Njerëz të zgjuar, njerëz me botë dhe me përgatitje të lartë akademike u kthyen në Shqipëri në kohën e saj më të vështirë, atëherë kur po vendosej pavarësia.

Akti i pavarësisë ishte vendosur mbi tryezë dhe ajo që duhej ishte krijimi i qeverisë së re dhe sigurisht hartuesi i projektligjeve duhet të ishte një njeri i përgatitur dhe ky i përzgjedhur ishte Kristo Floqi, atdhetari, juristi e shkrimtari.

Kristo Floqi ka marrë pjesë në disa nga organizimet më të mëdha kombëtare, siç ishte edhe themelimi i “Vatrës” krahë Nolit dhe Konicës. (shën. A.D)

Po kush ishte Kristo Floqi dhe cila është historia e tij? Konica.al ju sjell këto detaje…

Loading...

Kristo Floqi lindi më 24 maj të vitit 1872. Ai është një prej figurave kryesore elitare te fshatit, një nga politikanët, shkrimtarët dhe juristët më në zë të Shqipërisë pas shpalljes së Pavarësisë, në vitet 20 e 30-të, sidomos në kohën e Zogut.

Elitat i japin emër vendlindjes, ashtu si edhe vëndlindja u jep nga vetja diçka banorëve të saj.

Floqi i ka dhënë Kristo Floqit mbiemrin dhe Kristua, po ashtu i ka dhënë njohje më të gjerë fshatit.

Në regjimin komunist figura e tij ishte pothuajse e harruar, bile, akoma më keq, e degraduar.

Në kërkim të fakteve për jetën dhe punën e tij, pyeta edhe ndonjë historian e ndonjë ish udhëheqës të shtetit të diktaturës, por si përgjigje mora ngritjen e supeve dhe përveshjen e buzëve.

Me përjashtim të faktit që e kishin dëgjuar emrin e tij, se ai kish qenë avokat në kohën e Zogut dhe i kish shërbyer atij, ata nuk shkonin ose nuk donin të shkonin më tutje.

Kur pyeta një historian që studionte në Bibliotekën Kombëtare se ç’lidhje kishte Kristo Floqi me Thanas Floqin ai m’u përgjigj:

“Duhet të jenë fis…!” Ky pohim i venitur nuk më bindi. Duke gërmuar në skedarin alfabetik të botimeve shqiptare gjej diku autorët e disa veprave.

Në një skedë lexova: Floqi, K. V. Aty pranë, te krijimet e Thanas Floqit gjej: Floqi, Th. V.

Të jetë rastësi gërma “V” që përfaqëson atësinë?-mendova për një çast por ky fakt më ndezi akoma kureshtjen për të gërmuar më shumë në jetën e këtyre dy personaliteteve të spikatur të fshatit tonë.

Pluhuri i kohës kish mbuluar edhe saktësinë e ditëlindjes së Kristo Floqit.

Kjo vihet re edhe në botimet e më vonëshme, pas vitit 1990 kur shumë problemeve e ngjarjeve të harruara demokracia po u ndizte dritën jeshile në zbulimin e të vërtetave të jetës.

Kështu Robert Elsie, autor i librit “Historia e Letërsisë Shqiptare,” botuar në Tiranë më 1977 tek flet me nota pozitive për krijimtarinë letrare të K. Floqit pohon që ai ka lindur në Korçë më 1873…dhe vdiq aty nga viti 1951, pas shtatë vjetësh burgimi.

