Shteti nuk ka treguar sa duhet interes për muzikën shqiptare. Prej vitesh po përballet me probleme, ku sot nuk kemi një institucion për muzikën shqiptare, që do të ndihmonte jo pak për krijimtarinë e autorëve. Kompozitori Miron Kotani shprehet se prej vitesh ka kërkuar, që të jetë një institucion, një Bibliotekë Kombëtare e Muzikës, por deri tani asgjë nuk ka ndryshuar. Në intervistën për “SOT” kompozitori Kotani pohon se ashtu si kujdesemi për krijimtarinë letrare, po atë kujdes shteti duhet të tregojë dhe për krijimtarinë muzikore shqiptare. Për kompozitorin mungesa e një institucioni që ta ruajë dhe arshivojë muzikën shqiptare sjell probleme. Sipas tij, sot nuk ka një institucion ku të trokasësh për veprat muzikore, dhe gjithçka deri tani ka mbetur në dëshirën e individëve. Gjërat për muzikën shqiptare, sipas kompozitorit bëhen me pikatore, madje dhe ato institucione që duhet ta kenë më shumë në skena pak e ekzekutojnë. Për kompozitorin Miron Kotani sot mungon debati kritik, mungojnë analizat profesionale, ku duhet të dalin dhe të ekzekutohen veprat muzikore shqiptare. Sipas tij, nuk ka rëndësi emërtesa, por rëndësi ka që Ministria e Kulturës të krijojë institucionin e muzikës shqiptare.

-Ju më herët jeni shprehur se duhet të kemi një bibliotekë të muzikës shqiptare. Sa është bërë për këtë?

Deri tani për muzikën shqiptare nuk është bërë gjë, sepse ndryshe do të ekzistonte diku. Përfytyroni një moment nëse ne nuk do të kishim një Bibliotekë Kombëtare në letërsi. Për çfarë shërben Biblioteka Kombëtare në letërsi? Shembulli është e njëjta gjë edhe për muzikën. Pra muzika shqiptare të ruhet, arshivohet dhe mandej të përhapet. Kjo është qëllimi se pse duhet të ekzistojë një institucion i tillë si një Bibliotekë Kombëtare e Muzikës. Madje ne jemi shumë mbrapa edhe me kuadrin ligjor.

 -Kur pohoni këtë problem me kuadrin ligjor, sipas jush çfarë duhet bërë?

Ne jemi prapa me kuadrin ligjor, që të detyrojë çdo kompozitori shqiptar, që vepra i del premierë dhe i ekzekutohet për herë të parë, ai krijues duhet patjetër që një kopje ta depozitojë diku, të ruhet në shtet. Ashtu sikundër një libër i ri, që do të botohet dhe 5 kopje shkojnë në Bibliotekën Kombëtare, e njëjta gjë duhet të jetë dhe për krijimtarinë muzikore shqiptare me veprat, që shkruhen nga autorët shqiptarë. Por mungon kuadri ligjor për këtë gjë. Duhet krijuar një Biblioteka Kombëtare e Muzikës, që të ruajë, të arshivojë vlerat e muzikës shqiptare sepse janë dhe dorëshkrime të kompozitorëve, pra nuk bëhet fjalë vetëm për veprat. Ne flasim dhe për dorëshkrime, jetë personale, ditare të ndryshme, etj. Përshembull kompozitori Çesk Zadeja ka lënë shumë dorëshkrime edhe për sa i përket anës pedagogjike, duke qenë se ka qenë pedagog. Unë përshembull kam me shkrime shumë faqe të Çesk Zadesë, që janë të hedhura me laps nga vetë dora e profesorit.

Në këtë moment si puna ime mund të jenë edhe 100 veta të tjerë, që i kanë nëpër shtëpi apo zyra. Pra gjëja e parë duhet të jetë një institucion, që të merret me grumbullimin e materialeve arshivore të muzikë shqiptare. E dyta, duhet të ishte që ngritja e institucionit të muzikës shqiptare, dhe e treta është ngritja e librarisë muzikore shqiptare. Pas Bibliotekës Kombëtare për Muzikën vjen edhe faza e publikimit më pas dhe duhet të kemi dhe kuadrin ligjor. Brenda një kuadri ligjor të caktuar të përhapet në të gjithë botën muzika shqiptare. Ashtu si kemi letërsinë, që veprat e Ismail Kadaresë janë në 40 gjuhë të botës, ashtu duhet edhe për muzikën shqiptare. Të gjithë veprat e kompozitorëve shqiptarë të jenë të aksesueshme dhe të luhen në të gjithë botën. Jo vetëm për shqiptarët, sepse gjuha e muzikës është universale dhe do ti sillte shumë të ardhura edhe shtetit shqiptar.

-Ky problem është pohuar herë pas herë nga ju për krijimtarinë e muzikës shqiptare, por a është organizuar një takim me krijues dhe përfaqësues të institucioneve deri tani?

Takimin me krijuesit për këtë problem duhet ta organizojnë ata, që drejtojnë këtë vend. Janë ata që duhet ta bëjë, Ministria e Kulturës apo Bashkia e Tiranës, por kjo i takon institucioneve. Janë personat, që paguhen për këtë punë për muzikën shqiptare, dhe këtë nuk duhet ta bëjë x individ por duhet ta bëjë shteti.

