenj botërorë e kanë praktikuar këtë gjë. Problemi është sa këngëtarë janë dhe pse i thonë vetes këngëtarë të gjithë …??? Për këtë dhe na shërbejnë koncerte Live, Festivalet, Koncertet…etj… Prandaj dhe e veçova Festivalin e RTSH-së nga të tjerët, se ato për mua janë inekzistente, përderisa organizohen me Play-Back për mungesë transparence dhe të kënduarin Live-në skenë. Përfytyroni 20.000 mijë veta në stadium që në vend të ndeshjes së futbollit tu shfaqej një ritransmetim në ekran gjigand i një ndeshje të kaluar futbolli…??? A do zhgënjeheshin tifozët ?! E për fatin tonë të keq kjo gjë quhet normale në Shqipëri ku dhe TV Kombëtare e praktikojnë jo rrallë këtë fenomen.

– Cilat janë problemet e muzikës shqiptare sot?
-Individualiteti dhe origjinaliteti kombëtar. Kjo mungon ndjeshëm dhe thuajse po shkon drejt pikës zero.

-Vihet re se në treg janë me qindra këngëtarë, ka një klasifikim të mbash këtë emër të nderuar?
– Mendoj se koha është seleksionuesi më i drejtë. Sot ne themi i madhi Tonin Tërshana, apo e madhja Vaçe Zela… Unë po i shtoj dhe një: E madhja Parashqevi Simaku !!!! Pastaj ka dhe shumë emra të tjerë, por problemi është: Kush do t`i rezistojë dhe zëvendësojë ata??? Të presim. Koha do na i zbulojë !

A keni marrë pjesë dhe pikërisht në sa Festivale të RTSH?

Po. Kam marrë pjesë si kompozitor në katër Festivale në ato të Fund-vitit në edicionet 1998,1999,2001 dhe 2003 ku ka qenë dhe pjesëmarrja ime e fundit me këngën “Sytë e zemrës” interpretuar nga Anisa Dervina.

Me cilët këngëtarë ke bashkëpunuar?

Kam bashkëpunuar me disa këngëtarë të njohur, por dhe të rinj. Mbaj mend në festivalin e vitit 2001 në RTSH një këngë të interpretuar nga Anxhela Peristeri…e kështu me radhë kanë vijuar bashkëpunimet me Kozma Dushin, Luan Zhegun, Ledina Celon, Albëri Hadërgjonaj, Aurel Thellimi, Hysni Zela, Florian Luari, Josif Gjipali, Irida Pojani, Miranda Jani, Anisa Dervina, Klajdi Musabelli,….etj….

Ju pëlqen më shumë kënga popullore apo ajo e muzikës së lehtë?

Më shumë më pëlqen Muzika Popullore Shqiptare. Kemi një thesar dhe një folklor tejet të pasur. Një kompozitor profesionist ka mundësi dhe duhet të shkruajë për të gjitha gjinitë e muzikës. Por kjo gjë në Shqipëri sot për sot është shumë e vështirë, sidomos për dy gjinitë e fundit….Që të mund të vesh në skenë një simfoni apo opera është një shpenzim i madh në kohë ashtu dhe në vlerë monetare, ku ti si individ pa përkrahjen e shtetit e ke totalisht të pamundur realizimin e tyre. Ku e gjej veten unë?- S`e di,s`më ka vajtur ndonjëherë mendja për t`i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje..por di që deri tani kam lëvruar me sukses muzikën e filmit atë dokumentar dhe artistik (Autor i dy filmave artistikë shqiptare: “Shkallet” dhe “Një ngjarje në traget”, ku filmi i parë është nderuar dhe me çmim në Francë në një Festival Ndërkombëtar Filmi). Gjithashtu jam autor i një Koncerti për piano dhe orkestër, i një albumi me pjesë pianistike shqiptare, i disa teatrove për fëmijë, këngë të muzikës së lehtë shqiptare për fëmijë e të rritur si dhe së fundmi jam marrë me Orkestrimin e Simfonisë Premiere me Katër Kohë të Kompozitores Diana Ziu që do ta luajë Orkestra e RTSH-së (i uroj shumë sukses autorit) dhe me restaurimin e muzikës së Filmit “Koncert në vitin 1936” të Limoz Dizdarit një dokumentar kushtuar pikërisht shesheve të xhirimit të tij. Flm.

S’di kush e ka thënë më parë

Burr’ i mençur do ketë qenë,

Me një lule s’vjen behari,

Nuk rrinë dot Yjet pa Hënë