Studiuesi tjetër, Hasan Hasani, në librin e tij:

“Leksikon i Shkrimtarëve Shqiptarë-1501-1990” botuar në Prishtinë, pasi vlerëson Kristo Floqin, “cakton” datën e lindjes më 1876 dhe atë të vdekjes më 1949! Këtyre të dhënave kontradiktore e të mjegulluara deri tani u jep përgjigje me një saktësi matematikore vetë Kristo Floqi në autobiografinë e tij që gjendet me shkrim dore në 835 fletë, në Arkivin Qendror të Shtetit. Ai shkruan:

“Kam lindur në Korçë në lagjen “Kantho”(K-ja mund të lexohet edhe si M.-F. SH), më 24/5/1872. Im atë,Vasili, …kish lindur në fshatin “historik,” Floq, 3 orë larg Korçës…

Katragjyshi quhej Thoma ose Toma…” Sa për datën e vdekjes së Kristos dimë që ai pas Luftës së Dytë Botërore u arrestua nga regjimi diktatorial, ashtu si edhe mjaft intelektualë të tjerë që nuk kishin ikur nga vëndi dhe vdiq pas shtatë vjetësh internimi. Kristoja futet thellë në pemën gjenealogjike të familjes.

Ai tregon më tej se nga që Thomai, katragjyshi i vet, ishte nishanlli me armë dhe gjahtar i zoti, perandoria turke e mobilizoi në shërbimin ushtarak në Manastir.

Oficerët turq e thërrisnin Toma ose Tomço, ndaj dhe fisi më vonë u quajt Tomço ose Tomçollari. Kureshtjen time për ekzistencën e gërmës “V,”që tregon atësinë në skedat që kisha parë:

Floqi, K. V. dhe Floqi,Th. V., Kristua e shuan ëmbël, në një mënyrë të tillë që lexuesi ndjen kënaqësi tek lexon në autobiografinë e tij me shkrim dore.

Shikoni se me çfarë dashurie shkruan ai për lindjen e një njeriu,vëllait të vet: “…Me t’im ëmë, im atë pati katër djem:

Dhimitrin,të parin, i dyti isha unë, i treti Nikollaqi, i katërti Thanasi dhe një çupë Katerina…” Të tjerët kishin vdekur, vetëm Kristua me Thanasin ishin gjallë (F. Sh). Dhe Kristua vazhdon:

“…Gjersa u lind Thanasi, unë quhesha djalë i vetëm. Mëma ime kish 10-11 vjet që kish pushuar së pjelli dhe as njeri s’mund të mendonte se do të lindëte tjetër fëmijë. Po mrekullia u bë pas 12 vjet.

Dhe kështu, një natë dimri, më 14 Janar 1884, ditën e shtunë, ora 20 e natës, në mes të një të ftohte të madhe e një thëllimi leu im vëlla,Thanasi, i cili mori këtë emër sepse u lind afër kremtes së Shën Thanasit që bie në 18 të Janarit. Thanasi është 12 vjet më i vogël se mua…

Edhe sot punon si avokat në Elbasan”Kristo Floqi ishte intelektual poliedrik: politikan, jurist,shkrimtar, përkthyes, botues, hartues tekstesh pedagogjikë e juridikë. Në Arkivin Qëndror të Shtetit gjen materiale për të duke filluar nga viti 1913 deri në vitin 1944.

Në rreth 4218 fletë të shkruara njihesh me biografinë e tij e të familjes, me veprimtari zyrtare e shoqërore, krijime letrare, material familjar,letërkëmbime etj.

Llojet e dokumantave janë letra, drama, vjersha, fjalorë, studime, dëshmi, çertifikata, përkthime. Gjuha e përdorur është shqipja, italishtja, anglishtja, greqishtja.

Mësimet e para K. Floqi i mori në vendlindje, të mesmet dhe ato universitare në Athinë. U diplomua në drejtësi, profesion që e ushtroi deri në vitin 1899 në Greqi ku edhe i ati, Vasili, merrej me aktivitet tregëtar.

Nga ky vit e deri më 1905, ushtroi profesionin në Korçë, në qytetin më të pasur të Shqipërisë së asaj kohe. Me sa duket, për të mësuar turqishten, kaloi një kohë në Stamboll. U aktivizua atje në lëvizjen Kombëtare. I ndjekur nga pushteti turk, emigroi në Sh. B. A.

Në Boston Floqi u bë botues i të përjavëshmes “Dielli.” Ishte bashkëthemelues, tok me Faik Konicën dhe Fan Nolin, i Federates Panshqiptare te Amerikes  “Vatra.”