-Krijues të ndryshëm shprehen se prej vitesh e kërkojnë, që të jetë një fond për muzikën shqiptare nga Ministria e Kulturës, që deri tani sipas tyre nuk është marrë parasysh. Ju çfarë mund të thoni?

Sigurisht që duhet të kemi një fond për krijimtarinë muzikore shqiptare. Po ashtu duhet të zbatohet edhe e drejta e autorit në muzikë, që është me probleme. Të paguhen veprat muzikore që janë shkruar deri më sot, ato që janë të aksesueshme. Më pas duhet të kemi dhe stimulimin për veprat e reja muzikore nga shteti, për të organizuar festivale, koncerte, aktivitete. Por sot krijimtaria e re muzikore sot stimulohet me pikatore. Ku janë koncertet? Edhe koncertet që duhet të ishin për vepra të mëdha të muzikës shqiptare janë me pikatore.

Po ju marr një shembull. Orkestra e RTSH, një nga më të mirat në vend, orkestër që ka dhe titullin “Mjeshtër i Madh”, por kishte 3 vjet që nuk ekzekutonte asnjë vepër muzikore shqiptare. Para pak ditësh pas 3 vitesh u luajt një vepër. Në koncertet u luajt simfonia e Çesk Zadesë. Kjo u luajt pas 3 vitesh heshtje. Kur kjo gjë minimalisht duhej të ishte në program çdo dy javë, që del në koncert Orkestra e RTSH. Tani të presësh stimulim, kur akoma nuk luhen në koncerte mjeshtrat, kolosët e muzikës? Si do të ekzekutohet muzika e re shqiptare kur akoma nuk po luhet e vjetra? Nuk po luhen kryeveprat e muzikës shqiptare. Unë mora RTSH si shembull, por edhe në institucionet e tjera muzika shqiptare është me pikatore. Gjërat sot për krijimtarinë muzikore shqiptare janë me pikatore në vend. Mungon debati kritik, mungojnë analizat profesionale, të dalin dhe të ekzekutohen veprat muzikore shqiptare.

Nuk ka rëndësi emërtesa, por rëndësi ka që Ministria e Kulturës të krijojë institucionin e muzikës shqiptare. Një institucion, ku të jenë të punësuar muzikantë që të merren me arshivimin, publikimin, ruajtjen e të gjithë muzikës shqiptare. Duke filluar që nga këngët për fëmijë, që ka një thesar të pasur deri te muzika folkloristike. Duke qenë se ne kemi një trashëgimi shumë të pasur muzikore, që nga koha e Jan Kukuzelit duhet të jenë të dokumentuara të gjitha krijimet e muzikës shqiptare me të gjithë përfaqësuesit e saj. Por deri më sot unë si Miron kam 220 emra krijuesish, pra kompozitorë profesionistë shqiptarë. Ndërkohë që ne ekzekutojmë një herë në 3 vjet vetëm një vepër të Çesk Zadesë. Është një pikë ujë në oqean, që stimulohet dhe përkrahet muzika shqiptare nga shteti.

-Në rast se do të vijojë kjo gjendje, pra nuk krijohet institucioni që ju kërkoni, si ndikon kjo te krijimtaria e muzikës shqiptare?

Nëse ne nuk i marrim masat, mund të ndodhë që pas 100 -200 vitesh të gjitha veprat muzikore të kompozitorëve, që janë nëpër shtëpitë e vetë familjarëve do të zhduken dhe do humbasin. Janë partitura muzikore të shkruara me laps, dhe kjo punë nuk duhet lënë në mëshirë dhe në dorën e individit, por këtë punë duhet ta bëjë shteti. Por dhe dixhitalizimi krijon shumë lehtësira. Institucioni duhet ngritur, që të trokasë në dyert e të gjithë familjarëve për veprat. Të krijohet çdo gjë sipas rregullave ligjore, nëpërmjet kontratave me familjarët, dhe këtë institucion, këtë bibliotekë duhet ta menaxhojë shteti shqiptar.

Nuk duhet të lihet më në dorë të individit apo në dorë të familjarëve, duhet shteti të merret me problematikën e krijimtarisë muzikore shqiptare. Nëse janë në dorë të individit, secili i tregon kujdes për pjesën e tij, por ama duhet të ketë një institucion që të merret me këtë punë, që të ketë një adresë të saktë që të dimë se ku do të drejtohemi. Ne të dimë ku të trokasim dhe të drejtohemi. Ku do të gjesh veprat e Kozma Larës? Ku do ti gjesh veprat e Kujtim Laros? Por shteti e ka detyrim ligjor, që edhe ti botojë, ashtu siç ka bërë Kosova, që i ka të botuar minimalisht 20 autorë nga shteti, nga Akademia e Kosovës. Ne nuk kemi qoftë dhe një kompozitor të vetëm dhe të jetë i aksesueshëm për publikun.

-Çfarë po ndodh me të drejtën e autorit?

Për të drejtën e autorit nuk ka ndryshuar asgjë. Ne jemi në pritje dhe presim çfarë të ndajnë këtë vit.

Burimi: sot.com.al