Në dimrin e viteve 1912-1913 botoi në Nju Jork të përjavëshmen jetëshkurtër “Zëri i Popullit” Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë u kthye në Atdhe, pranë Ismail Qemalit për të shkruar, të parën në gjuhën shqipe, proçedurën gjyqësore.

Kur Vlora u pushtua, Kristua u shpërngul në Shkodër ku ngriti një zyrë juridike që ushtroi veprimtari gjatë Luftës së Parë Botërore. Në maj 1919 nisi botimin e së përmuajshmes “Agimi,” organ i shoqërisë “Vllaznia.” Më 1920 u bë kryetar i gjykatës së Apelit në Shkodër.

Më 19 nëntor 1920, kur kryeministër ishte Iliaz Vrioni, Kristo Floqi emërohet ministër i Arsimit duke zëvëndësuar Sotir Pecin në qeverinë e S.Delvinës.

Pas disa muajve ai jep dorëheqjen (duke u zëvëndësuar po nga Sotir Peci) dhe kalon anëtar në Këshillin e Shtetit duke shërbyer për një kohë të gjatë në disa qeveri të asaj kohe. Më 17 maj 1925 Kristo Floqi zgjidhet deputet i prefekturës së Korçës.

Dokumentat arkivore tregojnë se Kisto Floqi ushtroi detyra të ndryshme në avokaturë dhe gjykata shtetërore si në Vlorë,Shkodër, Durrës, Korçë, Tiranë. Ka shkruar tekste juridike,politike e pedagogjike.

Ka bërë gjithashtu edhe përkthime nga Sofokliu, Euripidi, Molieri. Ka përkthyer “Konte Ugolini” -Kënga e 38 e Komedisë Hyjnore të Dante Aligerit.

Ka hartuar fjalorin Shqip-Shqip dhe Shqip-Greqisht. Të bie në sy edhe studimi mbi Shën Naumin, shkruar më 1942 dhe që gjendet i daktilografuar.

Po s’ka dyshim se Kristo Floqi u shqua më shumë në fushën e letrave. Ai ishte njëri nga krijuesit më produktivë të kohës së vet, ndoshta dramaturgu më popullor shqiptar në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë.

Popullaritetin ia solli jo aq niveli letrar i veprave të tij se sa kënaqësia e thellë që pjesët e tij i jepnin shikuesve e lexuesve. Më 23 shkurt 1935, ditën e shtunë, “Gazeta e Korçës”shkruan:

“Shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Z. Kristo Floqi, pas një pushimi të pazakonshëm për pendën e tij të palodhur, i fali literaturës shqipe një vepër të re të bukur, të shkruar në vjershë rreth epopesë së gjashtë dëshmorëve të fushës së Korçës.

Kristo Floqi, si njeri i pendës, njihet prej të gjithëve, është shkrimtari më popullor i Shqipërisë dhe prandaj veprat e tij, të pritura aq mirë prej këndonjësve, pothuaj s’kanë nevojë për asnjë rekomandim.

Shënojmë vetëm se “Epopeja e Korçës” ose “Dëshmorët e Rilindjes”është një nga veprat më reprezentativë të shkrimtarit të njohur. ”Studiuesit letrarë e vendosin Floqin në radhën e shkrimtarëve pjellorë me katër tragjedi me tema historike e kombëtare, me shtatëmbëdhjetë komedi dhe skeçe, me disa vëllime poetike.

Bien në sy dramat: “Fe e Kombësi” -1909, “Karllo Topija” -1916, tragjedia “Pirro Neoptolemi,” -1923 e pjesa me katër akte “Triumfi i Lirisë” -1938.

Ndër komeditë më të njohura studiuesit përmëndin “Qerthulli Politik” -1922, “Dhëndërr me Përdhuni”-1912, “Vllazni e Interesë” dhe “E Bija e Bankierit”Kristo Floqi i ka dhënë shumë edhe publicistikës shqiptare.

Ai botoi shkrime në gazetën e qeverisë së përkohëshme të Vlorës,“Përlindja e Shqipënisë” (1913). Bashkëpunoi dhe më pas drejtoi revistën “Arbëria.” Shkroi edhe me pseduonimet “Erythrolitos,”“Gjikë Palla,” “Atlanticue” etj. Ai është një nga nismëtarët e parë të shtypit të periudhës së legalitetit me gazetën “Indipendenca shqiptare,”numëri i parë i së cilës qarkulloi më 17 Janar 1925.

Gjithashtu Kristua radhitet ndër publicistët e rëndësishëm edhe në kohët e mëvonëshme.Ai shkroi në numërin e parë të gazetës “Bashkimi i Kombit” që doli më 28 Nëntor 1943 dhe vijoi deri më 1944.

Gjatë shqyrtimit të dokumentave, të tërheq vëmendjen një fakt befasues në kontrast me linjën e ngjarjeve historike.

Tok me “Autobiografinë” e K. Floqit gjen edhe një çertifikatë mbi dhënien e dekoratës “Urdhëri i Shqipes së Zezë” lëshuar Kristo Floqit nga Vilhelm Vidi, princ i Shqipërisë. Data 19 gusht 1921!

A nuk të shokon ky fakt kur e lexon, në daç edhe kur e dëgjon për hërë të parë?! Si ka mundësi-thua-që princ Vidi të vazhdojë të japë dekorata edhe pas shtatë vjetësh të largimit të tij “de fakto” nga Shqipëria?

Mirëpo kur i shikon çështjet e problemet pas rënies së shkumës së habisë apo të zemërimit konstaton se në këtë botë jallane ligjet janë ligje.

Ato ndjekin proçedura ligjore logjike, jo pasionet qofshin këto edhe të bazuara mbi arsyetimin dhe faktet konkrete. Parë në kontekstin historik e ligjor, princ Vidi, i caktuar nga ndërkombëtarët.

Në materialin familjar Kristo Floqi shkruan edhe për Pirro Floqin, të birin e tij. Unë lexova nga poeti Pirro (ndonjëherë shkruante me emrin Pjetër) disa vjersha e vëllime të vogla poetike si vjershën “Bajram Curri” -1941, botuar në kohën kur vetë Pirroja ishte nëpunës në këshillin e shtetit, vëllimin me titull “Vjersha”shkruar kur ishte gjimnazist, “Kosova e Lirë” -1941 etj.

Ka edhe vjersha të daktilografuara, disa me përmbajtje fetare. Jorgji Paloli që ka qënë sekretar i Kristo Floqit në vitet 1933-39 i ka treguar djalit të tij të madh, Paskalit, se edhe Pirrua, i biri i Kristos, pati talent në fushën e letërsisë dhe kjo dukej në shumë vjersha të botuara.

Ai karakterizohej si filantrop, humanist. Gjatë rrugës për në shtëpi,atje ku sot është vila “Golden” në Tiranë, ose kur shkonte në zyrë ai ndihmonte të varfërit duke u dhënë pare, madje ndonjërit i porosiste kostum në rrobaqepësi.

Më vonë, pati probleme shëndetësore të cilat e degraduan deri në fund të jetës.’’

Dramat dhe tragjeditë e Spiro Floqit:

Fe e kombësi

Karlo Topija

Piro Neoptolemi

Qyprilinjtë

Skanderbeu n’Itali

Fatzeza

Triumfi i Lirisë

Rrogat e nënpunësve

Lojnat e studentëve

Do të vras vedin

Vllazëni e interesë

E bija e bankjerit

Dhëndër me përdhuni

Merre t’a marrim

Nder e qytetni

Pësimet – mësime

Zi e më zi

Kopraci i Molierit

Antigoni e Sofokliut

Mbreti Edipus i Sofokliut

Pjesë nga libri  “Kristo Floqi-Politikan, Shkrimtar, Jurist” i Fiqri Shahinllarit